Të dhënat zyrtare të Sektorit për urbanizëm pranë Komunës Dibër thonë se më shumë se 10 vite, në buxhetin e Dibrës nuk kanë hyrë para për sferën e mirëmbajtjes së objekteve kulturore-historike. Po ashtu nuk është realizuar asnjë projekt që ka të bëjë me mirëmbajtjen e objekteve nga ana e institucioneve kompetente në vend
Vjollca SADIKU
Dibër, 4 maj – Edhe pse Dibra është një vendbanim i lashtë për plot me histori kombëtare, nga dekada në dekadë monumentet kulturo-historike të saj po zhduken. Rrënimi i objekteve me domethënie të madhe kulturore-historike faktikisht po zhdukin edhe historinë të popullit shqiptar në trojet e veta autoktone dhe në Dibër të Madhe. Mbi 10 vite në Dibër nuk është investuar asnjë denarë për mbrojtjen e objekteve kulturore-historike edhe pse Dibra ka patur një numër të madh të objekteve në fjalë. Edhe ato objekte që kanë ngelur, para syve të pushtetit vendor po rrënohen.
Të dhënat zyrtare të Sektorit për urbanizëm pranë Komunës Dibër thonë se më shumë se 10 vite, në buxhetin e Dibrës nuk kanë hyrë para për sferën e mirëmbajtjes së objekteve kulturore-historike. Po ashtu nuk është realizuar asnjë projekt që ka të bëjë me mirëmbajtjen e objekteve nga ana e institucioneve kompetente në vend. Arkitekti i njohur dibran, i cili është njohës i mirë dhe ekspert në lëmin e monumenteve kulturore-historike, Gazmend Cami, thekson se Dibra në kontinuitet është duke i humbur monumentet e vjetra. Sipas tij, edhe pse ka patur kërkesa për sanimin, rekonstruimin apo mirëmbajtjen e objekteve në fjalë, një kohë të gjatë nuk është financuar asnjë projekt që ka të bëjë me rekonstruimin e Hamamit të vjetër, apo edhe dhe sanimin e mirëmbajtjen e shtëpive dibrane me arkitekturë tipike tradicionale.
Në këtë drejtim, si për çudi – edhe institucionet që merren me mbrojtjen e këtyre monumenteve në vendin tonë nuk kanë përkrahur projekte konkrete. Disa projekte janë realizuar para një dekade kryesisht në sanimin dhe rekonstruimin të shtëpive me arkitekturë tipike dibrane dhe në këtë sferë – më vonë nuk është bërë asgjë.
Për shkak të situatës së këtillë, tashmë janë rrënuar tërësisht shtëpitë e njohura tipike dibrane, siç janë shtëpia e familjes Disha, Grazhdani, Haxhialili, por edhe objektet fetare. Ata shtëpi që kanë ngelur të pa rrënuara dhe sot – Dibra me to krenohet, ndërsa sanimet dhe rekonstruimet janë bërë me mjetet e vet pronarëve të tyre. Të këtilla janë shtëpia e familjes Erebara, dhe disa familje të tjera dibrane. Katër teqetë që e karakterizonin Dibrën u zhdukën dhe teqja e fundit e familjes Shehu, e cila gjendet në afërsi të tregut të vjetër të qytetit, u sanua me mjetet të vet familjarëve, edhe pse ishte në listën të mbrojtjes së monumenteve kulturore-historike. Monumentet fetare karakteristike në Dibër po ashtu janë sanuar dhe mirëmbajtur nga mbështetja financiare e vet dibranëve. Xhamia e Hynqarit ose Xhamia Mbretërore, e cila është një ndër xhamit më të vjetra në Ballkan – e ndërtuar që në vitin 1467, dhe e cila poashtu është në listën e Entit për mbrojtjen e monumenteve kulturore-historike, pritet të rekonstruohet me një projekt nga Agjencia qeveritare turke – Tika. Deri tani institucionet kompentente në vend nuk kanë bë sanimin e saj, prandaj Myftinia e Dibrës ka gjetur përkrahjen e Turqisë për rekonstruimin e saj.
Edhe në rajonin e Dibrës janë duke u dëmtuar monumente shumë domethënëse për Dibrën dhe rajonin. Urra e njohur e Drenit mbi lumin Reka e Vogël është një urë atraktive e ndërtuar që në kohën e Perandorisë Otomane. Ajo nga viti në vit pëson dëme, por që deri tani edhe pse ka patur reagime dhe kërkesa të shumta të sektorit joqeveritar, nuk është ndërmarrë asgjë nga Enti për mbrojtjen e monumenteve. Zhdukja e monumenteve po zhduk edhe historinë e këtyre trojeve, thonë dibranët. (koha.mk)