“Në Itali ka më shumë përqendrim në mbrojte se në sulm dhe ai e di këtë gjë, pasi që ai është lojtar i mençur”, ka shtuar Allegri
Shterpësia e Cristiano Ronaldos në Serie A të Italisë po vazhdon edhe më tutje. Superylli portugez ka dështuar të gjejë golin me Juventusin edhe në ndeshjen e tij të tretë zyrtare. Ronaldo ndonëse luajti tërë ndeshjen ndaj Parmës të shtunën mbrëma, nuk arriti të shënonte. Skuadra e tij triumfoi 2:1 në udhëtim, transmeton “Koha Ditore”. Ronaldo nuk kishte shënuar gol as në ndeshjet ndaj Chievos dhe Lazios, të cilat po ashtu Juve i fitoi. Ylli portugez gjatë ndeshjes ndaj Parmës mori edhe një goditje nga mbrojtësit kundërshtarë dhe shihej me sy të mavijosur.
“Ai është lojtar i madh dhe do të shënojë, pasi ai është shumë i rëndësishëm për këtë skuadër. Ishte i pafat kësaj radhe, por ne do ta ndihmojmë atë dhe ka mjaft kohë. Ai ishte pak i mërzitur që nuk arriti të shënonte, por do të vijnë golat”, ka thënë mesfushori francez i Juventusit, Blaise Matuidi, që realizoi golin e fitores për skuadrën torineze.
Po dje, trajneri i Juventus, Masimiliano Allegri ka komentuar formën e Ronaldos që nga ardhja e tij në Juventus dhe faktin që ai ende nuk ka shënuar gol. Këtë gjë ai e sheh si normale duke mos pritur nga portugezi të shënojë gola sa ka shënuar në Spanjë. ”Në Itali është më e vështirë të shënohen 40 gola”, është shprehur italiani.
Ai tregoi dallimin e futbollit italian me ligat e tjera. “Në Itali ka më shumë përqendrim në mbrojte se në sulm dhe ai e di këtë gjë, pasi që ai është lojtar i mençur”, ka shtuar Allegri. 51 vjeçari u shpreh se është i kënaqur me performancën lojtarit më të mirë në botë në fitoren ndaj Parmas. Trajneri i Juventusit, është shprehur se nuk shqetësohet për këtë shterpësi të Ronaldos, që erdhi në Itali si golashënues rekordmen i Real Madridit. Ai u transferua nga skuadra madrilene për 117 milionë euro. Ronaldo nuk ka shënuar gol në tre ndeshjet e para të Zonjës së Vjetër në Serie A.