Kumanovë, 30 korrik – Kryeministri Zoran Zaev sot në Kumanovë, deklaroi se është inkurajuar nga negociatat e djeshme të grupeve të punës për ligjin për prokurorinë publike, duke shtuar se janë rrumbullakuar dy punë dhe se është caktuar takimi i ardhshëm në të cilin do të debatohet për çështjet tjera të hapura mes të cilave edhe për njeriun e parë të prokurorisë.
“Do të bëjmë çmos që të ndërtojmë koncensus. Gjithsesi porositë paralele të cilat arrijnë nga ana e udhëheqësisë së lartë të VMRO-DPMNE-së se kot e kanë që punojnë grupet e punës kur në fund nuk do të ketë votim, nëse nuk ka zgjedhje të parakohshme, neve nuk do të na dekurajojë që të vazhdojmë të punojmë që t’i përafrojmë qëndrimet përmes grupeve të punës”, deklaroi kryeministri, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve gjatë lëshimit në përdorim të Qendrës Urgjente në Kumanovë,l transmeton Koha.mk
Zaevi theksoi se mbetet edhe më tutje optimist, ndërsa nëse opozita dëshiron zgjedhje të parakohshme, ato mund të mbahen në tetor të vitit 2020.
Ai shtoi se kjo është periudhë e pushimeve dhe në përgjithësi grupet e punës mund të punojnë derisa Parlamenti nuk kthehet më 26 gusht, kur formalisht mund të propozohet zgjidhja përfundimtare ligjore.
“Edhe një herë theksoj se linjat e kuqe nuk kemi të drejtë dhe nuk lejohet që dikush t’i kalojë, e kjo është garanci për të ardhmen e lëndëve, për të ardhmen e PSP-së, për strukturat ose standardet ndërkombëtare të sistemit të prokurorit publik të cilat janë vendosur në vetë ligjin dhe besoj se kjo kështu edhe do të mbetet”, deklaroi Zaev.
Ai theksoi se politikanët duhet t’i shmangin të gjitha mundësitë për zgjedhjen e kuadrove në gjyqësor, sepse len përshtypje të keqe kur do të ulen pushteti dhe opozita, të gjithë bashkë të zgjedhin gjykatë, prokuror, shef të gjyqësorit, shef të prokurorisë dhe ngjashëm.
Zgjidhja sipas kryeministrit është “elegante” dhe jep mundësi që këto çështje të zgjidhen pa pasur nevojë për përzierje të politikanëve. Në këtë mënyrë, theksoi Zaevi, lihet gjyqësori i pavarur që të përforcohet, në pavarësinë tij, transparencën, përgjegjësinë dhe llogaridhënien para qytetarëve dhe të ndajë drejtësi të njëjtë për të gjithë. (koha.mk)