Juventus duket se nuk do të kursehet në merkaton e verës për të përmirësuar nivelin e ekipit. Pavarësisht fitimit të titullit të tetë radhazi në Itali, klubi torinez ka mbetur i zhgënjyer nga eliminimi i pësuar në çerekfinalet e Champions League, veçanërisht pas investimit të madh të bërë për të siguruar Cristiano Ronaldo-n.
Sipas të përditshmes italiane “Tuttosport”, drejtori sportiv i bardhezinjve, Fabio Paratici, ka finalizuar listën e objektivave kryesorë që do të ndiqen këtë verë. Pesë prej këtyre lojtarëve luajnë në mesfushë dhe emrat e tyre janë: Rabiot, Ndombele, Isco, Pogba dhe James Rodríguez.
I gjashti është një mbrojtës, për të cilin po interesohen klubet më të mëdha të Europës. Bëhet fjalë për yllin e Ajax-it, Matthijs de Ligt. Qendërmbrojtësi 19-vjeçar dukej se kishte zgjedhur të transferohej te Barcelona, por vendimi përfundimtar është lënë pezull, për t’u përqendruar tek Ajax-i dhe arritja e finales së Champions League.
Real Madrid do të luajë një rol kyç në realizimin e planeve të Juventus-it në merkaton e ardhshme, duke parë përfshirjen e Isco-s dhe James Rodriguez-it në listën e Paratici-t. Kthimi i Zidane në stolin e “Los Blancos”, do të thotë se spanjolli mund të ketë më shumë hapësira në ekip dhe largimi i tij është më pak i mundshëm në krahasim me disa muaj më parë.
Kolumbiani, nga ana tjetër, duket më i arritshëm. Fati i fantazistit, gjithsesi, është në dorën e Bayern-it. Bavarezët e kanë huazuar James për dy vite dhe kanë opsionin për ta blerë atë përfundimisht ose ta kthejnë në Spanjë. Ata mund të vendosin të arrijnë një marrëveshje me Juventus-in dhe të fitojnë diçka nga ky operacion.