Shkup, 10 mars – Çmimi mesatar i metrit katror të sipërfaqes banesore në vitin 2016 ka qenë 43.091 denarë, që është për 6.5 për qind më pak në krahasim me vitin 2015, kumtoi sot Enti Shtetëror i Statistikave. Në Shkup, vitin e kaluar çmimi mesatar i metrit katror i sipërfaqes banesore është 50.829 denarë, për 3.9 për qind më pak në krahasim me vitin 2015, ndërsa në vendet e tjera të populluara në vend ajo ishte 32.721 denarë, apo për 1.6 për qind më pak në krahasim me vitin 2015. Në gjysmëvjetorin e dytë në krahasim me të parin në vitin e kaluar, çmimi mesatar i metrit katror të sipërfaqes banesore është ulur për 5.9 për qind, ndërsa në Shkup ulja paraqet 3.8 për qind. Çmimet e cekura mesatare të metrit katror të sipërfaqes banesore janë pa Tatim të vlerës së shtuar.