Importet e telefonave në Shqipëri kanë shënuar të dytin vit radhazi me rënie dyshifrore, sipas të dhënave nga Comtrade, që i referohet të dhënave doganore.
Importet e telefonave kanë shënuar rënie në 2017-n në vend. Vlera e importeve për telefonat ishte 32.8 milionë dollar, duke shënuar një rënie me rreth 27% për të dytin vitin me radhë. Vlera e importeve të telefonave në 2016-n ishte rreth 45 milionë dollarë, rreth 33% më pak se në 2015-n.
Pjesa më e madhe e tyre, sipas të dhënave të doganës, vijnë nga vendet aziatike. Vlera e importeve nga Kina ishte 18.5 milionë dollar, apo rreth 56% e vlerës totale të importeve. Vendi i dytë për vlerën më të lartë të importeve ishte Vietnami, me rreth 8.4 milionë dollar. Të dy këto vende së bashku përgjigjen për rreth 82% të totalit të importeve.
Në vend të tretë për sa i përket importeve të telefonave është Italia. Nga vendi fqinj në 2017-n ne importuam rreth 1.2 milionë dollarë telefona, pasur me një diference të ngushtë nga Republika e Koresë me 1.17 milionë dollar.
Telefonat e importuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin një vlerë prej 794 mijë dollarësh dhe pesha ndaj totalit të importeve zë vetëm 2% të totalit.