Situatë e njëjtë u shfaq edhe para një muaj e gjysmë kur kontejnerët e amvisërive ishin përplot me mbeturina nëpër vendbanimet e fshatrave të Pollogut
Urim HASIPI
Tetovë, 30 shtator – Përderisa vazhdojnë përpjekjet që të arrihet një gjuhë e përbashkët mes komunave të Pollogut për të gjetur lokacion për hedhjen e mbeturinave, situata në terren paraqitet sërish e komplikuar. Në territorin e komunave rurale vërehen mbeturina të grumbulluara para shtëpive, të cilat gati se dy javë nuk janë marrë nga koncesionerët. Ndalesa për dërgimin e mbeturinave në Rusino, për komunat e rajonit të Pollogut ka bërë që situata të vështirësohet dukshëm, pasi që janë me tonelata mbeturina që nuk janë marrë nga amvisëritë. Në disa komuna, koncesionerët kanë vendet e tyre ku mund t`i dërgojnë përkohësisht, por megjithatë kjo nuk është zgjidhje. Kryetari i Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu thotë se është në pritje që të thirret një mbledhje në kuadër të Qendrës së rajonit planor të Pollogut dhe të merret vendim se si do të veprohet më tutje. “Ne jemi duke respektuar vendimet që janë marrë edhe nga ana e protestuesve edhe nga ana e Qeverisë. Me sa jam i informuar, ka patur një takim të Ministrit Nuredini me kryetarët e komunave të Tetovës dhe Gostivarit dhe drejtorit të Qendrës së rajonit të Pollogut dhe se çka është vendosur në atë takim nuk kemi informatë kthyese”, deklaroi për gazetën Koha, kryetari i Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu.
Ai më tej theksoi se në territorin e Komunës që drejton, ky problem është më pak i shfaqur. “Koncesioneri që përkujdeset për grumbullimin e mbeturinave ka pronë të tij ku i dërgon përkohësisht mbeturinat. Kjo e dimë se nuk është zgjidhje ngase edhe ka reagime nga qytetarët. Prandaj zgjidhje presim edhe ne si Komunë se ku do të dërgohen mbeturinat por ende nuk është caktuar ndonjë lokacion. Ne e kemi më pak këtë problem por komunat tjera kanë më shumë telashe në dërgimin e mbeturinave në vende tjera, prandaj duhet një zgjidhje sa më e shpejtë”, pohon Sejdiu.
Nga Qendra e rajonit planor të Pollogut, thonë se pyetjet e kësaj natyre duhet të drejtohen tek vet kryetarët e komunave. “Komuna e Tetovës gati për 3 vite me radhë deponon mbeturinat komunale në deponinë Drislla në Shkup. Për komunat tjera të rajonit pyetjet duhet t’i drejtoni deri tek vet komunat apo ndërmarrjet komunale që menaxhojnë mbeturinat”, thotë Fatmir Saiti, drejtor i Qendrës për rajonin planor të Pollogut.
Situatë e njëjtë u shfaq edhe para një muaj e gjysmë kur kontejnerët e amvisërive ishin përplot me mbeturina nëpër vendbanimet e fshatrave të Pollogut. Derisa komunat dhe Ministria e planifikimit hapësinor të gjejnë zgjidhje për dërgimin e mbeturinave, gjendja në terren vazhdon të jetë e komplikuar me mosmarrjen e mbeturinave. Qytetarët e komunave rurale janë të revoltuar ngase paguajnë për mbeturina, kurse të njëjtat nuk merren dhe para shtëpive të tyre kontejnerët janë të stërmbushur me mbeturina. (koha.mk)