Driton ZENKU
Gostivar, 11 mars – Fëmijët mbipeshë nuk janë më një gjë e jashtëzakonshme në Gostivar, por edhe më gjerë. Mungesa e aktivitetit fizik, por edhe cilësia e ushqimit, ka rritur frikshëm obezitetin, me theks të veçantë te fëmijët, shkruan gazeta KOHA. Mbipesha te fëmijët llogaritet si problem shëndetësor me përmasa publike. Të paktën kështu flasin të dhënat e Qendrës për Shëndet Publik të mbledhura nga çerdhet publike, ku janë konstatuar shumë raste të çrregullimeve të zhvillimeve trupore tek fëmijët. Numri i rasteve të fëmijëve me probleme mbipeshe që paraqiten në Spitalin e Gostivarit shkon nga 5-10 në muaj, ndërkohë që 20 për qind e fëmijëve në regjionin e Gostivarit llogaritet të jenë obezë. Numri është shumë i lartë për mjekët, duke pasur parasysh edhe faktin që fenomeni po vjen gjithmonë duke u rritur. Për dietologët, mbipesha po rritet nga varfërimi i stilit të jetesës, sasisë së lartë të ngrënies dhe vakteve jo të rregullta. Ajo shton se gjendja ekonomike nuk justifikon neglizhencën e aktivitetit fizik. Ognjanoski pranoi se mungesa e aktivitetit sportiv, duke filluar nga shkollat, është fajtor për mbipeshën, që rëndom po e vërejmë tek grupmoshat e vogla. Ky fenomen, sipas kompetentëve është pasojë i kequshqyerjes dhe hormoneve në fruta-perime, mish e bulmete. Voisllav Ognjanovski, përgjegjës i Entit Epidemiologjik në Gostivar, shprehet se për KOHA problemi i mbipeshës është absolutisht në rritje. Ai thotë se është në rritje jo sepse njerëzit po bëhen më të ndërgjegjshëm apo se prindërit janë më të kujdesshëm për fëmijët e tyre, por sepse është rritur niveli i jetesës që mundëson edhe një ushqyerje më të bollshme. “Qendra për Shëndet Publik, fenomenit të mbipeshës tek fëmijët i kushton rëndësi të veçantë, në kuptim të mënjanimit të barrierave për qasje sa më të lehtë deri tek institucionet dhe informatat burimore për pasojat, por edhe masat preventive për parandalimin e këtij fenomeni. Kjo vlen sidomos për popullsinë e moshës së re, mbase ushqimi i mirë dhe i shëndetshëm ndikon në potenciale të fuqishme dhe të shëndetshme për një jetë më të gjatë dhe më të shëndoshë”, theksoi Ognjoanoski, i cili po ashtu thekson se njësia për ushqim dhe dieta medicinale ofron informacione kualitative, këshilla, përgatitje e regjimit të të ushqyerit, por edhe mbështetje në tejkalimin e problemeve që preokupojnë personat me rrezik të lartë të sëmundjeve kronike. Ognjanoski thotë se detyrë e prindërve mbetet që fëmijëve të tyre vazhdimisht tu flitet për rrezikun nga ushqimi i dëmshëm dhe njoftimin e tyre për ushqim të shëndetshëm dhe domosdoshmërinë e aktiviteteve fizike, me qëllim që këto shprehi të ngelet rregull dhe normë për gjithë fëmijët. “Nëse keni një fëmijë mbipeshë, është e rëndësishme të tregoni që e doni atë ashtu siç është dhe do ta mbështesni në çdo gjë. Ndjenjat e fëmijëve rreth vetes janë të bazuara mbi ndjenjat e prindërve rreth tyre. Nëse do të pranoni fëmijët tuaj pavarësisht nga pesha e tyre, ka më shumë mundësi që ata do të ndihen mirë. Gjithashtu është e rëndësishme të flisni me fëmijën rreth peshës së tij, duke lejuar të ndajë me ju shqetësimet që ka”, shton Ognjanoski. Sipas Ognjanoskit, obeziteti rrit mundësinë e sëmundjeve të ndryshme dhe ka prirje për të ulur jetëgjatësinë e individëve.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.