Afati për grumbullimin e duhanit do të zgjatet deri në fund të muajit mars dhe jo dhe jo siç ishte deri më tani, deri në fund të muajit shkurt. Njëherësh, në pakon e pestë të ndihmave ekonomike qeveritare janë parashikuar pesë milionë euro mbështetje për prodhuesit e duhanit
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 20 shkurt – Afati për grumbullimin e duhanit do të zgjatet deri në fund të muajit mars në vend deri në fund të muajit shkurt. Kjo do të mundësojë grumbullimin e tepricës së duhanit, apo të duhanit shtesë për të cilin nuk ka marrëveshje shitblerëse. Njëherësh, në pakon e pestë të ndihmave ekonomike qeveritare janë parashikuar pesë milion euro përkrahje të duhanit, që do të ndahen pas përfundimit të procesit të grumbullimit të duhanit. Parashikohet që dinamika dhe mënyra e pagesës të fondeve të përcaktohet pas përfundimit të procesit grumbullues. Prodhuesit e duhanit kërkojnë që kjo masë të vlejë për prodhues dhe atë për kilogram të dorëzuar, ndërsa për pagesën e dallimit të çmimit deri në 180 denarë për kilogram të gjenden mjete të tjera financiare. Gjithashtu pritet që deri në fund të kësaj jave të përfundojë grumbullimi i duhanit në bazë të marrëveshjeve të kontraktuara dhe të blihet edhe teprica e duhanit. Nga Ministria e Bujqësisë thonë se deri më tani janë grumbulluar afërsisht 21 milionë kilogramë dhe do të zgjidhet problemi me tepricën e duhanit të prodhua si problem më i madh në këtë vit.
“Konkluzioni nga takimi i së hënës është se duke pasur parasysh kushtet klimatike dhe dinamikën e grumbullimit, unë do t’i propozoj Qeverisë që të ndryshojë me procedurë të përshpejtuar Ligjin për Duhanin, në mënyrë që të zgjatet afati i grumbullimit, dmth në vend që afati të përfundojë në fund të këtij muaji, ai të zgjatet deri më 31 Mars. Kjo do të na japë kohë për të gjetur një zgjidhje për të shpëtuar këtë sezon të keq për duhanin”, thotë ministri i Bujqësisë, Arjanit Hoxha. Sipas tij, ky dikaster do të vazhdojë të monitorojë situatën dhe do të ndërmarrë aktivitete në mënyrë që të përfundojë me sukses procesi i grumbullimit të duhanit. Në ndërkohë, sivjet në Maqedoni janë prodhuar 23 mijë tonë duhan, përderisa kultivuesit e duhanit ankohen për një vit të keq me humbje sipas tyre për një euro në një kilogram të dorëzuar tek tregtarët. Gjithashtu, në fillim të muajit shkurt, qeveria miratoi Strategjinë për prodhimtarinë e duhanit 2021-2027. Ndër të tjerash, ajo parashikon ndihmë shtetërore për ekonomitë bujqësore që merren me prodhimin e duhanit, përkrahje në të ardhura për ekonomitë bujqësore, politika për zhvillim të qëndrueshëm dhe të barabartë në rajonet prodhuese të duhanit si dhe përkrahje për formimin e organizatave të prodhuesve. Dokumenti është shpallur edhe në gazetën zyrtare.
Në ndërkohë, në muajt e kaluar nga një pjesë e fermerëve në vazhdimësi janë ankuar për vlerësimin joreal sipas tyre dhe për çmimet e ulëta grumbulluese. Një pjesë e prodhuesve të duhanit kanë protestuar disa herë të pakënaqur me çmimet e ulëta grumbulluese. Ato kanë shprehur pakënaqësinë e tyre me çmimet prej 120 deri 150 denarë për një kilogram duhan, në vend se 180 denarë siç ishin marrë veshë paraprakisht me autoritetet shtetërore. Protestuesit janë ankuar se po ju blihen duhani nga klasat më të ulët. Nga ana tjetër, vitet e fundit është rritur interesimi për të mbjellë duhan edhe falë rritjes së çmimeve për shitblerje të duhanit, të cilat në vitin 2017 ishin afër 217 denarë për kilogram në mesatare. Ky çmim ishte për 21 denarë më i lartë se në vitin paraprak apo në vitin 2016, kur duhani është grumbulluar për 196 denarë.
Gjithashtu, në vitin 2019, çmimi mesatar ishte 214 denarë për një kilogram duhan ndërsa në vitin e kaluar që shquhet si një nga më të mirët janë grumbulluar 26 mijë tonë duhan me një çmim mesatar prej 220 denarë. Rritjen e interesimit për kultivimin e duhanit e ka mbështetur edhe ndihma e shtetit në të holla. Së fundmi, me modelin e ri të rritjes së subvencioneve, për një kilogram të duhanit të klasës së parë paguhen 80 denarë, për klasën e dytë paguhen 70 denarë, për të tretin dhe të tjerët paguhen 60 denarë për kilogram. Njëherësh, 19.050 prodhues të duhanit kanë fituar mbi 30 milionë euro subvencione në mesin e muajit prill të vitit 2020 për duhanin e prodhuar në vitin 2019. Edhe në vitin 2018 janë paguar shuma të larta për subvencione e duhanit në vlerë me afër 29 milionë euro. Në vitin 2013, në mesin e muajit mars 22.313 prodhues të duhanit kanë fituar 23 milionë euro në emër të subvencioneve për duhanin e prodhuar dhe të dorëzuar në vitin 2012. (koha.mk)