Po feston tashmë 20 vjetorin e karrierës së saj në skenën shqiptare me shumë këngë e hite, të cilat vazhdojnë të dëgjohen gjithandej. Me një album live me 20 këngë, Albana Mesuli vjen edhe në një intervistë për InfraRed të gazetës KOHA ku tregon mbi gjithë këto vite karrierë…
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Je rikthyer me një projekt të ri, na fol për bashkëpunëtorët dhe finalizimin e tij?
Për këtë fundvit kam sjellë për publikun tim disa këngë të reja solo dhe kam bërë një përmbledhje prej 20 këngëve në një album që titullohet 20 vite me ju.
KOHA: Sa i kënaqur je nga ky projekt?
Jam shumë e kënaqur me projektin, sepse po marr komente të mira si nga publiku poashtu edhe nga kolegët.
KOHA: A ju ka munguar publiku pasi atij i keni munguar shumë, sepse projekti është pritur mjaft mirë?
Kam qenë pranë publikut gjatë gjithë kohës sepse mbrëmjet e organizuara live të japin këtë mundësi dhe ahengjet familjare poashtu, e vetmja gjë që unë kam qenë pak pasive është realizimi i një balade me videoklip që ka kohë nuk e kam sjellë.
KOHA: Me çfarë është marrë gjithë kësaj kohe Albana jashtë muzikës?
Sigurisht, përveç angazhimeve të mia me muzikën unë kam dhe një jetë private që nuk e anashkaloj dhe i jap po të njëjtën rëndësi ndoshta dhe më shumë.
KOHA: Jeton në Zvicër, por nuk harron të vizitosh gjithë trevat shqiptare? Për çfarë ke mall më shumë kur viziton vendet ku flitet shqip?
Profesioni im është i tillë që më ka dërguar kudo në trevat shqiptare dhe kudo që ka shqiptarë në mbarë botën, kjo është një gjë e mirë që e kam marrë me shumë dashuri dhe respekt nga publiku dhe me kanë bërë të ndihem mirë dhe e vlerësuar, e vetmja gjë që më mungojnë janë intervistat nëpër programet televizive, largësia dhe të jetuarit jashtë deri diku edhe është pengesë.
KOHA: Ju muzikën e keni pasion apo jetoni në sajë të muzikës?
Në fillimet e mia në hapat e parë të karrierës muzika për mua ka qenë vetëm një pasion dhe një ëndërr e bukur që unë doja me patjetër të realizoj, por sot nuk e mohoj që e shoh dhe si punë.
KOHA: Keni ndonjë surprizë me ndonjë këngë solo?
Surpriza do të ketë, sepse gjithmonë ka një këngë apo projekt në studio që pret të realizohet.
KOHA: A mendoni se kënga vlerësohet nga numri i klikimeve që merr?
Kjo puna e klikimeve është bërë një temë e mërzitshme, unë personalisht suksesin tim nuk e shoh tek klikimet, por tek kërkesat që kam për mbrëmje dhe ahengje familjare.
KOHA: Ke pasur udhëtime të shumta sa kemi pasur mundësi të ju ndjekim, kanë qenë udhëtime pune apo private?
Po udhëtoj shumë dhe më pëlqen të vizitoj vende të bukura sigurisht aq sa kam mundësi, disa janë udhëtime pune që e shfrytëzoj rastin edhe për të vizituar ato vend ku jam e ftuar por ka dhe udhëtime që janë vetëm për të pushuar.
KOHA: Sa e përmbushur është Albana në jetën private, për gjithë ata që nuk e dinë a mund të mësojmë si është statusi juaj?
Pyetja është shumë e bukur dhe e saktë pa pyetur për detajet edhe përgjigja do të jetë në të njëjtën formë, jam shumë e lumtur dhe e përmbushur në jetën time private, kësaj pjese i jap shumë rëndësi dhe larg vëmendjes mediatike, statusi im e martuar.
KOHA: Si e mbaron këtë vit dhe si do e fillosh vitin e ardhshëm, cilat janë planet e afërta?
Ky vit ka qenë shumë i mirë në secilin aspekt të jetës time, uroj që kështu të jetë dhe viti 2020. Gjëja më e rëndësishme është të jemi mirë, të kemi shëndetin të mos na përballe Zoti me gjëra që vetëm ai i ka në dorë, gjërat tjera janë të gjitha të kalueshme.