Shkup, 20 tetor – Anëtarësimi i vendit në Bashkimin Evropian është sfida më e rëndësishme në këtë mandat të ri. Kështu e vlerëson këtë proces kryetari i parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi. Në një intervistë për emisionin “Balkan Talks”, Xhaferi pohon se deri në dhjetor vendin e tij e presin sfida në procesin reformues dhe në përmbushjen e detyrimeve të përcaktuara nga Unionin Evropian.
Sipas tij, këto do arrihen vetëm nëse ka komunikim të duhur midis pushtetit të shumicës dhe opozitës.
Kryeparlamentari Talat Xhaferi, duke u ndalur tek slogani që partia e tij Bashkimi Demokratik për Integrim përdori gjatë fushatës elektorale “Kryeministër shqiptar për Maqedoninë e Veriut”, deklaroi se beson që kjo do të bëhet realitet.
Xhaferi ka cekur edhe debatin në mediat maqedonase mbi faktin se Shqipëria po e mban peng anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për shkak të rezervave që Bashkimi Evropian ka ndaj Tiranës.
Z. Xhaferi ishte i qartë teksa u shpreh se: “Ne nuk e kemi atë bindje që Shqipëria mban peng Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ne jemi dy vende të pavarura, sovrane të cilat kanë rregullat individuale shtetërore dhe të dy vendet kemi obligimet tona kundrejt përcaktimeve për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.”
Duke u ndalur tek çështja e gjykimit që po i bëhet disa anëtarëve të UÇK-së, z. Xhaferi bëri fajtor faktorin ndërkombëtar.
“Për mua është e papranueshme që viktimat të shndërrohen në të akuzuar për faktin që UÇK-ja e Kosovës nuk ka bërë asnjë veprim jashtë territorit të Republikës së Kosovës.
Ata luftëtarë kanë qenë mbrojtës të pragut të tyre, popullit të tyre kundrejt forcave të shumta që kanë ardhur nga territori i Serbisë. Kështu që mendoj se është gabimi i radhës i faktorit ndërkombëtar”, – tha Talat Xhaferri.
I pyetur nga gazetari Franko Egro nëse e mbështeste idenë e një minishengeni ballkanik si një prej zyrtarëve më të lartë të Shkupit zyrtar, z. Xhaferi tha se nuk ka arsye për të mos e mbështetur.
“Baza ekonomike do japë shtytje të veprimeve politike që duhet përfundimisht të rezultojnë me njohjen reciproke të dy vendeve mes tyre që të përmbyllë ciklin e veprimeve dhe vendimmarrjeve politike që të llogaritet në të ardhmen një pajtueshmëri ndërnacionale të dy vendeve dhe të hapë rrugë bashkëpunimit rajonal”, – u shpreh z. Xhaferi duke theksuar se “duhet të jenë të përfshirë gjithë aktorët rajonal në minishengen që të bëjnë tërësinë e rajonit dhe pastaj të bëhen të gjithë pjesë e Bashkimit Evropian”.