Mario Baloteli është në dyshim për të ardhmen. ‘SuperMario’ nuk ka vendosur nëse do të vazhdojë të luajë në Francë me Marsejën, apo të kthehet në Serinë A. Edhe pse rikthimi në kampionatin italian nuk do të ishte në njërën prej skuadrave të elitës, por bëhet fjalë për skuadrën e Parmës.
Sulmuesi është ëndrra e madhe e emilianëve për këtë afat kalimtar të merkatos, ndërsa mediat italiane shprehen se sulmuesi do të lirohet nga Marseja dhe Parma nuk do të ketë shpenzime për të paguar kartonin e lojtarit, megjithatë problem mbetet vetëm paga sezonale e Balotelit.
Klubi i parmës nuk mund t’ia lejojnë vetes shumën që përfiton 28-vjeçari dhe operacioni mund të kryhet vetëm nëse Mario pranon të ulë pretendimet e tij sezonale. Ka qenë vetë drejtori sportiv i Parmës, i cili u shpreh se klubi nuk mund të kondicionojë të gjithë merkaton prej Balotelit. Tashmë, topi kalon nga krahu i Balotelit, nëse sulmuesi do të sakrifikojë për t’u rikthyer në Itali.