Nuk ka fjalë për vepra. Skuadra e Barcelonës kërkon të realizojë blerjen më të shtrenjtë të historisë së futbollit, duke ofruar 200 milionë stërlina (254 milionë dollarë) për sulmuesin e Tottenham, Harry Kane. Transferimi do të kryhet verën e ardhshme. Lajmin e ka konfirmuar sot e përditshmja britanike “The Daily Star”, sipas së cilës palët kanë nisur që tani kontaktet e para, për të mbyllur gjithçka në pranverë, me 25-vjeçarin që do të largohet nga Premier League, aty ku prej disa sezonesh është golashënuesi më i mirë.
Barcelona kërkon një sulmues të ri dhe me përvojë në arenën ndërkombëtare, që të zëvendësojë 32-vjeçarin Luis Suarez, që tashmë është në fund të karrierës së tij. Dhe Harry Kane i plotëson të gjitha kriteret për të qenë kandidati kryesor, madje i vetëm për të luajtur me Barcelonën në La Liga. Spurs do të jenë të detyruar të pranojnë ofertën e skuadrës “blaugrana”, duke parë vështirësitë financiare që kanë nga investimi që kanë kryer për ndërtimin e stadiumit të ri. Harry kane është edhe kapiteni i kombëtares së “3 luanëve”.