Në jetën time nuk kam pasur ditë në të cilën kam sjellë vendim më të madh dhe më të rëndësishëm për fëmijët e mi, për familjen time, por edhe për të gjithë qytetarët. Edhe në jetën private edhe në jetën zyrtare. Këtë sot e deklaroi zëvendëskryeministri i Çështjeve Evropiane Bujar Osmani pasi votoi në referendum në vendvotimin SHF “Adem Jashari” në Komunën e Çairit.
“Ditë më të rëndësishme për vendim më të rëndësishëm nuk kam pasur as unë, mendoj as gjenerata ime nuk ka pasur ditë më të rëndësishme. Ditë që vendoset ardhmëria në kontrastet më të fuqishme të vendimit, jo në nuancat më pak të mira apo më pak të këqija. Por pikërisht sot i caktojmë orientimet e shtetit, të ardhmërisë”, tha Osmani. Sipas tij, qytetarët janë të vetëdijshëm për vendimin që e sjellin dhe sot në mënyrë masive do të dalin prej të gjitha bashkësive etnike dhe prej të gjitha gjeneratave.
“Dita e sotme është e papërsëritshme. E papërsëritshme për shkak mundësisë që e ofron. Nuk do të kemi ditë tjetër në gjeneratat e ardhshme e cila do na ofrojë mundësi të tillë ta konfirmojmë ardhmërinë e gjeneratave të cilat vijnë në paqe dhe në mirëqenie ekonomike”, shtoi Osmani.