Leonardo Spinacola dhe Mateo Politano morën vëmendjen e merkatos në Serinë A teksa futbollistët ishin projektuar për shkëmbimin mes Romës dhe Interit. Por, kur lojtarët ishin gati për të firmosur, zikaltërit ndryshuan mendim duke nxjerrë si pretekst formën fizike të Spinacolës. Ish-futbollisti i Juventusit ka pasur probleme të shumta fizike në sezonet e fundit, megjithatë 26-vjeçari pretendon se i ka lënë pas ato.
Edhe në ndeshjen e djeshme të Romës, mbrojtësi u aktivizua për 90 minuta duke qenë protagonist edhe në një prej golave të skuadrës. Kështu, paraqitja e tij në fushë ishte si një përgjigje për Interin, të cilët nuk i besuan. Pas ndeshjes, Spinacola u shpreh se kishte një motivim shtesë për të gjitha fjalët që i thanë në Milano, edhe pse theksoi se nuk ishte keq të kalonte një fundjavë si model atje.
“Kalova fundjavën e modës në Milano, të paktën u argëtova. Ishin ditë intensive, por jam kthyer te Roma i karikuar falë edhe mbështetjes së tifozëve. Tani jam me nerva për fjalët që më thanë. Më thanë se kisha probleme por janë thjesht fjalë. Luaj me Romën dhe kam luajtur me Juventusin, Atalantën dhe Kombëtaren. Atëherë mjekët e të gjithë këtyre janë të paaftë? E kam treguar se jam mirë”, u shpreh Spinacola.