Shkup, 17 tetor – Kriza e shkaktuar nga KOVID-19 ka ndikuar fuqimisht në grupet e qytetarëve me të ardhura të ulëta, të cilët kryesisht punojnë në punë me paga të ulëta ose janë pjesë e ekonomisë informale, marrin transferta sociale ose dërgesa nga jashtë, tregon analiza e hulumtimit të kryer nga FINANCE THINK – Instituti për kërkime dhe politika ekonomike – Shkup.
Analiza gjithashtu tregoi se për shkak të pandemisë, niveli relativ i varfërisë në vend do të rritet për 1.2 pikë përqindje, që do të thotë se 25 mijë njerëz të tjerë shtyhen në varfëri gjatë krizës Kovid.
“Rezultatet për varfërinë absolute janë më shqetësuese dhe tregojnë se për shkak të krizës, 100 mijë njerëz të tjerë do të jetojnë me më pak se 5.5 dollarë (sipas barazisë së fuqisë blerëse) ose 126 denarë në ditë”, thuhet në kumtesën e Institutit.
Në të shtohet se një nga masat e Qeverisë që synon ruajtjen e standardeve të jetesës së popullsisë më të ndjeshme ishte lehtësimi i kritereve për marrjen e ndihmës minimale të garantuar, e cila, sipas hulumtimit nga Instituti, ka potencialin për të nxjerrë 24.000 njerëz nga varfëria ekstreme, më pak se 1.9 dollarë (44 denarë) në ditë. Deri në korrik të këtij viti, vetëm 65 për qind e potencialit është përdorur, që do të thotë se edhe 9.000 njerëz të tjerë kanë mundësinë të hyjnë në sistemin GMA dhe të dalin nga varfëria ekstreme.
Për atë qëllim, nevojiten përpjekje të mëtejshme nga Qeveria për informimin e duhur të popullatës në lidhje me kriteret e reja për marrjen e të drejtës për këtë ndihmë. Për më tepër, u propozojmë politikëbërësve që kushtet e lehtësuara për marrjen e ndihmës minimale të garantuar të vazhdojnë të zbatohen edhe në vitin 2021 dhe të prezantojnë një shtesë të përkohshme të ndihmës minimale të garantuar dhe lehtësim të përkohshëm shtesë të kërkesës për të ardhura, në mënyrë që të mbulojnë, përveç më të varfrit dhe një pjesë të segmenteve të prekshme të popullsisë”, rekomandojnë nga FINANCE THINK – Instituti për kërkime dhe politika ekonomike – Shkup.