“Çdoherë kur kemi reshje të shiut me intensitet më të madh, përmbajtja e kanalizimit fekal dhe atij atmosferik dalin nëpër rrugët para shtëpive tona, për arsye të mospastrimit të kanalizimeve. Komuna vite me radhë është treguar e paaftë dhe e painteresuar të përballet me këtë problem edhe pse qytetarët vazhdimisht janë ankuar dhe kanë kërkuar zgjidhje urgjente…”, akuzon Eco Guerilla
Urim HASIPI
Tetovë, 23 maj – Reshjet e shiut në Tetovë dhe rrethinë jo rrallëherë kalojnë pa dëme dhe pa lënë pasoja. Reshjet e shiut kanë shkaktuar vërshime në shumë rrugë brenda qytetit të Tetovë duke shndërruar mini-liqene. Situata më keq ka qenë në pjesën qendrore, gjegjësisht tek rrethrrotullimi pranë Tregut të Gjelbër, shkruan gazeta KOHA. Në këtë pjesë të qytetit, sipas informatave, problemi është se uji nuk mund të shkojë në gypat tjerë të kanalizimit, kurse tërë uji orientimin e ka në këtë vend, prandaj edhe krijohet kjo situatë.
Ekipet e Njësisë së zjarrfikësve dhe Ndërmarrjes Publike Komunale kanë dalë menjëherë në terren për të liruar kanalizimet. Pas intervenimit, me automjetet e tyre kanë liruar të gjithë tubat e kanalizimeve, edhe pse shiu ishte shumë i fuqishëm nuk arriti të bllokojë rrugët e Tetovës. Problemet e kësaj natyre janë shfaqur edhe në afërsi të Kazermës së qytetit, ku edhe kësaj radhe problem ka qenë kanalizimi atmosferik.
Lidhur me këto probleme, Arsim Nuredini nga Sektori për tokë ndërtimore në Tetovë, thotë se brenda mundësive kanë intervenuar në pjesët ku zakonisht ndodhin këto problem me kanalizimin atmosferik. Ai sqaroi se për tek pjesa afër Kazermës ka qenë problem teknik për shkak se është mbyllur puseta nga njerëz të panjohur dhe uji nuk ka mundur të depërtojë në kanalizim. Sipas tij, në pjesën tjetër tek Tregu i Gjelbërt, problemi është se duhet të ndërrohet një gyp dhe për këtë pjesë është paraparë që të riparohet.
Në ndërkohë, probleme janë shfaqur edhe në rrugën 172, e cila shumë shpejt është rregulluar dhe asfaltuar. Por në këtë rrugë, e cila vite me radhë ishte lënë pas dore dhe në mëshirë të fatit, sot edhe pse është asfaltuar – megjithatë problemet me kanalizimin janë duke e shkatërruar. Sipas banorëve në këtë pjesë të qytetit, ka qenë një kanal i vogël që ka mbledhur ujërat sipërfaqësor kur ka patur reshje, por që është përdorur edhe për ujitje.
Sot, ai kanal është futur në gypa dhe janë mbuluar për shkak të asfaltimit, dhe ai gyp tashmë zihet shumë shpesh duke krijuar edhe vërshime të tjera në këtë pjesë të Tetovës, gjegjësisht në Reçicë të Vogël. Pas situatës së krijuar me kanalizimin atmsoferik, ka reaguar edhe Lëvizja Eco Guerilla, e cila akuzoi komunën për shkak të përsëritjes së këtyre problemeve.
“Çdoherë kur kemi reshje të shiut me intensitet më të madh, përmbajtja e kanalizimit fekal dhe atij atmosferik dalin nëpër rrugët para shtëpive tona, për arsye të mospastrimit të kanalizimeve. Komuna vite me radhë është treguar e paaftë dhe e painteresuar të përballet me këtë problem edhe pse qytetarët vazhdimisht janë ankuar dhe kanë kërkuar zgjidhje urgjente. Një ditë pasi ndalet shiu, mbetjet fekale ngelin në sipërfaqe dhe asnjëherë nuk pastrohen me ujë. Këto fëlliqësira pastaj ne i bartim brenda shtëpive tona, ndërsa fëmijët ecin dhe luajnë nëpër këto rrugë, të cilat paraqesin burim të infeksioneve të shumta. Ky është turpi i radhës me të cilin qytetarët e Tetovës duhen të përballen çdo herë kur bie shi. A është kjo Komuna që duam?!”, thuhet në reagimin e Eco Guerillës.
Pas shfaqjes së problemeve me kanalizimin atmosferik në Tetovë, gjatë reshjeve, me qëndrim kanë dalë edhe autoritetet e Ndërmarrjes Publike Komunale në Tetovë. Sipas tyre, gjatë dhjetë viteve të kaluara është rritur dukshëm numri i kyçjeve në rrjetin aktual të kanalizimit dhe kjo ka bërë që të ketë problem.
Nga kjo ndërmarrje arsyetohen se problemi tek Kazerma e qytetit është se rrjeti i kanalizimit edhe pse ka përfunduar, problemet shfaqen kohë pas kohe. Ndryshe, janë disa rrugë dhe lagje të Tetovës që vazhdimisht vërshohen nga kanalizimi fekal. Tashmë numri i shtëpive dhe ndërtesave dukshëm është shtuar dhe rrjeti i kanalizimit është i vogël për të absorbuar tërë ato ujëra që derdhen në këtë rrjet, prandaj edhe ndodhin vërshimet në disa pjesë. (koha.mk)