Shkup, 18 dhjetor – Familja Zymberi nga fshati Sllupçan i Komunës së Likovës nëpërmjet një reagimi drejtuar mediave, është distancuar nga homazhet në varrezat e dëshmorëve të Stojançe Angellov, ish-komandant i njësitit ushtarak “Luanët” në vitin 2001, i cili i shoqëruar nga Abedin Zymberi, vëri lule te varrezat e civilëve të vrarë nga kjo familje. Në reagim, ku janë firmosur emrat e familjarëve që kanë humbur anëtarë nga familja Zymberi, thuhet se prania e Angellovit në varreza dëmtojnë autoritetet e familjes dhe vlerat e arritura nga gjaku i dëshmorëve të UÇK-së.
Më poshtë mund ta lexoni reagimin e plotë të familjes Zymberi nga fshati Sllupçan:
“Familja Zymberi dhe ish-ushtarët e UÇK-së, të afërmit nga gjaku dhe bashkëqytetarët e fshatit Sllupçan e dënojmë ashpër dhe distancohen nga veprimi i fundit i Abedin Zymberit, i cili kokë më vete, duke mos analizuar veprimin e tij të pamatshëm dhe shumë nënçmues ndaj familjes, ndaj vlerave të luftës, i njëjti veproi në degradimin e më sublimes dhe të shenjtës, me çka solli për homazhe një njeri me dosje kriminale, i cili njihet mirë në shoqërinë shqiptare dhe më gjerë. E dënojmë ashpër veprimin e pamatshëm dhe të pamenduar fare nga Abedin Zymberi, ndërsa distancohemi dhe nga i njëjti kërkojmë që në të ardhmen mos të veprojë dhe të merret me veprime të cilat janë në kundërshtim me vlerat humane, veprime të cilat dëmtojnë autoritetin e familjes, dëmtojnë vlerat e arritura nga gjaku i derdhur i ish-ushtarëve të UÇK-së, dëmtojnë të kaluarën e dhimbshme dhe të hidhur të rajonit në rrethin e Kumanovës. Shpresojmë dhe dëshirojmë të besojmë se veprime të tilla nuk do të përsëriten në të ardhmen”.