Shkup, 3 janar – Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) sot përmes kumtesës e ka kritikuar gjendjen me ajrin e ndotur, duke akuzuar se pushteti nuk ka ndërmarrë asgjë për zgjidhjen e atij problemi. “Madje edhe sot, një ditë pas festave, kur lëvizja e qytetarëve ishte kufizuar, në disa pjesë të Shkupit dhe në Manastir niveli i ndotjes së ajrit është deri në 20 herë më i madh nga maksimumi i lejuar”, thuhet në kumtesën e LSDM-së. Zvogëlimi i ndotjes, thekson LSDM, kërkon qasje sistematike të pushtetit përgjegjës. “Qeveria e re përgjegjëse e qytetarëve të Maqedonisë që në seancën e parë seriozisht do të ketë qasje ndaj zgjidhjes së problemit me ndotjen e ajrit”, kumtoi LSDM. Si masa urgjente, në ditët e ndotjes së madhe, citojnë se do të vendosnin transport publik falas për të gjithë qytetarët e Shkupit dhe qyteteve tjera të mëdha dhe se përkohësisht do të ndërpreheshin të gjitha aktivitetet ndërtimore. “Do ta rrisim përqindjen ligjore të garantuar të gjelbërimit në mjediset urbane. Do të mundësojmë subvencione dhe kredi të volitshme për kompanitë që të munden të ndërtojnë filtra më bashkëkohor ekologjik. Do të gazifikojmë, sipas parimit të Strumicës dhe Kumanovës, edhe 32 qytete në Maqedoni. Do të subvencionojmë edhe pajisje fotovoltaike për shfrytëzimin e diellit si energjens natyror”, njofton në kumtesë LSDM-ja.