Problemi është se shumë mësonjëtore pikojnë, sidomos gjatë kohës me shi, ndërsa premtimet ishin se do të fillohet të punohet por në teren nuk ka asgjë konkrete. Nga Komuna e Tetovës kanë përsëritur qëndrimin se është bërë kërkesë në Ministrinë e Arsimit
Urim HASIPI
Tetovë, 29 prill – Edhe përkundër shumë premtimeve nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për rregullimin e kulmit në shkollën fillore “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në fshatin Xhepçisht të Tetovës, punimet ende nuk kanë filluar. Premtimet kanë qenë se së bashkë me sistemin fotovoltaik do të fillojë edhe rregullimi, megjithatë sistemet janë vendosur, kurse çatia nuk ka filluar të rregullohet, shkruan gazeta KOHA. Ndërtimi i këtij objekti tashmë është edhe lëndë e hetimit të inspektoriateve të arsimit dhe ndërtimit për shkak se nuk ka patur dokumentacion teknik gjatë pranim dorëzimit të objektit të rregulluar, pohojnë nga Komuna e Tetovës.
“Në objektin shkollor që është lëshuar në përdorim para 7 viteve, atëherë nuk kemi pasur ndonjë dokumentacion që e tregon pranimin teknik te dokumentacionit. Ne jemi drejtuar në MASH që të na dërgojnë komplet dokumentacionin në lidhje me këtë objekt shkollor , mirëpo pavarësisht kësaj, ne kemi angazhuar ekspertë që do ta bëjnë analizën e detajuar të objektit dhe do të ofrojnë zgjidhje që do të jetë një zgjidhje përmbajtësore që të kemi një zgjidhje rrënjësore të këtyre problemeve”, sqaroi Ahmet Qazimi udhëheqësi i sektorit për Arsim në Komunën e Tetovës. Nga ana tjetër, problemi është se shumë mësonjëtore pikojnë, sidomos gjatë kohës me shi, ndërsa premtimet ishin se do të fillohet të punohet por në teren nuk ka asgjë konkrete. Nga Komuna e Tetovës kanë përsëritur qëndrimin se është bërë kërkesë në Ministrinë e Arsimit. “Jemi në pritje të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Ne bëmë vlerësim nga ekspertët vlerësues dhe e dërguam, pasi kompetencat për investime kapitale janë të MASH- it. Kemi kërkuar që sa më shpejt të intervenohet”, tha Qazimi.
Nga Komuna njoftuan se sistemi fotovoltaik është vendosur, por në pjesën që nuk është problematike. “Me thënë të vërtetën edhe nga ana e shkollës edhe nga ana e Komunës është intervenuar disa herë me ç`rast është sanuar ky problem. Tani e kemi njoftuar edhe ministrinë ku nga ana e kësaj ministrie na është thënë që do të intervenohet menjëherë, ashtu që edhe nga ana e Komunës së Tetovës me përmirësimin e kushteve klimatike janë ndërmarrë masat që të intervenohet menjëherë, dhe ky problem që paraqitet disa herë në periudha të ndryshme të vitit të sanohet”, thotë Qazimi. Nga kjo shkollë kohë më parë njoftuan se ky problem është gati se 5 vite.
“Ky problem po na ndjek katër apo pesë vite. Me kalimin e kohës, Komuna ka bërë intervenime, por ato kanë qenë afatshkurtra, dhe ky problem neve po na përcjell çdo vit shkollor. Tash me reshjet e para kur do të vijnë, ne jemi të shqetësuar se mësonjëtoret do të pikojnë. Po ashtu kalon edhe nëpër rrjetin elektrik dhe paraqet rrezik për ndonjë problem më të madh për jetën dhe shëndetin e nxënësve. Ne si trup i shkollës, kemi bërë kërkesë deri tek Komuna, ata kanë intervenuar dhe ato intervenime nuk kanë qenë të mjaftueshme”, pohojnë nga kjo shkollë. Ky objekt shkollor, edhe pse nuk është shumë i vjetër, pasi që i njëjti është lëshuar në përdorim rreth 7 vite më parë, megjithatë nga pamjet duket qarte se për një periudhë kaq të shkurtër muret janë plasaritur, pullazi pikon ujë dhe ka nevojë që të rikonstruohet për të krijuar kushte më të mira dhe më të sigurta për nxënësit, pohojnë nga sektori për arsim në Tetovë. Kjo shkollë periferike numëron rreth 280 nxënës të fshatrave Poroj dhe Xhepçisht. Kohë më parë, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi kishte premtuar se do të rregullohet çatia e kësaj shkolle dhe se janë të informuar për problemin në fjalë. (koha.mk)