Mallkimi i dëmtimeve vazhdon te Barcelona. Lionel Messi nuk ia doli të ishte i pranishëm në ndeshjen e humbur kundër Atletico Bilbaos me rezultatin 1-0, ndërsa u dëmtua dhe sulmuesi kryesor Luis Suarez. Uruguaiani u detyrua të lërë fushën e lojës në minutën e 33′ për shkak të një goditjeje që mori.
Ai tashmë ka kryer të gjitha analizat mjekësore dhe Barcelona doli me një komunikatë paraditen e sotme për të konfirmuar dëmtimin e uruguaianit. Ai ka një dëmtim në muskujt e këmbës së djathtë.
Katalanasit nuk tregojnë se sa pritet të mungojë Suarez, por mediat spanjolle bëjnë me dije se trajneri Ernest Valverde nuk do ta ketë të gatshëm nga 2 deri në 4 javë.
Ai do t’i humbasë sfidat me Real Betis dhe Osasuna, por mund të kthehet për ndeshjen me Valencian, me 14 shtator.