Bashkimi Demokratik për Integrim në bashkëpunim me VMRO-DPMNE-në dhe LSDM-në, zgjodhën sot Kryetarin e ri të Këshillit në Komunën e Çairit. Kryetar i ri i Këshillit u zgjodh këshilltari i BDI-së, Zahir Bekteshi. Më herët flitej se Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa kishin siguruar votat e nevojshme për ta marrë kryesuesin e Këshillit dhe të njëjtë u akuzuan nga ana e BDI-së për gjoja bashkëpunim me VMRO-në. Ndërkaq BDI-ja edhe kur e shkarkoi ish kryetaren e Këshillit e bëri me ndihmën e VMRO-së dhe sot kryetarin e ri përsëri e zgjodhi me ndihmën e VMRO-së. Kjo ka bërë që këshilltari i Aleancës për Shqiptarët, Fatih Qaili të reagojë për këtë zgjedhje.
“Të nderuar qytetarë, të nderuar këshilltar, i nderuar përfaqësues i OSBE-së.
Në tentativën e parë për ta zgjedh kryetarin e këshillit, në kohën kur koalicioni Aleancë me Besë numëronte votat e mjaftueshme, padrejtësisht akuzoheshim se jemi në koalicion me VMRO-në. Të ju përkujtojmë se shkarkimi i ish-kryetares së këshillit u bë pikërisht me ndihmën e VMRO-së.
Tani ju pyesim përzgjedhja e kryetarit të ri a do të bëhet falë bashkëpunimit të ngushtë VMRO-BDI?” – foli nga foltorja e Këshillit të Çairit, Fatih Qaili nga Aleanca për Shqiptarët.