Paris, 28 shkurt – Rreth 4,8 tonë kanabis me prejardhje nga Maroku janë zbuluar në një automjet në rajonin e Parisit, lajmëroi korrespondenti i MIA-s.
Operacionin e zbatuan policët e angazhuar për luftë kundër narkotikëve, të cilët përveç konfiskimit të kanabisit arrestuan edhe shtatë persona. Për ta ekziston dyshimi se janë të përzier në importin dhe pranimin e mallrave të ndaluara. Të gjithë ata janë me prejardhje nga rajoni i Parisit dhe gjatë kohë ishin ndjekur nga Zyra franceze për luftë kundër narkotikëve në suaza të hetimit që iu besua një gjykatësi nga Institucioni special gjyqësor nga Parisi.
Sipas numrave të kumtuar nga ministri i Punëve të Brendshme, Kristof Kastanet, në vitin 2019 në Francë janë konfiskuar mbi 95,4 tonë kanabis, për krahasim me rreth 100 tonë në vitin 2018. Në Francë vlerësohet se shpenzohen brenda vitit mes 370 dhe 580 tonë të këtij bari dhe derivateve të tij. Kanabisi edhe më tej është droga e parë më e konsumuar në Francë, me çka e bën atë të jetë në vendin e parë në Evropë. Në Francë kanabisi edhe më tej është i ndaluar.
Në fillim të vitit u konfiskuan disa dërgesa të kokainës, ndërsa e fundit ishte me prejardhje nga Italia në bashkëpunim me autoritetet italiane në sasi prej 3,3 tonëve. (koha.mk)