Vjollca SADIKU
Dibër, 27 shkurt – Dibra ka pasur sportist të dalluar. Vetë fakti që edhe Klubi i futbollit “Korabi” funksionon më shumë se një shekull, flet qartë se dibranët kanë ditur për sportin dhe domethënien e tij, shkruan gazeta KOHA. Shumë gjenerata janë marrë me sport dhe kanë korrë suksese të shumta.
Para vetëm dy dekadave Dibra kishte një terren sportiv në afërsi të shkollës më të madhe të qytetit -Penestia. Ai teren gjallëronte nga zërat e fëmijëve që loznin si futboll, basketboll apo ndonjë lojë tjetër. Në çdo kohë gjatë ditës kishte shumë fëmijë. Por, jo vetëm fëmijë, në atë terren luanin edhe më të rriturit. S’kishte dibran që nuk e dinte këtë vend, nga që fëmijët e tyre mund t’i gjenin shpesh herë aty apo çdo ditë, duke luajtur ndonjë sport. Por, fatkeqësisht sot ky teren është i zbrazët, apo është bërë strehë e disa qenve endacak.
Edhe përkundrejt që këto vitet e fundit u ndërtuan edhe disa terrene sportive në lagjet e Dibrës, siç është ajo në “Venec2”, “Konjare” etj., si duket ato shumë pak shfrytëzohen nga rinia. Deri para dy dekadave s’kishte fëmijë, sidomos gjatë stinës së pranverës, verës dhe vjeshtës, pas orarit të shkollës, ata me vrap shkonin në terrenin sportiv ku pritni edhe radhë për të luajtur futboll apo basketboll. Pos atyre që luanin, kishte edhe shumë që i ndiqnin lojërat si adhurues të sportit. Ishte kënaqësi e madhe kur në afërsi dëgjoheshin zërat e fëmijëve plot gëzim e hare. Mirëpo, si duket edhe zërat e gëzuar i mori era ashtu si dhe fëmijët që dikur ishin hareja e qytetit. Sot është për keqardhje kur kalon në afërsi të atij tereni sportiv, i zbrazët i shkatërruar dhe i mbushur me qen endacak.
Kjo dukuri është si rezultat i teknologjisë, thonë prindërit e fëmijëve që shpesh herë diskutojnë në këtë temë. Sidomos, dekadën e fundit fëmijët shumë pak lozin. Ata janë të preokupuar me internetin dhe të varur nga ata. Me aipad apo celular luajnë lojëra të ndryshme,luajnë shoku me shokun, secili nga shtëpia e vet. Për këtë temë flitet shumë, por vlerësimet janë se fëmijët i harruan lodrat e tyre fëmijërore, se ata dëmtojnë sytë, shtyllën kurrizore dhe trurin, duke qëndruar gjithmonë pranë internetit. Profesori i edukatës së fizikës, Mustafa Skikuli, i cili është në pension, thotë për KOHA se fëmijët patjetër duhet t’u kthehen lojërave sportive, të cilat ndihmojnë në shëndetin e fëmijëve, largojnë energjinë negative dhe është kulturë sporti. Skikuli thotë jo vetëm sporti, por fëmijët duhet të merren sa më shumë me lojëra të ndryshme, duke i përfshirë edhe lojërat popullore. Profesori thotë se edhe arsimtarët, sidomos të edukatës fizike, duhet të insistojë që fëmijët sa më shumë të jen aktiv në jetën sportive. Të kenë orë të plota sportive, sepse shumë u janë larguar aktiviteteve sportive.
Kaltrini është rreth të tridhjetave. Ai si fëmijë ka luajtur shumë futboll. S’ka pasur ditë që të mos ishte në poligonin e Dibrës, ku me orë të tëra luante me bashkëmoshatarët e tij. Ai thotë se ajo kënaqësi nuk kthehet më. “,Ato kohë janë të pazëvendësueshme. Tani gjithçka është ndryshe, nuk shohim fëmijë, nuk shohim atë gëzim kur vraponim me topin drejt poligonit” thot me nostalgji Kaltrini dhe shton se akoma, shpesh me shokët, luajnë futboll.
Nga ana tjetër, në Dibër dita ditës hapen palestra ku dibranët shkojnë e ushtrojnë në numër të madh. Ato janë të stërmbushura. Edhe ky është një aktivitet i mirë për shëndetin e njeriut . Ndërsa më të moshuarit ecin pranë rrugës së liqenit. Por, shtylla kryesore e shoqërisë janë fëmijët, prandaj ata duhet të merren sa më shumë me aktivitete sportive. Sepse. Kemi nevojë për gjallërinë e tyre…
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.