Marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndonëse e pazbatuar, vazhdon të cilësohet nga Bashkimi Evropian si një nga të arriturat në procesin e gjatë të negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuara nga BE-ja.
Por, për këtë Asociacion, shumë pak flitet si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, pasi që autoritetet e të dyja vendeve janë më tepër të përqendruara në arritjen eventuale të një marrëveshjeje finale.
Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian, ka kritikuar institucionet e Kosovës dhe ka shprehur keqardhje që Marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe ende nuk është zbatuar nga autoritetet e Kosovës.
Këshilli ka kërkuar po ashtu që marrëveshjet e arritura në dialogun politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë zbatohen nga të dyja palët. Kryesisht bëhet fjalë për marrëveshje që ishin nënshkruar në fazën e hershme të bisedimeve, qysh në vitin 2013.
Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës kanë deklaruar së fundmi se nuk do të themelohet kurrfarë Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë, përderisa nuk arrihet edhe një marrëveshje finale me Serbinë, ku Asociacioni mund të jetë një nga pikat e saj.