Republika Ilinditase e Maqedonisë është emër me përcaktim të përkohshëm, i cili i referohet datave konkrete nga e kaluara dhe është një mundësi reale për kompromis, i cili i kënaq të dyja palët. Presim se propozimi do të kuptohet dhe do të gjejë mbështetje më të gjerë në Athinë, kumtoi sot Qeveria e Maqedonisë. “Me këtë emër, bëjmë kufizim të plotë me rajonin Maqedoni – Greqi. Kufizimi nga çdo aspekt. Kryengritja e Ilindenit është luftë e përbashkët e të gjithë popujve multietnikë për të drejta dhe liri sociale. Nuk ka kurrfarë aspirata territoriale kundrejt asnjë vendi fqinj, duke e përfshirë edhe Greqinë. Kjo është lufta e njëjtë, edhe në vitin 1903 edhe në vitin 1944”, theksohet në kumtesën e Qeverisë.
Shtohet se Republika e Maqedonisë dhe qytetarët nuk kanë kurrfarë pretendime territoriale dhe i konfirmojnë paprekshmërinë e kufijve dhe respektimin e trashëgimisë së popullit grek dhe Greqisë. “Qeveria e Republikës së Maqedonisë do t’i vazhdojë bisedimet me Qeverinë e Republikës së Greqisë deri në gjetjen e zgjidhjes definitive të kontestit 25 vjeçar. Asnjëherë nuk kemi qenë më afër zgjidhjes, ndërsa miqësia midis dy vendeve dhe dy popujve asnjëherë nuk ka qenë më e madhe. Do t’i investojmë të gjitha përpjekjet që të nxjerrim maksimumin nga ky moment historik pozitiv për të dy shtetet”, thekson Qeveria e RM-së.