Miralem Pjanic konsiderohet si njëri prej mesfushorëve më të mirë sot në botë. Por gjithçka do të mundë të kishte shkuar ndryshe nëse familja e tij nuk do të shpërngulej në Luksemburg pak para luftës së Bosnjës. Ylli i Juventusit tregon se si lotët e tij si fëmijë ia kishin mundësuar familjes së tij largimin nga Bosnja në drejtim të Luksemburgut dhe shpëtimin nga lufta. Fahrudin Pjanic e dinte se lufta ishte afër, shkruan sot gazeta Zëri.
Si futbollist i FK Drina Zvornikut në kategorinë e tretë të futbollit jugosllav, ai udhëtoi mjaftueshëm përreth vendit për të parë rritjen e tensioneve politike në fillimin e viteve të ’90-ta. Si baba i një fëmije të sapolindur, Miralemit, instinkti i tij i thoshte që të largohej me familjen para se të ndodhte më e keqja.
Miqtë të tij në Luksemburg bënë që ai të ketë një kontakt me klubin gjysmëprofesionist, Schifflangem, i cili i ofroi një kontratë të pjesshme dhe do ta ndihmonte të gjente një punë për t’i paguar faturat. Sidoqoftë, për ta shfrytëzuar këtë mundësi Fahrudinit i duhej leja e Zvorniku dhe dokumentacioni i kërkuar për të udhëtuar. Ai shkoi dy herë që të flasë me sekretarin e klubit dhe dy herë u largua i dëshpëruar. E zhgënjyer gruaja e tij Fatima shkoi ta provonte vetë rastin, duke e mbajtur në krahë beben e saj.
Miralem Pjanic ishte shumë i ri për të kuptuar se çfarë ishte duke ndodhur, por historia i është treguar nga familja e tij. “Nëna ime donte shumë të largoheshim, por prapëseprapë klubi tha jo. Pastaj unë fillova të qaja. Kjo e mërziti aq shumë sekretarin saqë ai më në fund tha, ‘Në rregull, do ta bëj vetëm për këtë fëmijën e vogël’”, tregon Pjanic.
Ai fëmijë tani është 28-vjeçar dhe është njëri prej futbollistëve kyçë të Juventusit. Këta lot ia kanë ndryshuar jetën atij, duke ua mundësuar prindërve të tij udhëtimin drejt Luksemburgut, ku ai u rrit i sigurt derisa qindra të tjerë boshnjakë si ai ishin vrarë në Zvornik dhe qindra të tjerë ishin larguar nga shtëpitë e tyre.
I ulur rreth tavolinës në një zyre të Juventusit ai e kujton se nëpër çfarë kishin kaluar prindërit e tij.
“Ata ishin ende shumë të rinj, 20, 22-vjeçar dhe shkuan në drejtim të një shteti të ri, ku nuk e dinin fare gjuhën, me dy ose tri valixhe. Ata e filluan nga zeroja dhe arritën të krijonin një familje të dashur, që ende është e bashkuar edhe pas 27 vjetësh duke jetuar aty. Është një gjë e bukur. Sot ata jetojnë mjaft mirë në Luksemburg. Unë kam një motër dhe një vëlla, që janë duke u rritur mjaft mirë. Prindërit e mi janë një shembull për mua, me atë se çfarë kanë arritur të bëjnë nga asgjëja”, shprehet boshnjaku.
Fahrudin punonte gjatë ditës dhe Fatima gjatë natës, kështu që njëri prej tyre të ishte i lirë për t’u kujdesur për djalin e tyre. Për Miralemin kjo bëri që ai të shkonte çdo ditë në stërvitje të Schifflanges. Ai tregon se si e ndihmonte babanë e tij ta mbushë çantën e tij me pajise sportive, një detyrë që mund të imagjinohet nga fëmijët e tjerë si një punë e mërzitshme, por mënyra se si e tregon ai duket sikur është njëri prej privilegjeve më të mëdha në botë.
“Babai im ishte mesfushor, si unë dhe ai ishte mjaft i mirë gjithashtu. Kur e shihja duke luajtur derisa rritesha mund të vëreja se ai me të vërtetë dinte të luante. Ai nuk i kishte të gjitha mundësitë për t’u zhvilluar dhe për të pasur një karrierë të madhe si unë, por ai bëri çfarë mundi. Gjithashtu objektivi i tij ishte që të largohej nga një vend ku familja e tij ishte në rrezik. Futbolli nuk ishte më gjëja më e rëndësishme”, thotë ai.
Pjanic ka bërë mirë me potencialin e tij, duke u zhvilluar nga të rinjtë e Schifflanges te Metzi, Lyoni, Roma dhe tani te Juventusi. Në Itali ai e ka nofkën “Il Pianista” (Pianisti). Për shkak të prezencës së tij në fushë që është si një lloj rregullatori i lojës, duke luajtur në mes në mënyrë që të ndihmojë solistët rreth tij që të arrijnë shkëlqimin e tyre.
“Unë nuk mund të bëj stile me top ose të shtyhem. Nuk jam shumë i interesuar për këtë. Jam më shumë i interesuar në lojën e thjeshtë sepse është ajo që e bën këtë sport kaq të bukur. Gjërat më të thjeshta ndonjëherë janë më të vështirat. Jogjithkush mund t’i bëjë ato. E kam pasur fatin e mirë që të shoh lojtarë si Zidane, Xani, Iniesta, Pirlo nga afër. Ata të gjithë bënin gjëra të thjeshta për ekipin. Ata bënin që e gjithë ekipi të luante mirë duke bërë gjëra të thjeshta, që nuk vërehen gjithmonë. Ato e reflektojnë atë që po ndodh dhe ua bëjnë më të lehtë jetën personave afër tyre”, shprehet 28-vjeçari.
Të folurit për stilet me top na kujton Cristiano Ronaldon, i cili është transferuar te Juventusi gjatë verës.
“Por nëse e shikoni Ronaldon kur ishte në Manchester dhe Ronaldon që më pas u bë futbollisti më i mirë në botë, ju mund të shikoni se si ka ndryshuar loja e tij. Loja e tij është bërë më korrekte. Kam dëgjuar për shumë gjëra që ai (Ronaldo) i ka thënë për Paul Scholesin dhe se si është stërvitur ai. Të gjithë flasin për Scholesin si për një të jashtëzakonshëm, por jo sepse ai bënte budallallëqe, por për shkak të gjërave të thjeshta, ai e bëri veten të veçantë. Unë mendoj se Ronaldo ka mësuar nga lojtarë të tillë”, thotë Pjanic.
Pjanic ka pasur bashkëlojtarë të jashtëzakonshëm për t’i studiuar. Ndoshta ai me më shumti ndikim ishte Juninho Pernambucano, i cili konsiderohet nga shumëkush si gjuajtësi më i mirë në histori i gjuajtjeve të lira. Pjanic luajti me të për një vit në Lyon si adoleshent, duke pasuar fanellën me numrin tetë më pas dhe madje edhe tani ata kontaktojnë rregullisht mes vete.
“Sinqerisht, dallimi mes Juninhos dhe lojtarëve të tjerë nuk është se ai mund të godiste cakun, porse kur e bënte Juninho zakonisht topi përfundonte brenda. Kjo ishte arsyeja pse Juninho ishte numri 1 për gjuajtjet e lira sepse ai ishte konkret. Gjuajtjet e tij të lira përfundonin gjithmonë në rrjetë ose si asistim”, shprehet mesfushori.
Pjanic ka 15 gola në Serie A nga goditjet e lira që prejse i është bashkuar Romës në vitin 2011. Sidoqoftë, mundësitë e tij janë limituar që prej ardhjes së Ronaldos në Torino. Rregulli i pashkruar thotë se kushdo që e ndien gjuajtjen e merr topin, por portugezi nuk është se ka bërë edhe aq mirë deri më tani. Nëse Pjanic nuk është i kënaqur me këtë marrëveshje, ai bën një punë për ta fshehur këtë. Ai është duke e shijuar futbollin dhe sukseset. Ai kurrë nuk kishte fituar ndonjë titull të madh para se të bashkohej me Juventusin në vitin 2016, por ai ka fituar dy herë radhazi titullin dhe kupën në Torino.
“Më pëlqen t’i shoh skuadrat që luajnë mirë me topin në tokë, me topin në këmbë, duke luajtur mirë kolektivisht. Napoli ka luajtur futboll të bukur gjatë kohëve të fundit. Por një titull, një kupë, festa me skuadrën tuaj, i bën tifozët e lumtur, ky është shpërblimi për punën e madhe që bën. Diçka që duhet të bëni në vazhdueshmëri. Kur luani mirë dhe nuk fitoni në fund ju lodheni. Keni humbur diçka. Keni humbur kohë”, thotë ai.
Liga e Kampionëve është një kompeticion që i mungon Juventusit në këtë epokë, derisa ka humbur dy finale në katër vjetët e fundit.
Pjanic ishte pjesë e ekipit që humbi 4:1 nga Real Madridi në vitin 2017. Ronaldo shënoi dy herë atë ditë dhe ardhja e tij në Torino ka sjellë optimizëm se ky trofe mund të arrijë më në fund.
“Liga e Kampionëve ka qenë gjithmonë e rëndësishme për Juventusin. Është një objektiv për ne që të arrijmë në fund, ta fitojmë të gjithin. Ne kemi shumë kualitet dhe besojmë në këtë grup. Sidoqoftë, hap pas hapi objektivi ynë momental është të përfundojmë të parët në grup”, ka përfunduar Pjanic.