Vedat MEMEDALIU
Shkup, 23 mars – Dy persona dyshohet të kenë vendosur mjetin shpërthyes në rrugën Sopot-Sushevë në 4 mars të vitit 2003, ku vdiqën dy ushtarë polak të KFOR-it, si dhe një përkthyes – shtetas i Maqedonisë. Të dyshuarit janë nga Maqedonia, gjegjësisht nga një fshat kufitar i Komunës së Likovës, shkruan gazeta KOHA. Që të dy për momentin jetojnë jashtë Maqedonisë, njëri në Francë, ndërsa tjetri në një vend tjetër të Evropës. Identiteti i tyre është i njohur për redaksinë.
Në drejtim të tyre janë duke u zhvilluar edhe hetimet e reja pas shpalljes së pafajësisë për 10 banorët e Sopotit, të cilët 15 vite me radhë u mbajtën pa të drejtë në burgjet e vendit. Motivi për vendosjen e minës mund të gjendet në afërsinë e personave të dyshuar me strukturat maqedone dhe serbe të sigurimit të asaj kohe. Në mesin e të dyshuarve janë edhe punonjës të DSK-së, të cilët kishin përfunduar hetimet me akuzën, se fajtorë janë banorët e fshatit, ata të cilët pas shpërthimit të minës, të parët ishin ofruar për t’i ndihmuar ushtarët e plagosur.
HETIMET
Pas tërheqjes së Prokurorisë Speciale (PS) nga ndjekja e mëtutjeshme e 10 sopotasve të pafajshëm, u shtrua edhe pyetja se cilët atëherë janë fajtorët e vërtetë për këtë vepër. “Për hetimet e reja nuk mund të jap detaje më të hollësishme, vetëm të potencoj se hetimet e reja bëhen me ndihmën ndërkombëtare juridike, ku pritet të përfshihet një shtet fqinj i joni. Në këtë drejtim i shqyrtojmë mundësitë se si të merret deklarata nga persona të caktuar, që mund të kontribuojnë në zbulimin e autorëve të vërtetë. Rasti i Sopoti tashmë hetohet në bazë të një teori të re”, kishte thënë prokurorja Katica Janeva.
Informatat e gazetës KOHA flasin se në hetimet e reja janë përfshirë dy personat, për të cilët ka dyshime se veprën e kanë kryer me porosi të shefave të tyre në organet e sigurisë së Maqedonisë në bashkëpunim me ato serbe. Ditën kritike dy personat kanë shkuar në vendin e ngjarjes në rrugën mes fshatrave Sopot-Sushevë dhe kanë vendosur mjetin shpërthyes. Në atë moment, ka lindur edhe një zënkë mes tyre, pasi njëri ka kundërshtuar lokacionin ku është vendosur mina, duke i kujtuar “kryesorit” në këtë aksion se “këtu mund ta pësojnë edhe banorët e pafajshëm”.
Grindja mes tyre ka eskaluar dhe si pasojë “shefi ” plagos me armë zjarri ndihmësin e tij, duke i shkaktuar plagë në njërën këmbë. Që të dy largohen nga vendi i ngjarjes dhe më pas, aty kalon automjeti i KFOR-it i cili hidhet në ajër.
Ajo që vlen të theksohet është se personi i plagosur, më vonë me një makinë nga njerëz misteriozë është evakuuar nga vendi ku ishte strehuar për një kohë, në një vend fqinj, për të përfunduar që atëherë në Francë, ku jeton i lirë me familjen.
HISTORIA E “SHEFIT”
Për dallim nga ndihmësi, i cili në rrethinën e Likovës ka qenë i njohur si person problematik, shefi i tij që është edhe i dyshuari kryesor, po ashtu nga fshati kufitar i Likovës, ka qenë i akuzuar edhe më herët për disa vepra terroriste që kishin ndodhur në atë kohë në disa shkolla të Kumanovës dhe pjesë të hekurudhës Beograd-Athinë, por jo edhe për minën në Sopot. Një kohë, ai u kishte ikur autoriteteve maqedonase dhe ishte strehuar në Kosovë, ku më vonë u arrestua dhe për disa vite u mbajt në burgun e KFOR-it në Bondstill. Më vonë, me kërkesë të autoriteteve të Maqedonisë, ai u ekstradua në vendin tonë, ku vuajti edhe dënimin për këto vepra.
Tani që disa vite ai jeton i lirë në një nga shtetet e Evropës perëndimore. Gjithë këto informata kanë qenë të njohura për disa punëtorë të Sigurimit Shtetëror të Maqedonisë, të cilët tani kanë vendosur ta ndërprejnë heshtjen dhe të bashkëpunojnë me hetuesinë në ndriçimin e plotë të rastit. Gazeta KOHA mëson se lista e personave të Drejtorisë për Sigurim dhe Kundërzbulim (DSK) që mund të jenë përfshirë në montimin e rastit të Sopotit, mund të jetë më e madhe nga ato emra që deri tani dolën në opinion.
Deri tani, sipas informatave që dolën në opinion, rezulton se në këtë rast kanë qenë të përfshirë gjashtë inspektorë të DSK-së. Marjan Nikollovski me prejardhje nga Sopoti dhe Mile Andonovski nga Kumanova, Robert Ivanovski, Boban Stojanovski, Mile Vellkovski dhe Ilija Smilevski – që të katër nga Shkupi. Këta janë inspektorët që para Trupit gjykues, dy javë më parë, kanë pranuar provat e PSP-së se në shtëpitë e të dënuarve të Sopotit – nuk kishin gjetur asnjë mjet shpërthyes apo ndonjë provë tjetër me të cilën mund të konfirmohej vepra “terrorizëm” dhe dënimet me burg.
Po ashtu, PSP kishte konstatuar se gjashtë inspektorët e DSK-së, në kundërshtim me Ligjin, kishin arrestuar Ramadan Bajramin, dëshmitarin e vetëm në rastin e Sopotit. Madje, e kishin dërguar në një banesë në Strumicë, e kishin lidhur për kaloriferi, deri sa e kishin keqtrajtuar fizikisht dhe psiqikisht deri kur i njëjti kishte firmosur se 10 banorët e Sopotit janë ata që kanë vënë minën në afërsi të fshatit.
DEKLARATA QË BËRI KTHËESËN
Ndryshe, rasti i Sopotit konsiderohet si rasti më monstruoz i montuar nga shërbimi sekret maqedonas me qëllim burgosjen e shqiptarëve, duke i shpallur ata si “armiq” të KFOR-it nga njëra anë, dhe nga ana tjetër duke i larguar forcat ushtarake ndërkombëtare nga vija kufitare Maqedoni-Serbi. Në vitin 2003, vetura e KFOR-it, bie në një minë në afërsi të fshatit Sopot drejt rrugës për në fshatin fqinj Sushevë, ndërsa në vendngjarje humbën jetën dy ushtarë polak dhe përkthyesi nga Maqedoni.
Pas bastisjeve dhe keqtrajtimit të banorëve shqiptarë të Sopotit, Gjykata e Kumanovës mori vendim që për këtë rast të fajësohen 13 banorë vendas, vetëm me dëshminë e dhunshme të Ramadan Bajramit, i detyruar ta firmos letrën në të cilën pranohej fajësia. Sopotasit atëkohë u dënuan me 156 vite burg. Dënimin e vuajtën Sulejman Sulejmani, Samet Lutfiu, Hasan Klaiqi, Shaban Limani dhe Zenel Klaiqi, ndërsa gjashtë banorë të tjerë u detyruan ta braktisnin vendlindjen. Njëri nga ata, Samet Lutriu më vonë vdes vdiq duke pritur drejtësinë.
Se me të vërtetë sopotasit e dënuar ishin të pafajshëm, ishte deklarata e Ambasadorit të NATO-s atëkohë në Maqedoni, Nikolas Bigman. Para Komisionit parlamentar, Bigman kishte thënë se të dënuarit janë të pafajshëm. “Banorët e dënuar të Sopotit janë të pafajshëm. Dënimi i tyre me burg mbështetet vetëm në një deklaratë, e cila është tërhequr një ditë më pas. Nuk mund të kërkosh nga dikush të dëshmojë pafajësinë, nëse pala tjetër nuk ka dëshmi se je fajtor”, pati thënë Bigman. Ai pati vënë në dilemë edhe motivin e aktakuzës ndaj sopotasve.
“Nuk ka asnjë arsye për të besuar se cili ishte motivi i fshatarëve për ta vënë mjetin shpërthyes. Shqiptarët edhe atëherë kanë pasur besim në NATO-n si garancë për stabilitet”, u pat shprehur Bigman, duke i sugjeruar organeve kompetente që të fokusohen në gjetjen e fajtorëve të vërtetë. “Është në interesin e Maqedonisë që të zbardhen rastet e dyshimta, sepse ajo pretendon të bëhet anëtare e BE-së dhe NATO-s”, pati thënë Bigman. (koha.mk)
(Në numrin e nesërm të gazetës KOHA mund të lexoni pjesë nga Raporti i Shërbimit Sekret Ushtarak për të dyshuarit kryesor të minës në Sopot)