Studentët janë rikthyer në kampuset në Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që nis viti i ri shkollor, duke shtuar rrezikun e infeksioneve të reja të koronavirusit. Kjo ishte java e parë e shkollës për mbi 1.8 milionë student amerikanë. Shumë shkolla janë mbyllur përkohësisht që tani, prej përhapjes së infeksionit. Të tjera, përfshirë disa universitete, i’a dolën t’i mbajnë rastet me infeksion të ulëta, pasi kanë testuar çdo student që rikthehet në shkollë.
Një sondazh i New York Times ndaj më shumë se 1,000 kolegje dhe universitete amerikane, ka treguar në nisje të Shtatorit të paktën 51,000 raste dhe 60 vdekje që kur nisi pandemia. Shtete përfshirë Teksas, Alabama dhe Karolinën e Veriut kanë raportuar mbi 4,000 raste në universitete. Një sondazh tjetër tregoi se në 203 qyteza ku studentët përbënin të paktën 10% të popullsisë, më shumë se gjysma kanë përjetuar javët më të këqija të pandemisë nga data 1 gusht.
Tek thuajse gjysma e tyre, shifrat kanë treguar se infeksionet e reja kanë arritur majën në ditët e sotme. John Jenkins, presidenti i Universitetit të Notre Dame, që nisi klasat online pas raportimit të infeksioneve, tha se analiza e gjurmimit të kontakteve tregon se shumica e infeksioneve po vijnë nga mbledhjet jashtë kampusit. Në përpjekje për të ndaluar përhapjen e virusit, shkollat kanë ndërmarrë kontrolle më strikte, përfshirë vendosjen e detyruar të maskave, distancim fizik, shpërndarjen e dezinfektantëve dhe termometrave si dhe zhvendosjen e kurseve të mëdha online.