Një gol nga ajri e një gol pas një dribli mi fantastik në zonë. Sindrit Guri ka vijuar formën e mirë edhe në ndeshjen e tij të parë zyrtare për këtë sezon (mungoi në të parën me Ostenden në kampionat për shkak dëmtimi) pas golave radhazi gjatë ndeshjeve miqësore.
Në një intervistë për “Panorama Sport”, futbollisti i Kombëtares tregon sekretin e formës së mirë, ndryshimet që ka pësuar ekipi në favor të tij me trajnerin e ri, besimin e këtij të fundit. Teksa vlerëson Hamdi Salihin si një ikonë në Kombëtare, i pyetur për trajnerin Reja dhe ndonjë kontakt nga ai, sulmuesi tregon se nuk ka marrë asnjë sinjal. Guri rrëfen jetesën në Belgjikë dhe festimin special te golat.
Guri, e nisët sezonin zyrtarisht me dopietë, çfarë do të thotë për ju?
Për mua ishte fillimi më i mirë i mundshëm dhe tani shpresoj që ta demonstroj në çdo ndeshje këtë formë të mirë. Dua të kem këtë ritëm gjatë gjithë kohës, sepse kjo është pjesa më e rëndësishme, të kem vazhdimësi.
Çfarë ka ndryshuar këtë sezon te ju, disa gola në miqësore dhe dopietë në startin zyrtar? Cili është sekreti i formës?
Mendoj se trajneri i ri ka sjellë edhe një mentalitet të ri në ekip. Ky mund të jetë edhe një lloj sekreti i kësaj forme. Por, edhe fakti që ky është viti i dytë dhe jam ambientuar plotësisht me kampionatin dhe me jetesën në Belgjikë.
Jeni penduar që zgjodhët Belgjikën dhe jo një kampionat edhe më të lehtë?
Nuk jam penduar fare dhe gjithmonë kam menduar që kam bërë zgjedhjen e duhur. Kam dashur gjithmonë të provoj veten në një kampionat të fortë dhe deri tani po ia dal më së miri. Shpresoj të vazhdoj kështu, sepse nuk jam i kënaqur me veten. Unë kërkoj që të arrij edhe më shumë, pse jo edhe një kampionat akoma edhe më të fortë.
Cilin synoni?
Të mbetemi te ky për këtë sezon, në të ardhmen dëshira të tjera.
Çfarë objektivi i keni vendosur vetes këtë sezon?
Të them të drejtën, një objektiv i kam vendosur dhe është edhe një sfidë me veten time. Dua që të arrij kuotën e 15 golave dhe shpresoj ta arrij.
Pas një sezoni jo shume të mirë si ai i vjetshmi, si mendoni t’i rivalizoni Sadikun, Cikalleshin dhe Balajn për Kombëtaren, duke qenë se jeni konsideruar shpesh si një Salihi i dytë te Shqipëria?
Unë shpresoj që ne sulmuesit të shënojmë sa më shumë, në mënyrë që trajneri i Kombëtares të mos e ketë problemin e mosshënimit të golave nga lojtarët e këtij reparti. Pastaj, pjesa tjetër është një zgjedhje e trajnerit dhe stafit të tij se kush do të jetë pjesë e Kombëtares. Sa i përket Salihit, ai është një ikonë në Kombëtare dhe është fat i madh për sulmuesit që të jetë pjesë e stafit.