Fisnik PASHOLLI
Shkup, 13 shkurt – Edhe pse në Maqedoni ekzistojnë brende të caktuara që shiten si në tregjet rajonale, por edhe më gjerë, megjithatë numri i tyre është shumë i vogël për të sjellë përftime më të mëdha për eksportin e shtetit dhe ekonominë në përgjithësi, shkruan gazeta KOHA. Sot ekzistojnë brende vendore që krahas në tregun vendor kanë arritur të pozicionohen në tregjet e jashtme, siç janë verat e Bodrumit Tikvesh, brendi “Bekutan” i Alkaloidit, ajvari “Mamas” etj, që kanë arritur sukses në treg, por shembullin e tyre e ndjekin pak kompani vendore. Suksesi i këtyre kompanive tregon se megjithatë krijimi i brendeve, sjellin të ardhura më të mëdha për kompanitë. Ekonomistët thonë se edhe po të shikohet struktura e eksportit vendor, shumë pak prodhime posedojnë teknologji të lartë, inovacion apo ide të re. Në kushte kur eksportoni lëndë të para, gjysmë prodhime apo qepni për kompani të huaja në industrinë e tekstilit është vështirë të krijohet brend. Nga ana tjetër, edhe 25 vite pas shkatërrimit të ish shtetit jugosllav u humbën edhe brendet dikur të njohura të Maqedonisë që shiteshin edhe tregjet botërore, sidomos nga industria e tekstilit, kimisë dhe këpucëve si ato të Oteksit, Struzhankës, Gazelës Ohisit etj. Vlerësohet se tregu i vogël paraqet një nga kufizimit e ndërtimit të brendit, për shkak se prodhimet duhet të jenë më shumë prezent në tregjet e jashtme që të ofrohet mundësia të krijohet brend. Sipas ekspertes së marketingut, Rosana Ivanova, ndërtimi i brendit më nuk paraqet zgjidhje, por domosdoshmëri për shkak se prodhimet që prodhohen janë shumë të ngjashme midis tyre dhe vështirë dallohen njëri prej tjetrit. “Ngecim në krijimin e brendeve në raport me shtetet e tjera, andaj shitja e prodhimeve vendore në tregjet e huaja paraqet prioritet për shtetin. Gjithashtu edhe realizimi i efekteve financiare dhe mbijetesa e kompanive në pjesën më të madhe varen nga shfrytëzimi i llojeve të ndryshme të marketingut ku bën pjesë edhe brendimi si përparësi e rëndësishme konkurruese.
Në këtë drejtim, një rëndësi të madhe ka rritja e investimeve dhe konkurrencës, me çka do të mundësohet brendimi i prodhimeve të Maqedonisë“, thekson Ivanova. Afaristët thonë se Maqedonia ka potencial për ndërtimin e brendeve vendore, por ai pak shfrytëzohet, për shkak se shumica e komunitetit të biznesit në vend mendon, kryesisht për tregjet lokale, pak më shumë për tregjet rajonale dhe gati aspak me përjashtime të vogla për tregjet botërore. Sipas kryetarit të Biznes Konfederatës së Maqedonisë, Mile Boshkov, duhet që kompanitë të kuptojnë se me brendim dhe investimin në imazhin e prodhimeve dhe shërbimeve të tyre do të avancohet biznesi, më lehtë do të depërtojnë në tregjet e reja si dhe do të ecë përpara edhe ekonomia vendore. “Krijimi i një brendi të suksesshëm kërkon mjaft punë si dhe investime. Duhet të ketë edhe vizion të qartë për brendin në bazë të hulumtimeve reale për tregun. Para se brendi të eksponohet në treg, nevojiten edhe anketa serioze për target grupet në vend dhe rajon që të shikojë kompania se sa do të jetë ai prodhim tërheqës për konsumatorët”, thekson për KOHA, Boshkov.
Vlerësohet se krijimi i brendit paraqet një punë të rëndë, por jo edhe të pamundur për shkak se në suaza afatgjate dobia është shumë më e madhe se investimi dhe mirëmbajtja e cilësisë dhe standardeve të prodhimit. Shembujt e kompanive të suksesshme që vitet e fundit kanë promovuar brende të reja në Maqedoni dhe jashtë saj, siç janë për shembull kompania Tikvesh, Alkaloid, apo brendi i ajvarit “Mamass” që synon në mënyrë strategjike dhe afatgjatë të gjejë pozitën e tij në treg tregon se investimet në marketing dhe inovacione sjellin rezultat. Nën brend nënkuptohet emri, shenja, simbol apo dizajni me qëllim të identifikimit të produkteve apo shërbimeve të një kompanie dhe diferencimit të tyre nga produktet dhe shërbimet e konkurrencës. Ndryshe, sfidë në të ardhmen për kompanitë me potencial më të madh sidomos në sferën e ushqimit, bujqësisë dhe teknologjisë informatike mbetet krijimi i brendeve të fuqishme, me qëllim që kompanitë më lehtë të depërtojnë në tregjet e huaja dhe gjejnë vendin e tyre si brende të njohura apo si marka të njohura të mbrojtura, që do të pranohen në tregje të mëdha nga ana e konsumatorëve.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.