Është interesante se është bërë një si shprehi e kryetarëve(edhe në Kosovë, edhe në Maqedoni, edhe në Shqipëri, e ndoshta edhe më gjerë), që atë që është shkruar në kushtetutë, ta anashkalojë dhe të veprojnë në bazë të diskrecionit ose bindjes së tyre apo interesave tjera
Nga Daut DAUTI
Mickovski na e solli dimrin para kohe! Shpalli ngricën në mes të gushtit. Në mbi 30 gradë celsius, ai i ngriu marrëdhëniet me kryetarin Pendarovski, ngase është i pakënaqur që mandatin për të formuar qeverinë ia dha Zaevit e jo atij. Ose të paktën, pse nuk u soll sipas kushtetutës. “Sipas kushtetutës”? Kjo sintagmë tashmë kaherë e dëgjuar saherë që dikujt diçka nuk i shkon për huji. Zakonisht, i humburi është ai që thirret në kushtetutë. E kryetari, i pari i vendit, duhet të jetë mbi të gjitha institucionet dhe më i drejti, edhe në mbrojtje të kushtetutës. E jo “mbi kushtetutën”.
Gjërat në jetë kanë një farë logjike në bazë së cilës funksionojnë. Në politikë, në kontekstin e aktualitetit tonë, ekziston një parim, i cili në vendimin që nuk i pëlqen Mickovskit, është se të drejtën për formim të qeverisë logjikshëm i takon fituesit. Partia fituese në këto zgjedhje është LSDM-ja, siç ishte herën e kaluar VMRO-DPMNE-ja, së cilës ia pat dhënë mandatin kryetari i atëhershëm, GjorgeIvanov, kryetari më kontrovers në historinë e Maqedonisë.
Por, logjika politike dhe ajo që është e shkruar në kushtetutë dhe ligje, shpesh nuk shkojnë njëra me tjetrën. Logjika politike është në anën e vendimit të Pendarovskit, por ana juridike, si duket i jep të drejtë liderit të VMRO-së, që t’i japë liri vetes për të ngrirë marrëdhëniet. Nuk e dimë efektin e kësaj për të dhe për vendin, as se sa kjo mund të ndikojë në luftën me pandeminë, një nga çështjet primare të qeverisë së ardhshme, por do ta hapë edhe një kapitull të ri debatesh për dhe kundër vendimit të logjikshëm politikisht të kryetarit dhe të kontestueshëm jurudikisht.
Nëse do të isha pyetur se kush duhet të formojë qeveri, ose të paktën, kujt t’i jepet mandati, normalisht, do të kisha thënë liderit të partisë fituese të zgjedhjeve. Nëse do të isha pyetur për preferenca, do të kisha peshuar mandatin e fundit të koalicionit LSDM-BDI dhe mandatet e mëparshme të VMRO-së (dy herë me PDSH-në dhe pastaj gjithnjë me BDI-në), prapë përparësi do t’i kisha dhënë mandatit kur u morën vendime të rënda, por me rëndësi dhe efekte pozitive afatgjate për vendin, pra, dihet se për kë e kam fjalën. Ky koalicion i fundit theu edhe disa klishe, rrënoi disa barriera, diti të tejkalojë disa paragjykime, uli tensionet ndëretnike, që nga një këndvështrim shqiptar, nuk ka dilemë se një koalicion që nuk u fryn nacionalizmit, do të ishte më i mirë, se një tjetër ku në gjenin e vet subjekti rival e ka gjenin e nacionalizmit dhe manipulimit me sentimente etnike. Pavarësisht se në politikë ajo e deklaruara dhe ajo që realizohet shpesh janë në shpërputhje, duhet të besojmë edhe në evolucione dhe se subjektet ndryshojnë, ose të paktën, të besojmë në pragmën politike, kur subjektet merren vesh për ndonjë agjendë ose platformë dhe i qëndrojnë asaj besnike, pavarësisht si quhen. Kjo do t’i jepte shanse edhe një koalicioni me kombinim që do t’i pëlqente Mickovskit
Por këto që u thanë më sipër, nuk mund të na shtyjnë në përfundim se qëllimi i arsyeton mjetet dhe se gjërat duhet të funksionojnë sipas logjikës politike e jo sipas “jazisë” së kushtetutës. Në rastin konkret, kryetari Pendarovski u thirr në nenin 84 të kushtetutës, ku në alinenë e parë përcaktohet, midis tjerash edhe e drejta për ta përcaktuar mandatin. Po të lexohet alinea e parë, asgjë nuk ka kontestuese, por ai nen vetëm se përcakton “listingun” e obligimeve ose detyrave që kushtetuta ia jep kryetarit. Por, vendimi për t’ia dhënë mandatin Zaevit, si lider të partisë fituese, duket se bie ndesh me nenin 90, që thotë: Kryetari (…) është i obliguar që brenda 10 ditësh nga konstituimi i Kuvendit, mandatin për krijimin e Qeverisë t’ia japë kandidatit të partisë, gjegjësisht partive që kanë shumicë në parlament(…)”.(pjesa tjetër e nenit nuk është i rëndësishëm për këtë kontekst).
Kaq thjeshtë, dhe kaq qartë. Pra, a i ka Zaevi në këtë moment 61 vota të siguruara në parlament? Si ia ka dëshmuar këtë kryetarit? Njëkohësisht, meqë po ankohet, ai ka edhe Mickovski? E dimë se jemi në fazë pas zgjedhjeve ku me gjithë “licitimeve” për koalicionime, gjithçka është e hapur, ende asgjë nuk ka nga ndonjë marrëveshje konkrete.
Çudi, por në këtë pikë u zhvilluan aq shumë debate edhe pas krizës politike në Kosovë, se edhe kur janë gjërat të shkruara qartë, gjenden plot interpretime që të shkruarën e çojnë drejt “të drejtës së diskrecionit” të kryetarit…
Po t’i kthehemi çështjes. Nuk jam jurist, por neni 90-të ka gjithsesi një mangësi të madhe, sepse e obligon kryetarin t’ia jep mandatin kandidatit që ka siguruar shumicë, ndërkohë që shumica verifikohet në parlament, e jo në një letër që do t’i ngjante peticionit me nënshkrime deputetësh, që do t’i jepej kryetarit si garanci se dikush ka siguruar shumicë. Pra, ky nen do të duhej sa më shpejtë të korrigjohet dhe të ketë një formulim shumë të thjeshtë: Kryetari ia jep mandatin kandidatit të partisë fituese…Nëse kandidati i parë nuk formon qeveri, i jepet mandati kandidatit të partisë së dytë…, pastaj të tretë…Pra, pikërisht në bazë të kësaj logjike që nuk është shkruar në kushtetutë dhe iu dha mandati Zaevit kësaj radhe, ose Gruevskit para tij, sepse asnjë kandidat nuk mund të pretendojë se siguron shumicë në parlament, para se me ndonjë partner koalicioni të jetë marrë vesh. Pra në fazën e kandidimit, kjo gjë shpesh është e pamundur praktikisht.
Është interesante se është bërë një si shprehi e kryetarëve (edhe në Kosovë, edhe në Maqedoni, edhe në Shqipëri, e ndoshta edhe më gjerë), që atë që është shkruar në kushtetutë, ta anashkalojë dhe të veprojnë në bazë të diskrecionit ose bindjes së tyre apo interesave tjera. Kështu duket vendimi i Pendarovskit. Por ky diskrecion përjetoi përmasa karrikaturale në kohën e GjorgeIvanovit, i cili me “finta” të ndryshme mëtohej të vihet mbi Kushtetutën. Siç dihet, pas dështimit të Gruevskit për të krijuar qeveri, në mars të 2017-tës, radha i vinte që Ivanovi ta kandidonte liderin e LSDM-së, i cili ndryshe nga sot, kryetarit atëherë i kishte treguar se ka shumicë parlamentare. Mirëpo kryetari, nuk deshi t’ia japë mandatin para se ai të hidhte “platformën e Tiranës” të partive shqiptare! Ajmo crni Gjorgje…! Kryetarit nuk i kishte penguar që më parë ta bënte qeverinë VMRO-ja, duke pranuar pikërisht pika të po asaj platforme në negociatat me BDI-në, (si më kontestuese, çështja e gjuhës shqipe, nuk është fshehtësi se edhe VMRO-ja e kishte pranuar!). Domethënë, Ivanovi nuk veproi sipas obligimit që t’ia japë mandatin partisë që sipas kushtetutës(neni 90) ka siguruar shumicë, por ai hyri në vlerësim material të platformës politike, duke prejudikuar gjëra që e tejkalojnë mandatin e tij!
Historia po përsëritet kur ndërrohen rolet dhe aktorët.
Kryetari Pendarovski nuk duhet të gjykonte imperativin politik, por mandatin e vet dhe të mos binte në gabimet që kanë bërë kryetarët para tij. Kjo, ngase përherë kur kryetarët veprojnë sipas interesave të subjekteve që e kanë zgjedhur, na kujton atë meselen e vjetër për lopën e kadiut, kur ai e hapë qitapin ta shohë se çka thotë, gjë që nuk e bëri më parë kur iu tha se lopa e tij e kishte vrarë atë të katundarit!
E qitapi, edhe në atë kohë të kadijve, duhej të vlente njësoj për të gjithë, apo jo,e lere më sot…
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)