Prishtinë, 1 qershor – Krerët e shtetit në Kosovë nuk janë ndër zyrtarët më të paguar në vend. Ata që marrin paga më të larta janë udhëheqësit e ndërmarrjeve publike dhe agjencive të ndryshme të cilët paguhen prej 3 mijë deri në mbi 5 mijë euro në muaj.
Më mirë i paguar edhe më tej është drejtori i Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (Trust), Adrian Zalli. Ai vazhdon të marrë pagë mujore 15 herë më të lartë se paga mesatare në vend. Zalli pagë mujore merr 5 mijë e 213 euro ose 62 mijë e 567 euro në vit, publikoi mbrëmë emisioni “Frontal” T7.
I dyti në listë pas Zallit, pagën më të lartë e ka kryeshefi ekzekutiv në Telekomin e Kosovës, i cili merr 4 mijë e 451 euro. Aktualisht këtë pagë po e merr ushtruesi i detyrës së menaxherit të Telekomit, Zeqir Kiqina. Ndërsa i treti dhe i katërti janë guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti merr pagë mujore 4 mijë e 301 euro ose 51 mijë euro pagë vjetore. Pas guvernatorit renditet ushtruesi i detyrës së drejtorit menaxhues në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Avni Jashari, i cili fiton afro 4 mijë euro në muaj ose pagë vjetore 47 mijë e 749 euro.
Fare keq nuk qëndron as Sejdi Hoxha, kryeshef i Postës së Kosovës, i cili merr pagë mujore 3 mijë euro.Edhe Bahri Nuredini, kryeshef në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës merr pagë mujore 2 mijë e 970 euro, kurse drejtori menaxhues i Korporatës Energjetike të Kosovës Arben Gjukaj ka pagë mujore 2 mijë e 413 euro.
Madje pas tyre vijon Presidenti i Kosovës, me pagën mujore 2 mijë e 800 euro, kurse kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, 2 mijë e 724 euro.
Larg pas tyre është Kryetari i Qeverisë të Kosovës, Ramush Haradinaj aktualisht merr 1 mijë e 443 euro në muaj.
Menjëherë pas hyrjes në pushtet, ai tentoi të ia dyfishoj pagën vetes, kabinetit qeveritar dhe këshilltarëve e disa zyrtarëve të stafit të tij, me arsyetimin se është e pa kuptimtë që kryeministri të ketë rrogën 1.300 euro duke e marrë parasysh përgjegjësinë politike që e ka.
Mirëpo, ky vendim ishte pezulluar pas konstatimit nga Agjencia kundër Korrupsionit se rritja e pagave është konflikt interesi, që do të duhej trajtuar sipas ligjit në fuqi. Çështja tashmë është në duart e Gjykatës Kushtetuese, e cila ende nuk e ka dhënë mendimin e saj nëse kjo rritje është e ligjshme apo jo.