Nëse shqyrtohet mundësia që fermat e bujqve të transferohen jashtë fshatrave, atëherë duhet që shteti në mënyrë serioze të ndihmojë në kyçjen e re të rrymës që kushton nga 8 deri 10 mijë euro, të mbulojë harxhimet e furnizimet me ujë, si dhe të rivlerësojë subvencionet për lopë dhe dele
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 24 shtator – Fermerët e Maqedonisë nuk mund të bëhen më evropian se fermerët në Evropa. Kështu vlerësohet paralajmërimi për legalizimin e fermave bujqësore e që nënkupton edhe zhvendosjen e fermave jashtë kufijve të fshatrave të banuar, ku pjesa më e madhe janë momentalisht. Një pjesë e përfaqësuesve të bujqve në vend thonë se në këtë mënyrë, faktikisht mjediset rurale po trajtohen si urbane, shkruan gazeta KOHA.
Sipas anëtarit të Këshillit drejtues së Federates së Fermerëve të Maqedonisë, Memet Sinani, madje edhe në Zvicër apo Gjermani, të gjithë e dinë se çfarë prodhimtarie serioze bujqësore kanë, punojnë fermat midis fshatrave duke mos i penguar askujt. Gjithashtu, ata fitojnë edhe ndihmën e madhe të shtetit lidhur me infrastrukturën e nevojshme për ekzistimin e tyre.
“Ne dëshirojmë të bëhemi më Evropë se Evropa nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër, na mungojnë kushtet themelore për këtë gjë. Nëse shqyrtohet mundësia që fermat e bujqve të transferohen jashtë fshatrave, atëherë nevojitet që shteti në mënyrë serioze të ndihmojë në kyçjen e re të rrymës që kushton së paku 8 deri 10 mijë euro, të mbulojë harxhimet e furnizimit me ujë për shkak se fermerët thjeshtë nuk kanë mundësi të paguajnë këto harxhime për fermat e reja e kështu me radhë”, thekson për KOHA, Sinani. Ai përshëndet pagesat deri në fund të subvencioneve për fermerët, por megjithatë shton se nevojitet të rishqyrtohet shpërndarja e subvencioneve në favor të rritjes së cilësisë së prodhimtarisë bujqësore dhe blegtorale.
“Nevojitet të ndryshohet metodologjia e pagesës së subvencioneve për prodhimin e grurit në bazë të sasisë së dorëzuar tek grumbulluesit, dhe jo sipas hektarit të tokës. Kjo do të anulojë një anomali ku prodhuesi i grurit në Pellagoni për 7000 deri 8000 kilogramë fiton nga 1 denarë për kilogram, ndërsa prodhuesit në Ovçe Pole për shembull ftojnë për 1000 deri 1200 kilogramë nga 8-9 denarë për kilogram”, shton Sinani.
Nevojitet të rriten edhe subvencionet për kultivuesit e lopës në raport me kultivuesit e dhenve.
“Përllogaritet se një lopë është e barabarte me dhjetë dele. Si ka mundësi atëherë që për një lopë të fitohen 40 euro subvencion, kur ajo ka vlerën e 700 deri 800 euro, ndërsa për një dele që ka vlerën prej 70 deri 80 euro, të fitohen 16 euro subvencione. Andaj, ky raport për subvencionet duhet të ndryshohet në 15 euro për një dele dhe 150 euro për një lopë”, shpjegon Sinani nevojën që më shumë të mbështeten kultivuesit e lopëve në Maqedoni.
Lidhur me problemet e tjera me fitimin e subvencioneve, ai thotë se shpesh shteti nuk ka faj që bujqit punojnë nga dhjetë hektarë tokë të huaj, ndërsa marrin subvencione vetëm për dy hektarë tokë që i kanë në pronësi të tyre. Andaj, vetë bujqit duhet të angazhohen të zgjidhin çështjet e tyre pronësore-juridike me qëllim që në mënyrë maksimale të shfrytëzojnë subvencionet për tokën bujqësore që e punojnë. Sinani më tej shton se shteti duhet më shumë të kontrollojë se sa subvencionet shkojnë në duart e fermerëve të vërtetë dhe sa tokë shtetërore me qira ju ndahet bujqve që me të vërtetë jetojnë nga bujqësia apo atë e kanë veprimtari kryesore ekonomike.
Ndryshe, idenë për zhvendosje të fermave jashtë kufijve të fshatrave të banuar e kanë hedhur si mendim përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë, pasi sipas tyre, fshatrat do të modernizoheshin dhe do të rritej mundësia për kultivim, kryesisht të blegtorisë më rahat dhe pa i penguar askujt.
Nga kjo ministri kanë kumtuar gjithashtu se deri më 1 shtator të këtij viti, janë paguar 99 për qind e subvencioneve të vitit të kaluar, apo me fjalë të tjera – bujqit kanë fituar 6.8 miliardë denarë, ndërsa ka paralajmërime se subvencionet do të rriten edhe më shumë vitin e ardhshëm. (koha.mk)