Shkup, 5 mars – Kandidatët për president të Republikës deri te KSHZ-ja duhet të dorëzojnë kandidaturat më së voni deri më 21 mars, ndërsa fushata zgjedhore duhet të fillojë më 1 prill.
Për zyrtarizimin e kandidaturës presidenciale nevojitet që pretendentët për shef të shtetit të dorëzojnë 10 mijë nënshkrime të qytetarëve ose 30 nënshkrime të deputetëve.
Nga KSHZ pohojnë se për zgjedhjet e gjashta presidenciale për momentin nënshkrime mbledhin shtatë kandidatë dhe se deri tani vetëm kandidatja e VMRO-DPMNE-së, profesoresha Gordana Siljanovska- Davkova ka mbledhur nënshkrimet e nevojshme.
Ende është e pasigurt nëse kandidati i përbashkët i LSDM-së dhe BDI-së, Stevo Pendarovski deri te KSHZ do të dorëzojë nënshkrime të qytetarëve ose nga deputetët. Nga LSDM thonë se mendojnë për të dyja variantet.
Nënshkrime për pjesëmarrje në zgjedhjet presidenciale mbledh edhe Blerim Reka të cilin e mbështet Aleanca e Shqiptarëve dhe BESA.
Nënshkrime për kandidaturë mbledhin edhe disa pretendentë për funksionin president të shtetit.
Mbledhja e nënshkrimeve ka filluar më 23 shkurt, ndërsa përfundon më 9 mars. Dorëzimi i kandidaturave përfundon më 21 mars.
Më 14 mars skadon afati për mbikëqyrje në listën zgjedhore dhe paraqitja për votim e diasporës. Deri tani janë regjistruar vetëm 413 qytetarë të Maqedonisë që të drejtën e tyre do ta realizojnë në përfaqësitë diplomatike- konsullore të vendit.
Ndryshe, rrethi i parë zgjedhor për zgjedhjet e gjashta presidenciale është caktuar më 21 prill, ndërsa rrethi i dytë më 5 maj. (koha.mk)