Gjatë viteve të kaluara, si pasojë e ngricave nëpër trotuare, shumë qytetarë kanë marrë lëndime trupore, duke kërkuar ndihmë në repartin e ortopedisë. Dhjetëra raste të këtilla regjistrohen zakonisht gjatë sezonit dimëror, sidomos për shkak të mos pastrimit në kohë të trotuareve në pjesën qendrore të qytetit, por edhe në rrugët periferike
Urim HASIPI
Tetovë, 10 dhjetor – Tashmë kur jemi në prag të reshjeve të borës, edhe ndërmarrjet publike komunale janë duke kryer përgatitjet e fundit që të mirëmbajnë trotuaret gjatë periudhës me ngrica. Në Ndërmarrjen publike komunale Tetova – Tetovë thonë se punëtorët që janë të angazhuar në mirëmbajtjen e pastërtisë publike, si dhe ata që mirëmbajnë parqet dhe gjelbërimin gjatë sezonit dimëror, angazhohen në pastrimin e borës nga hapësirat publike. Nga kjo ndërmarrje rikujtojnë qytetarët në obligimin ligjor për mirëmbajtjen e hapësirave para lokaleve të tyre. “Ligji për pastërti publike në mënyrë decide e thotë se çdo afarist e ka për obligim që të pastrojë borën përpara lokalit të tij, gjithashtu do të ishte një ndihmesë e madhe për qytetarët tanë, të cilët kanë lokale, ta pastrojnë borën përpara objekteve të tyre afariste. Gjithashtu, ne jemi pajisur me rërë dhe kripë që do të hidhen nëpër trotuare. Ndonjëherë qytetarët dhe pronarët e bizneseve nuk e dinë ligjin, e duhet që t`ju interpretohet ligji, dhe ne kemi bërë aktivitete të ndryshme që atyre t`ua transmetojmë dhe interpretojmë ligjin, por deri tani ka patur pozitivitet dhe kanë qenë shumë aktiv në këtë drejtim, dhe mendoj se është në interes të tyre që çdo hyrje dhe dalje para objekteve të jetë e pastruar për shkak të klientëve të tyre” tha Xhelal Ceka, drejtori i NPK Tetova – Tetovë.
Krahas angazhimit të makinerisë, kreu i NPK-së kërkon angazhim dhe ndihmë nga pronarët por edhe qytetarët. “Ne jemi pajisur me të gjitha mjetet që janë të nevojshme për dimër dhe mendoj se çdo ndihmesë nga qytetarët dhe nga pronarët e lokalëve do të ishte në favor tonin në përgjithësi, por ne do të dalim në teren edhe këtë vit që të rikujtojmë ata për obligimin që e kanë, dhe mendoj se nuk do të kemi telashe” u shpreh ai.
Nga kjo ndërmarrje janë shprehur se mjetet e ndara në përgjithësi nga ana e Komunës do të mjaftojnë për të përballur dimrin dhe për të mirëmbajtur edhe hapësirat publike. “Nga Komuna e Tetovës janë ndarë 8 milion denarë për këtë qëllim dhe në kuadër të këtyre mjeteve mendoj se janë të mjaftueshme për pastrimin edhe të hapësirave publike. Si vitin e kaluar edhe sivjet ky dimër neve si ndërmarrje publike na gjen të përgatitur dhe nuk do të kemi telashe”, deklaroi kreu I NPK-së në Tetovë.
Komuna e Tetovës sipas tij, ka angazhuar tre kompani që do të përkujdesen për mirëmbajtjen e rrugëve. “Territori i Komunës së Tetovës është ndarë në tri regjione edhe atë nga Lumi Shkumbin në drejtim të Drenovecit dhe nga lumi në drejtim të Shipkovicës, duke përfshirë edhe fshatrat tjerë të kësaj zone. Do të jenë tri kompani që kanë marrë obligim që të kujdesen për mirëmbajtjen e rrugëve dhe hedhjen e kripës dhe rërës”, theksoi ai.
Gjatë viteve të kaluara, si pasojë e ngricave nëpër trotuare, shumë qytetarë kanë marrë lëndime trupore, duke kërkuar ndihmë në repartin e ortopedisë. Dhjetëra raste të këtilla regjistrohen zakonisht gjatë sezonit dimëror, sidomos për shkak të mos pastrimit në kohë të trotuareve në pjesën qendrore të qytetit, por edhe në rrugët periferike. (koha.mk)