Nga Qerim LITA
Lëvizja Kombëtare Shqiptare gjatë viteve 60-ta të shekullit të kaluar, krahas opsionit të “Bashkimit Kombëtar”, doli edhe me një opsion tjetër, që parashihte krijimin e “Republikës së Kosovës”, në kuadër të së cilës do të përfshiheshin të gjitha viset shqiptare nën sundimin jugosllav, ndërsa ajo do të ishte pjesë integrale e federatës së atëhershme jugosllave, si Republika e shtatë. Në trevat shqiptare në Maqedoni kjo lëvizje politike, fillimisht u përhap në Strugë, Dibër dhe Kërçovë, që më vonë të zgjerohet edhe në Tetovë dhe Kumanovë. Shumica e anëtarëve të saj ishin mësues, studentë, që sipas burimeve të UDB-s maqedonase, vetëm në territorin e “Strugës dhe Dibrës, numri i anëtarëve të kësaj lëvizje arriti mbi 200”.
Ekzistojnë shumë arsye, që e shtynë inteligjencën e atëhershme shqiptare në Maqedoni të merr këtë hap të guximshëm dhe mbi të gjitha atdhetare, si: shpërngulja masive dhe e dhunshme e shqiptarëve nga trojet e tyre etnike për në Turqi, numri i vogël i nxënësve shqiptarë që e vijonin mësimin në shkollat e mesme dhe atë të lartë, mënjanimi i tyre nga jeta kulturore dhe informative, përndjekja permanente dhe në këtë drejtim burgosje masive të intelektualëve shqiptarë nga organet e UDB, trajtimi i tyre si pakicë nacionale, mospërfshirja e tyre në administratën shtetërore dhe në organet udhëheqëse partiake si dhe të organizatave politiko-shoqërore, në sipërmarrjet punuese etj., turqizimi dhe hapja e shkollave turke në territoret e pastra shqiptare, vendosja e kolonive maqedonase (emigracioni politik maqedonas nga Greqia), të cilët në mënyrë të organizuar pushteti i sillte nga shtetet socialiste të Evropës Lindore (Çekosllovakia, Rusia, Polonia etj) në vendbanimet urbane të Maqedonisë Veriperëndimore, etj. Diskriminimi i skajshëm i shqiptarëve nga “pushteti popullor” maqedonas shkaktoi reagime edhe te një pjesë e komunistëve shqiptarë. Në mbledhjen e Komitetit të qarkut të LKM në Tetovë, mbajtur më 26 nëntor 1963, anëtari i KQ të LKM dhe njëherësh deputet republikan, Bajram Gola, në mënyrë të hapur i akuzon organet e sigurimit, që sipas tij: “punojnë padrejtësisht, se përzihen edhe atje ku nuk duhet, me çka nxisin pasoja negative.” Ai më tej shtonë se: “Organet e sigurimit e teprojnë. Mbajnë qëndrim shumë të ashpër gjatë marrjes së masave. Në vend se të ndikojnë pozitivisht, ata burgosin nxënës, madje disa nga ata edhe i gjykojnë dhe në këtë mënyrë krijojnë frikë. Ata janë të rinj dhe të paformuar dhe, a thua duhet të ndërmerren masa të tilla ndaj tyre. Ata nxënës nuk janë të rrezikshëm..”, thekson veç tjerash Bajram Gola.
Duhet potencuar se ideja për krijimin e një qendre politiko kulturore shqiptare në ish federatën jugosllave merr përmasa më të zgjeruara pas plenumit IV të KQ LKJ, mbajtur në korrik të vitit 1966 dhe pas rënies nga skena politike e Rankoviçit. Siç dihet, në Brione, krahas largimit të Rankoviçit, u aprovuan edhe disa vendime tjera, përfshi këtu edhe “realizimin e menjëhershëm të barazisë nacionale, posaçërisht asaj shqiptare”. Këto vendime në Maqedoni nuk u morën parasysh, me arsyetim se: “Çështja shqiptare në Maqedoni duhet të shihet ndryshe nga ajo në Kosovë”, sepse siç deklarojnë udhëheqësit komunistë maqedonas: “Në Maqedoni nuk ka vepruar Rankoviçi” dhe se “këtu nuk ka pasur vrasje, burgosje dhe dëbime të dhunshme të shqiptarëve, siç kishte në Kosovë”. Kjo parullë e lëshuar nga kreu i LKM, ashpër u kundërshtua nga inteligjenca e atëhershme shqiptare, e cila theksonte: “se në disa vise realizimi i barazisë është demagogji” dhe se “ekziston numri i madh i të burgosurve, se UDB deri në Plenumin IV i ndiqte vetëm shqiptarët, se gjuha shqipe është e nënçmuar, se punësimi i shqiptarëve nëpër institucionet dhe ndërmarrjet shtetërore është shumë i vogël…etj.” Për ta zgjidhja e vetme e çështjes shqiptare do të ishte vetëm “bashkimi i tërë viseve shqiptare në Jugosllavi, në një qendër të vetme”, respektivisht “krijimi i Republikës shqiptare në Jugosllavi, qendra e së cilës do të ishte Prishtina…”
Ideja e re që doli në skenën politike shqiptare e tronditi thellë udhëheqjen e lartë komuniste jo vetëm maqedonase, por edhe atë të Kosovës, të cilët në verën e vitit 1967, në Ohër, mbajtën një takim të përbashkët. Palën e Kosovës e përfaqësonte Veli Deva, ndërsa atë maqedonase Vanço Apostollski. Ky i fundit, në Plenumin XII të KQ LKM, mbajtur më 30-31 tetor 1967, deklaron se dy palët në Ohër kanë diskutuar rreth: “disa mendimeve që ekzistojnë te ne për krijimin e një qendre të vetme për të gjithë shqiptarët në Jugosllavi”, dhe se edhe pala e Kosovës është pajtuar që “ekzistimi i një qendre të tillë politike është në kundërshtim të plotë me sistemin tonë të përgjithshëm dhe nëse qëndrime të tilla ekzistojnë do të duhej të eliminohen nga të dy palët”, sepse sipas tyre “ekzistojnë shumë faktorë, kurse një ndër ta është ekzistimi i Shqipërisë si shtet; pastaj se kufijtë republikanë patjetër duhet të shihen në kontekstin e shumë aspekteve historike, lidhja me kombësitë që atje jetojnë etj.” Çështja shqiptare në Maqedoni, do të jetë aktuale edhe gjatë vitit 1968 kur pas një pakënaqësie të madhe që u përhap në mbarë hapësirën shqiptare në Maqedoni, krerët komunistë maqedonas u detyruan që në Plenumin XIV, mbajtur me 1 mars 1968, të aprovojnë disa konkluzione, të cilat parashihnin disa avancime të statusit të shqiptarëve dhe turqve, që kryesisht kishin të bëjnë në sferën e arsimit të mesëm si dhe në përfshirjen e këtyre dy nacionaliteteve në administratën komunale. Veç kësaj, konkluzionet e aprovuara parashihnin edhe “ngritjen e statusit të shqiptarëve dhe turqve nga pakica nacionale në kombësi dhe dygjuhësia në vetëqeverisjen lokale”. Avancimi i statusit të shqiptarëve nga pakicë nacionale në kombësi, ishte një e arritur, mirëpo jo në ato përmasa sa propagandohej nga regjimi komunistë maqedonas, sepse shumë çështje tjera si: përdorimi i lirë i flamurit, përfshirja proporcionale në organet e shtetit dhe në ndërmarrjet ekonomike, zgjerimi i rrjetit të shkollave të mesme në gjuhën shqipe, në këtë kontekst edhe hapja e shkollave profesionale në gjuhën shqipe, zgjerimi i programit të radio-televizionit në gjuhë shqipe dhe gazeta “Flaka e Vëllazërimit” të jetë gazetë ditore etj., që ishin kërkesa të përditshme të inteligjencës shqiptare, nuk u morën parasysh, madje KQ i LKM, ato i konsideronte si kërkesa: “nacionaliste” dhe “separatiste”. Në analizën e përbashkët të Kryesisë dhe Këshillit Ekzekutiv të KQ të LKM, të hartuar në shkurt të vitit 1968, në mënyrë kategorike hedhet poshtë kërkesa e inteligjencës shqiptare që: “çështja e punësimit të zgjidhet në bazë të çelësit”, respektivisht: “në bazë të strukturës nacionale të popullsisë”, sepse, siç theksohet në të: “është në kundërshtim me parimet kushtetuese për barazi të njerëzve punëtorë, gjendjes shoqërore të njeriut si dhe subjekt i barabartë dhe i pavarur në marrëdhëniet politiko-ekonomike, që paraqet bazë e vetëqeverisjes, demokracisë socialiste dhe lirisë personale”.
Zvarritja e zbatimit të vendimeve të aprovuara në mbledhjen e XIV të KQ të LKM si dhe refuzimi i kërkesave të lartpërmendura, shkaktuan revoltë dhe pakënaqësi te mbarë opinioni shqiptarë në Maqedoni. Anëtarët e Lëvizjes, të pakënaqur me këto avancime të vogla, zhvilluan një aktivitet më të dendur. Ky aktivitet u shfaq publikisht, fillimisht me demonstratat e organizuara në Prishtinë më 28 nëntor dhe më pas me ato në Tetovë më 22 respektivisht 23 dhjetor, me rastin e festës së Bajramit. Tre ditë pas demonstratave, respektivisht me 26 dhjetor, sekretariati i KQ të LKM mbanë mbledhje urgjente me një pikë të rendit të ditës: “Çështja aktuale ideo-politike lidhur me demonstratat në Tetovë”. Në fund të seancës, udhëheqja më e lartë ekzekutive e KQ LKM lëshon një komunikatë për mjetet e informimit, në të cilën jepen vlerësimet politike, të sekretariatit, ku në fillim të komunikatës thuhet se: “Karakteri shovinist dhe armiqësor i demonstratave, me qëllime të hapura separatiste, me të drejtë solli një rezistencë të hidhur dhe dënime të ashpra nga popullata e Komunës së Tetovës”. Sipas tyre: “pikërisht, karakteri i organizimit të demonstratave dhe parullat e përgatitura paraprakisht nga udhëheqësit e tyre, e vërteton vlerësimin e organizatave politiko-shoqërore dhe klasës punëtore nga Komuna e Tetovës, se në këtë rast bëhet fjalë për një atak të drejtpërdrejtë të shoqërisë sonë vetëqeverisëse socialiste në arritjen e vëllazërim bashkimit ndërmjet maqedonasve, shqiptarëve dhe turqve në integritetin e Republikës Socialiste të Maqedonisë dhe integritetin e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë” Më tej në komunikatë thuhet: “e tërë kjo detyrimisht e imponon luftën e vendosur dhe efikase kundra çdo udhëheqësve të nacionalizmit, veprimtarisë së fshehtë apo të hapur të elementëve armiqësore..”
Me 13 janar 1969, thirret Plenumi III i KQ të LKM me rend dite “Raport i Sekretariatit të Komitetit Qendror të LKM ndërmjet Plenumit të Dytë dhe Tretë të KQ LKM”. Raportin para të pranishmëve e paraqiti Xhemail Vejseli, i cili në fillim tekstualisht thekson: “Demonstratat e 22 dhe 23 dhjetorit të vitit 1968 kanë ndikimin e tyre në gjendjen politike të komunës sonë, për shkak se ata ishin të përqendruara kundër integritetit territorial të Republikës Socialiste të Maqedonisë dhe Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë si edhe kundër vëllazërim bashkimit ndërmjet popullit maqedonas dhe kombësive shqiptare dhe turke. ” Ai, në vazhdim, pasi i numëron “të arriturat e mëdha të shqiptarëve falë politikës konstruktive të LKM”, shton: “Demonstratat ishin drejtpërsëdrejti të orientuara edhe kundër afirmimit të kombësisë shqiptare, sepse për qëllim patën ndërprerjen e proceseve pozitive në emancipimin e kombësive dhe anarkinë e mëtutjeshme të tyre, bashkërisht me popullin maqedonas në ndërtimin e shoqërisë socialiste vetëqeverisëse..”. Më pas Xhemail Vejseli flet rreth organizimit paraprak të demonstratave, që sipas tij, organizatorët: “me forcë i kanë vendosur flamujt nëpër minare gjatë kohës së Bajramit, pa dëshirën e klerikëve fetarë”, pastaj “thirrjen e punëtorëve të arsimit nga fshatrat që të lajmërohen në kuvendin komunal me 23 dhjetor, gjoja për incizimin e një emisioni për televizion; thirrjen e nxënësve shqiptarë që të dalin në shesh për shkak të mbajtjes së një mitingu për Vietnamin; mbishkrimet, pamfleteve etj.”, prandaj sipas tij, janë të papranueshme: “disa të dhëna që dalin nga disa tubime të veçanta, në të cilat përpiqen që demonstratat t’i paraqesin si spontane, të paqëllimta, joserioze dhe si vepër e huliganëve, duke e lanë anash karakterin dhe qëllimin e këtij akti”. Në debatin e zhvilluar menjëherë pasi u lexua raportit nga ana e Xhemail Veselit, u paraqitën mendime të ndryshme rreth “masave të ndërmarra si nga ana e organizatave politike, po ashtu edhe nga organet policore ndaj organizatorëve dhe pjesëmarrësve të demonstratave në Tetovë.” Sipas, Sllavko Millosavlevskit: “zërat që ditëve të fundit po dëgjohen se gjoja organet shtetërore kanë qenë shumë të rrepta, tepër frontale në luftën kundër organizatorëve dhe pjesëmarrësve të demonstratave nuk qëndrojnë”, sepse siç thekson, “organet shtetërore dhe, para së gjithash, organet e sigurimit veprojnë në pajtim me rolin, të drejtën dhe përgjegjësin e tyre.” “Në të kundërtën “, vazhdon Millosavlevski, “nëse ata kishin një paraqitje të kundërt, e cila do të lente zbrazëtirë në përgatitjen tonë që me të gjitha mjetet ta mbrojmë integritetin e bashkësisë sonë, në kuadër të veprimtarisë së tillë të organeve të sigurimit do të krijoheshin iluzione te një pjesë e elementeve të pazbuluara nacionaliste dhe kjo do të krijonte një tension të ri që do t’i zvogëlonte mundësit tona që deri në fund t’i kryejmë punët tona dhe në këtë mënyrë me ta të ballafaqohemi..”
Karakteristikë e veçantë e këtij plenumi është se gjatë debatit të zhvilluar rreth kësaj pike, do të inkuadrohen edhe anëtarët shqiptar në KQ të LKM, të cilët bëjnë gara njëri me tjetrin se cili është më maqedonas se maqedonasi. Kështu, Meti Kërliu, në paraqitjen e tij shprehet: “Unë nuk mund të largohem nga përshtypja dhe mendimi se nëse me të vërtetë duam t’i përcjellim këto paraqitje të kombësisë shqiptare të mos mundemi të gjejmë një vazhdimësi historike nëse kthehemi më mbrapa. Ne e dimë se edhe në kohën e okupacionit kur qe siguruar një progres armiku, atëherë dilte në skenë dhe manifestonte. Në rastin konkret të analizave të këtyre paraqitjeve, edhe në terren ndikonte veprimtaria e bandave balliste..” Më pas, Kërliu, ndalet në periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore, duke e përshkruar veprimtarinë politike të organizatës së “NDSH”, e që demonstratat e Tetovës paraqesin vazhdimësi të politikës, siç thekson ai, “armiqësore të asaj organizate”, e cila “të njëjtin flamur donte ta ngrejë për ta penguar bashkimin e popujve tanë. Kjo për armikun ishte një sinjal për veprim.” “Prandaj”, vazhdon Kërliu, “Përgjigjja edhe e kësaj veprimtarie në Tetovë, madje kudo qoftë si dhe në cilën kohë të paraqitet kjo, ajo vjen nga një qendër, kur i hapëm shtigjet e jetës shoqërore, demokracisë, kur u sqaruan shumë çështje edhe lidhur me flamurin dhe pikërisht ky ishte sinjali i elementeve armiqësore, qoftë në simbolin e flamurit ose tjetër, ose kur kombësia shqiptare korri rezultate të dukshme dhe kur u krijua inteligjenca shqiptare, kur njeriu punëtor tërësisht u çlirua, tërësisht vetëqeverisë pikërisht në atë moment u paraqiten elemente të ndryshme armiqësore.. etj.”
Në anën tjetër, Sadik Sadiku, është i mendimit se “për një paraqitje të tillë”, krahas “elementeve reaksionare” janë edhe disa faktorë tjerë, në radhë të parë “Flaka e vllazërimit”, e cila sipas tij, “duke i mohuar rezultatet pozitive dhe duke i theksuar vetëm çështjet negative, ndikoi që në Pollog të elektrizohet klima politike. Parashtrohet pyetja, a thua Flaka ishte e vetme? Mendoj se pas Flakës qëndronin njerëz të caktuar nga kombësia shqiptare, madje edhe nga politika zyrtare”. Ndërsa, sipas Kadri Jakupit, “Paraqitjet në Tetovë, të cilat kanë karakter anti-nacional ndaj politikës së LK, shumë pak janë dënuar nga anëtarët e LK..”. Ndaj kësaj deklarate, ashpër reagon Xhemail Vejseli, i cili, duke ju kundërvënë pohimeve të Jakupit, shprehet: “Nëse nuk është e qartë, unë edhe njëherë mund ta përsëris se demonstratat në Tetovë nuk patën karakter për zgjidhjen e barazisë së kombësive. Duhet të thuhet se armiku klasor ngel armik klasor dhe në momente të caktuara ai paraqitet me qëllimet dhe mendimet e veta për të krijuar një gjendje të tillë.” Në fund të debatit, KQ i LKM, aprovoi propozim konkluzionet e Sekretariati, me këtë përmbajtje:
“Aktiviteti ideo-politik i organizatave dhe anëtarësisë së Lidhjes Komuniste të Maqedonisë në aprovimin e rezolutave të Kongresit të pestë, në këto momente mori karakter më të zëshëm në afirmimin e patjetërsueshëm dhe më të plotë të politikës së LKM rreth çështjes nacionale dhe, në bazë të kësaj, përmbysjen e përpjekjeve për mbjelljen e mosbesimit dhe përçarjes në mesin e klasës punëtore në RS të Maqedonisë. Lidhur me këtë, Sekretariati i Komitetit Qendror, nisur nga Rezoluta për detyrat e ardhshme të LKM e aprovuar në Kongresin e Pestë dhe Vendimet për çështjet aktuale në realizimin e politikës së barazisë së kombësive në RS të Maqedonisë dhe aktiviteti ideo-politik i LKM (të aprovuar në mbledhjen e XIV të KQ të LKM, mbajtur më 1 mars 1968), më 9 dhjetor të këtij viti organizoi një këshillim më të zgjeruar, në të cilën u shqyrtuan disa paraqitje në jetën ideo-politike të Republikës, të lidhura me zbatimin e politikës rreth çështjes nacionale. Duke i përmbledhur diskutimet, si dhe aktivitetin konkret të organizatës së LKM, Sekretariati i KQ në mënyrë të veçantë i dalloi momentet si më poshtë:
- 1. E tërë periudha e pas luftës karakterizohet me politikë këmbëngulëse dhe njëkohësisht permanente të LKM sa i përket çështjes nacionale, e cila – si në bazën e saj nismëtare, ashtu edhe në realizimin konsekuent të saj, gjithmonë shkonte në dhënien e të gjitha parashikimeve reale për afirmimin sa më të gjerë të kombit maqedonas dhe kombësive që jetojnë në RS të Maqedonisë. Në këtë rrugë ishte e domosdoshme të përballohen vështirësitë të shumta, madje edhe rezistimin, që dalin nga trashëgimia e kaluar dhe turbullirat historike, njëkohësisht me krijimin e marrëdhënieve të tilla në të cilat njeriu punëtor gjithnjë e më shumë do të bëhet faktor në krijimin dhe zbatimin e politikës së tërësishme. Kjo betejë e pandërprerë për prosperitet revolucionar të shoqërisë në tërësi, mbështetur në parimet e humanizmit socialistë, me respekt të përkushtuar të individualitetit nacional, nga rezultatet e veta e, aq më tepër, nga perspektivat e hapura, u bë kuptimi dhe përmbajtja e ekzistencës sonë. Duke i hapur të gjitha dyert të jetesës shoqërore, ajo detyrimisht duhej t’i eliminojë marrëdhëniet e trashëguara, që në disa raste ishin edhe feudale, që e gjithë kjo bashkërisht, në vetëdijen e klasës punëtore, te kombi maqedonas dhe kombësitë, Lidhja Komuniste e afirmoi si avangardë të vetmen të tyre revolucionare.
DEMONSTRATAT QË SOLLËN FLAMURIN KOMBËTAR SHQIPTAR
Demonstrata e vitit 1968 në Tetovë, u organizua një muaj pas demonstratave në Kosovë. Organizatorë të drejtpërdrejtë të kësaj demonstrate qenë studentët shqiptarë nga Tetova që studionin bashkë me studentët e Kosovës në Universitetin e Beogradit dhe në disa fakultete të Prishtinës. Organizatorë të këtyre demonstratave ishin edhe disa patriotë të tjerë që i brengoste fati i kombit dhe pozita politike si dhe shtypja e vazhdueshme e shqiptarëve në Tetovë, në Gostivar, në Strugë, në Shkup, në Kumanovë dhe në qytete të tjera të banuara me shqiptarë në Maqedoni.
Shpërthimi i demonstratave është në lidhje të drejtpërdrejtë me disa ngjarje në Kosovë, pas Plenumit të Katërt të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, mbajtur në Brione më 1 korrik 1966, por edhe me disa ngjarje në Tetovë që i paraprinë demonstratës. Klima e krijuar pas Plenumit pati rëndësi të madhe. Në këtë kohë filloi një lidhje e bashkëpunim më i ngushtë i shqiptarëve të Maqedonisë me Kosovën. Numri i ekzemplarëve të gazetës “Rilindja” që dërgoheshin në Maqedoni në fillim u dyfishua, mandej u shumëfishua. Filloi depërtimi i madh i librave nga Kosova, në mesin e të cilëve kishte edhe botime të Tiranës. U hap libraria “Rilindja” në Tetovë. Shumë të rinj nga Tetova vinin në Kosovë për të parë pjesët teatrore, si: “Trimi i mirë me shokë shumë”, “Cuca e maleve”, “Shtatë shaljanët”, “Plaku i maleve”, etj. Më 1968, jubileu i 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut u bart nga Prishtina edhe në Tetovë, ndërsa që nga ky vit u bë edhe lejimi i pjesshëm i përdorimit të flamurit shqiptar, që pa dyshim ndikoi në ngritjen e vetëdijes kombëtare. Në shtator të vitin 1968, Fadil Hoxha, kryetar i Kuvendit të Kosovës, vizitoi fshatin Shipkovicë të Tetovës, ku u organizua një miting, me ç’rast foli edhe ai. Fjalimi i Fadil Hoxhës pati jehonë të madhe në rrethinën e Tetovës.
Rrethanat e tilla shoqërore-politike dhe lidhja me Kosovën ndikuan në thellimin e vetëdijes dhe i shtyu njerëzit të mendojnë më ndryshe nga ç’kishin menduar. Ata filluan t’i aktualizojnë disa çështje që kishin të bënin me barazinë kombëtare dhe filluan t’i shtrojnë më haptas problemet që i brengosnin, që, pa dyshim, do të ndikojnë drejtpërdrejt në shpërthimin e demonstratave. Në shpërthimin e demonstratave do të ndikojë edhe ngarkesa e popullit shqiptar me një kujtesë të rëndë dhe të hidhur historike. Vrasja masive e rreth 1.200 shqiptarëve në vitin 1945 në “Monopol” të Tetovës, i cili përkohësisht shërbeu edhe si kamp përqendrimi për shqiptarët, kishte lënë gjurmë të pashlyeshme. Kujtime të rënda kishin lënë edhe vrasjet e shqiptarëve anekënd Jugosllavisë gjatë vitit 1945 (në Tivar, në Dubrovnik, në Trogir, etj.). Burgosjet e shqiptarëve dhe proceset e montuara politike, të cilat filluan menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe zgjatën gjatë gjithë kësaj periudhe deri në vitet e gjashtëdhjeta, bënë ndikim të posaçëm në formimin e vetëdijes kombëtare. Burgosjet e para u bënë në vitin 1945, kur shumica e të burgosurve edhe u ekzekutuan. Në vitin 1946 u organizua gjykimi i parë i montuar në Shkup, i anëtarëve të organizatës Nacional Demokratike Shqiptare (NDSH), kur me vdekje u dënuan Azem Morana, Mehmet Bushi dhe Skënder Morana, që të tre nga Shkupi. Dy të parët u ekzekutuan, ndërsa të tretit dënimi iu shndërrua në 20 vjet burg. Në këtë proces u dënuan edhe shumë të tjerë prej 1 deri 15 vjet burg, shumica e të cilëve ishin nga Tetova. Në vitin 1948, menjëherë pas prishjes së marrëdhënieve me Shqipërinë, Nexhat Agolli, ministër i Arsimit, u dënua me vdekje, ndërsa i vëllai, Qemal Agolli, u dënua me burg të përjetshëm.
Në vitin 1952 pasoi një nga proceset më të mëdha politike, Grupi i Informbyroistëve Shqiptarë, me në krye arsimtarin e Shipkovicës, Sadudin Gjura, i cili u dënua me 20 vjet burg. Bashkë me të u dënuan edhe shumë të tjerë, si: Gani Luma, Sheraf Kazazi, Ismail Seiti, Vehbi Lushi, që të gjithë nga Tetova. Po këtë vit, në Tetovë, u dënuan edhe profesori Shani Mina dhe arsimtari Qerim Arifi, si edhe mësuesit Sejdi Misini dhe Hisni Abdullahu, që të dy nga fshati Sllatinë. Në vitin 1955, me 10 vjet burg, u dënuan mësuesit: Mehmetriza Murtezani – Gega, Muharrem Jusufi dhe Abdullah Kalishta, i cili më vonë do të konsiderohet edhe si ideolog i “nacionalizmit” shqiptar. Në vitin 1956, me burgim të rëndë, u dënuan disa intelektualë të atëhershëm, si: Raif Maleziu, Sylejman Arifi dhe Hysen Spahiu, që të gjithë nga Tetova, ndërsa nga Gostivari u dënuan: Adnan Agai, Sheraf Agai, Abdylazis Taravari, vëllezërit Naxhi dhe Fevaip Purde, etj. Në vitin 1959 u dënua mësuesi Kapllan Kallushi. Në vitin 1961 u dënua qytetari Safet Shahini dhe disa të tjerë.
MEHMETRIZA MURTEZANI-GEGA, SIMBOL I QËNDRESËS
Pas masave drakonike të vitit 1952, Mehmetriza Murtezani -Gega, njëri nga atdhetarët më të shquar të kësaj ane, i cili nga qeveritarët maqedonas u cilësua edhe si ideolog i tërë Lëvizjes që u bë në vitin 1968, ishte mjaft aktiv. Veprimtaria e tij pas vitit 1952 u dallua, në njërën anë, në pengimin e shpërnguljes për në Turqi, e cila pas vitit 1953 mori përmasa eksodi, ndërsa në anën tjetër në pengimin e fëmijëve shqiptarë që të regjistroheshin në shkollat turke. Veprimtaria e Mehmetriza Murtezanit nuk kufizohej vetëm në Tetovë, ndonëse ai këtu jetonte dhe punonte. Ai veproi edhe në Gostivar, në Shkup, madje edhe në Prishtinë, në Pejë, në Prizren, në Mitrovicë, në Gjilan, e në qytete të tjera, duke u përpjekur që t’i bindte njerëzit të mos shkonin në Turqi. Mirëpo, veprimtarinë propaganduese ia ndërprenë shumë shpejt organet e policisë, të cilat i ranë në gjurmë dhe, më 21 maj të vitit 1955, e kapën duke shpërndarë afishe në Hanin e Sharrit në Shkup. Përmbajtja kryesore e afisheve ka qenë: “Mos shkoni në Turqi, qëndroni në vendin tuaj!”. Për këtë akt patriotik, Mehmetriza Murtezani u dënua me 10 vjet burg. I vuajti 7 vjet dhe u lëshua nga burgu më 1962, me amnisti të përgjithshme. Me rastin e festës kombëtare, 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, pikërisht në vigjilje të saj, më 27 nëntor 1967, në shtëpinë e Mehmetriza Murtezanit u mblodh një grup të rinjsh për të festuar Ditën e Flamurit. Këtu, pos Mehmetriza Murtezanit, ishin të pranishëm edhe: Faik Mustafa, Ramadan Sinani, Hysenxhevat Kalishta, Miftar Zymberi, Fehmi Rufati, Abdyselam Selami, Xhemil Mustafa, Arbër Xhaferi dhe Abdylmenaf Rustemi. Gjatë asaj nate, derisa grupi këndonte këngë patriotike dhe zhvillonte biseda për padrejtësitë që u bëheshin shqiptarëve nga pushteti maqedonas dhe ai jugosllav, për pozitën e shqiptarëve sidomos në fushën e punësimit dhe të arsimit, vajza e Mehmetriza Murtezanit, Valdetja, trembëdhjetëvjeçare, përfundoi qëndisjen e flamurit kombëtar.
Herën e fundit, grupi u takua më 27 nëntor të vitit 1968 në shtëpinë e Faik Mustafës. Në këtë takim u diskutua dhe u bë plani për organizimin e demonstratave në Tetovë, në Gostivar, në Kumanovë, në Shkup dhe në qytete të tjera shqiptare. Sipas këtij plani, demonstratat në këto anë do të duhej të mbaheshin në pranverën e vitit pasues dhe pikërisht në muajin maj të vitit 1969. Por, ky plan ndryshoi. Demonstratat në Kosovë u organizuan pikërisht në këtë natë, kur ky grup nuk dinte gjë fare dhe sapo kishte filluar të diskutonte për këtë çështje. Pas shpërthimit të demonstratave në disa qytete të Kosovës, rrethanat kishin ndryshuar, andaj u shtrua si detyrë që demonstrata të tilla të organizoheshin edhe në Tetovë dhe në disa qytete të tjera, madje edhe para kohës së paraparë. Nga ajo natë grupi nuk ishte mbledhur dhe nuk kishte shqyrtuar çështjen e demonstratave, ndonëse Faik Mustafa shkëmbeu letra me Agim Jakën dhe me Ibrahim Rudin nga Gjakova, nga të cilët, gjatë muajit dhjetor 1968, mori udhëzime se si duhet të organizoheshin demonstratat dhe çfarë do të duhej kërkuar në to. Mirëpo, meqë nuk ishin bërë përgatitjet paraprake propagandistike, organizimi i demonstratave u la për më vonë.
NGJARJET QË U PARAPRINË DEMONSTRATAVE TË TETOVËS
Më 27 nëntor të vitit 1967, Shefit Pollozhani nga Struga, bashkë me Sejdi Llogën, Olloman Selën dhe Xhevat Lenën, ngritën flamurin kombëtar, shkruan parullat: “Rroftë 28 Nëntori!”, “Rroftë populli shqiptar!” dhe “Rroftë Shqipëria!”. Ky grup, në mënyrë ilegale, festoi edhe festën e 28 Nëntorit. Një vit më vonë, Festën Kombëtare e festuan edhe dy grupe të rinjsh në Gostivar: Zydi Bilalli, Shaip Bilalli dhe Naim Bilalli nga Çegrani dhe Hysen Hasani nga Forina e Gostivarit. Ata, në vigjilje të Festës Kombëtare, bashkë me disa të rinj të tjerë, u tubuan në lokalet e shkollës fillore, ku ngritën flamurin kombëtar dhe kremtuan këtë datë historike. Në të njëjtën natë, në fshat ishin shkruar edhe parullat me tekstin “Rroftë 28 Nëntori!”.
Një grup tjetër arsimtarësh nga Gostivari, në përbërje: Jusuf Dalipi, Xhavit Muharremi, Ymer Ymeri, Mustafë Rushiti, Refik Dauti, Flora Muharremi dhe Jamin Nuredini, mori vendim, po ashtu, që të kremtojë 28 Nëntorin. Vendimi u mor më 27 nëntor të vitit 1968, domethënë në vigjilje të festës, dhe më 28 Nëntor. Atë ditë, para dreke, Jusuf, Dalip e Xhavit Muharremi, Imer Imeri dhe Refik Dauti, e vendosën flamurin në veturë dhe parakaluan nëpër fshatrat Gajre, Forinë dhe Çegran. Mandej u kthyen në qytet, prej ku sërish u nisën dhe shkuan në drejtim të kundërt, në fshatin Debresht. Prej aty u kthyen në Gostivar dhe, pas dreke, Jusuf Dalipi, Jamin Nuredini, Refik Dauti, Mustafë Rushiti dhe Ymer Ymeri, me flamur në veturë, shkuan në Mavrovë, 18 kilometra larg Gostivarit. Aty hynë në restorantin e “Haneve të Mavrovës” dhe vendosën flamurin mbi tavolinë. Në këtë motel qëndruan rreth një orë dhe mandej u kthyen në Gostivar, ku arritën rreth orës 18:30 minuta. Prej këtu, Xhavit Muharremi dhe Flora Muharremi, me veturë ku ishte flamuri, u kthyen në fshatin Vërtok.
Në Tetovë, pikërisht në fshatin Poroj, në nëntor të vitit 1968, dita e shkollës fillore u kremtua me emër të ri “Skënderbeu”. Kjo kremte qe madhështore, por edhe policia qe përgatitur mirë dhe pritej vetëm ndonjë ekses dhe provokim i vogël që të kalojë në veprim. Emri i kësaj shkolle ishte ndërruar me iniciativën e Beqir Berishës, ish-këshilltar i arsimit, dhe ishte realizuar me angazhimin e drejtpërdrejtë të Servet Koxhaxhikut, mësues në këtë fshat. Ndërrimi i emrit u bë me rastin e kremtimit të 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. Me iniciativën e Beqir Berishës punohej edhe në ndërrimin e emrave të dy shkollave të tjera. Në fshatin Shipkovicë kërkohej që shkolla fillore “Jeta e re” të merrte emrin “Lidhja e Prizrenit”, me rastin e 90-vjetorit të kësaj ngjarjeje, ndërsa në fshatin Grupçinë propozohej që shkollës fillore “Zheden” t’i ndërrohej emri në “Kongresi i Manastirit”, që përkonte me 60-vjetorin e mbajtjes së Kongresit të gjuhës në Manastir. Derisa drejtori i shkollës së Shipkovicës, Nexhbedin Neziri, e kishte dhënë propozimin me shkrim në organet përkatëse të Komunës, drejtori (shqiptar) i shkollës së Grupçinit, spiun i përbetuar i policisë maqedonase, e kishte njoftuar në mënyrë të hollësishme policinë për rrjedhën e kësaj çështjeje. Para ngjarjeve të Gostivarit dhe para demonstratave në Kosovë, në Tetovë, më 18 tetor 1968, u bë bojkotimi njëditësh i mësimit të nxënësve shqiptarë të Gjimnazit të Tetovës. Ata kërkonin hapjen e paraleleve shqipe, propozim ky që ishte dhënë një vit më parë e që ishte përkrahur e miratuar nga Kuvendi Komunal i Tetovës Mirëpo, forcat shoviniste maqedonase e pengonin sendërtimin e tij. Këtë ngjarje, të gjithë faktorët politikë dhe shtypi jugosllav, e karakterizuan si një nga aktet më të rënda të marrëdhënieve ndërnacionale në Komunën e Tetovës dhe në Republikën e Maqedonisë. Me këtë rast u formuan komisione për hetime. Në gjimnaz erdhën delegacion pas delegacioni, u bënë mbledhje pas mbledhjeje, por synimi pjesërisht u realizua. Kërkesa e nxënësve për hapjen e paraleles në gjuhën shqipe u plotësua vetëm pas dy ditësh. Më 20 tetor filloi punën paralelja shqipe.
INCIDENTI ME FLAMURIN DHE PROVOKATORI MAQEDONAS
Në muajin nëntor të vitit 1968, Kuvendi Republikan i Maqedonisë, formalisht, kishte miratuar përdorimin e “lirë” të flamujve të kombësive, ky hynin edhe shqiptarët. Meqë flamuri nuk u ngrit dhe nuk u përdor askund gjatë festës së 29 Nëntorit – “Ditës së Republikës së Jugosllavisë”, shqiptarët filluan të blejnë flamuj nëpër shitore dhe të përgatiteshin t’i përdornin gjatë kremtes fetare – Bajramit, që ishte afër. Në mbrëmjen e 19 dhjetorit, në vigjilje të kremtes së Bajramit, flamujt shqiptarë u ngritën në disa xhami të qytetit të Tetovës. Në Xhaminë e Sahatit, e cila gjendet në qendër të qytetit, flamurin në minare e vendosi Murtezan Murtezani, vëllai i Mehmetriza Murtezanit – Gegës, personalisht me porosi të të vëllait.
Në Xhaminë e Vjetër (Eski Xhamia), flamurin e vendosi Abdullah Jusufi. Ndërsa, në Xhaminë e Pashës, flamurin e ngriti Haqif Ferati. Flamuri u ngrit edhe në disa shtëpi private dhe në disa dyqane. Masa për këtë ishte përgatitur nga Mehmetriza Murtezani – Gega. Ai, në Xhaminë e Sahatit, më 28 Nëntor, i foli masës për këtë festë, duke i propozuar të bëjë lutje për dëshmorët e atdheut. Maqedonasit ishin revoltuar me ngritjen e flamujve shqiptarë gjithandej qytetit të Tetovës, prandaj përgatitën një skenar provokues. Në orët e mbrëmjes, të datës 22 dhjetor 1968, shovinisti maqedonas, Sreçko Janeski, grisi flamurin kombëtar, të ngritur në dyqanin e Ismail Spahiut, në qendër të qytetit. Njerëzit që ishin aty pranë reaguan kundër këtij provokatori. Masa filloi të tubohet dhe të bëhet gjithnjë më e madhe. Provokatori, Sreçko Janeski, nxori revolen dhe ia drejtoi masës duke u zmbrapsur në lokalet e “Hotel Makedonija”. Protestuesit shqiptarë thyen xhamat e hotelit dhe u futën në lokalet e tij, por së shpejti arriti policia, e cila e mori në mbrojtje provokatorin shovinist. Më të dalluarit në këtë reagim ishin mjekët Harun Jakupi dhe Mahmut Bajraktari, si dhe arsimtarët Selajdin Hyseini dhe Abdullah Kalishta.
PROTESTA U SHNDËRRUA NË NJË DEMONSTRATË TË FUQISHME
Të nesërmen, më 23 dhjetor, protesta u shndërrua në një demonstratë të fuqishme. Organizatorë të saj të drejtpërdrejtë ishin: Faik Mustafa, Ramadan Sinani, Ismail Emini dhe Hysniqemal Merxhani, të cilët shkruan parullat dhe dhanë kushtrimin për fillimin e demonstratës. Ndër parullat kryesore ishin: “Rroftë Fadil Hoxha!”, “Poshtë shovinizmi maqedonas!”, “Kërkojmë hapjen e Universitetit të Kosovës!”, “Kërkojmë përdorimin e lirë të flamurit kombëtar!”, etj. Diçka para orës 11:00, demonstruesit ishin tubuar para dyqanit të provokatorit Sreçko Janeski. Masa ishte bërë shumë e madhe. Ndërkohë kishin ardhur edhe shumë fshatarë nga rrethina e Tetovës, në tubimin e të cilëve kishin kontribuar në mënyrë të posaçme Sali Bakiu nga Reçica dhe Ismail Saliu nga Gradeci. Demonstrata filloi në orën 11:00. Me angazhimet e tyre, në mënyrë të veçantë, u dalluan: Sejfullah Zylbeari, Jakup Leka, Hamit Saliu, Nexhbedin Neziri, Neshat Zylbeari, Gafur Zylbeari, etj. Demonstruesit u nisën nga qendra e qytetit të Tetovës. Së pari iu drejtuan selisë së Komitetit Komunal të Lidhjes Komuniste, në ndërtesën e të cilit u futën demonstruesit, duku hyrë madje edhe nëpër zyrat e tij. Këtu u dallua në mënyrë të veçantë nxënësi i gjimnazit, Hamit Saliu, i cili e shpaloi flamurin kombëtar në dritaren e një zyre në katin e tretë të Komitetit të Partisë Komuniste. Prej këtu demonstruesit u kthyen në qendër të Tetovës dhe prej atje iu drejtuan Sekretariatit për Punë të Brendshme, UDB-së, duke kaluar gjithnjë nëpër rrugët kryesore të qytetit. Para ndërtesës së UDB-së demonstruesit qëndruan një kohë të gjatë duke kërkuar lirimin e të burgosurve, sepse demonstruesit ishin informuar se, tashmë, ishin të burgosur shumë shqiptarë. Demonstruesit, sërish, u kthyen në qendër të qytetit, ku qëndruan një kohë të gjatë duke brohoritur parulla për barazi kombëtare. Në orët e vona të pasdites, në qendër të qytetit, ishte tubuar një masë e madhe prej më se 20.000 vetash, e që shtohej gjithnjë. Krahas masës filluan të vijnë edhe përforcime të policisë speciale nga Shkupi dhe nga qytetet e afërme, të cilët e bënë masën e demonstruesve gjithnjë më të padurueshme dhe më agresive.
Në atmosferën e këtij entuziazmi të madh të demonstruesve, kur në qendër të qytetit dëgjoheshin vetëm brohoritje të ndryshme, djaloshi 20-vjeçar, Shifajet Fetahu, hipi në shtyllën gjashtë metra të lartë metalike dhe e ngriti flamurin kombëtar, për të parën herë që kur kishte përfunduar Lufta e Dytë Botërore. Ngritja e flamurit para kësaj mase të madhe njerëzish qe akti kulmor i kësaj demonstrate. Pas pak kohe, një i porositur nga ana e qeverisë maqedonase, u paraqit në një dritare të një ndërtese dhe nëpërmjet megafonit iu kërcënua masës se brenda disa minutash do të fillojë ora policore dhe intervenimi i policisë. Demonstruesit reaguan rreptë, por pas disa minutash, meqë demonstruesit e kishin bërë të veten, filluan të largohen dhe në këtë mënyrë përfunduan demonstratat dyditëshe, më 22 dhe 23 dhjetor 1968, në Tetovë.
GLORIFIKIMI I DEMONSTRATAVE
Me qëllim të marrjes së masave sa më të rrepta kundër shqiptarëve, të shtimit të terrorit shtetëror, si dhe të kthimit të situatës parabrioniane në Kosovë dhe në të gjitha viset e tjera shqiptare, qeveritarët maqedonas glorifikuan shumë qëllimin e demonstratave. Ata demonstratat i paraqitën si “armiqësore” e më kërkesa irredentiste për bashkim vertikal të shqiptarëve në Jugosllavi, për bashkim me Kosovën dhe me Shqipërinë. Me qindra shqiptarë u burgosën dhe u dënuan me kundërvajtje, ndërsa 54 veta u dënuan me dënime mbi një vjet burg të rëndë. Përkundër faktit se dënimet ishin shumë të rënda, maqedonasit planifikonin edhe dënime me vdekje dhe shumë dënime me burg të rëndë mbi dhjetë vjet. Mirëpo, situata ndërkombëtare dhe pozita që gëzonte atëherë Jugosllavia, e bënë të veten. Maqedonasit, në këto rrethana dhe në këtë situatë, qenë të detyruar të kënaqen edhe me vetëm një dënim maksimal prej shtatë vjetësh, që ia shqiptuan atdhetarit të njohur, Mehmetriza Muretezanit – Gega. Shtypi maqedonas i dha publicitet shumë të madh demonstratave, në mënyrë që të tërhiqte vëmendjen e opinionit jugosllav kundër shqiptarëve, por kjo u kthye si bumerang kundër vetë maqedonasve, për arsye se çështja shqiptare filloi të dalë para opinionit ndërkombëtar. Maqedonasit nuk patën mundësi ta ndryshonin situatën as në Kosovë. Përkundrazi, me përfundimin e gjykimeve në Kosovë, ku dënimi më i lartë qe 5 vjet, maqedonasit u gjetën në një situatë të vështirë dhe nuk dinin se si të arsyetonin numrin e madh të të burgosurve politikë.
NDJEKJET DHE BURGOSJET
Pos burgosjeve masive në Tetovë, u burgosën shumë veprimtarë edhe në Strugë, në Shkup, në Gostivar, në Kërçovë, etj., madje edhe ata që nuk kishin pasur kurrfarë lidhjesh me demonstratat. Kështu, për shembull, në Shkup u burgos dhe u dënua Sejdi Kryeziu, me 5 vjet burg, gjoja se ka bërë “propagandë armiqësore” për shkëputjen e Maqedonisë Perëndimore dhe për bashkim me Shqipërinë, ndërsa Inajet Bariu u dënua me një vit burg, po për “propagandë armiqësore”. Në Strugë u burgosën dhe u dënuan: Irfan Vlashi, me 6 vjet burg për “diversion”; Tosun Roçi, me 5 vjet burg; mandej Suria Qyra, në Kërçovë; Sali Ramadani, etj. Për dënimin e intelektualëve shqiptarë anekënd Maqedonisë, që ishin në sy të burokracisë shoviniste maqedonase, gjyqet shfrytëzuan edhe disa dëshmitarë që u shërbyen me gënjeshtra. Për dënimin e grupit të Mehmetriza Muretazanit – Gegës, para gjyqit dolën 103 dëshmitarë, prej të cilëve vetëm 3 veta dëshmuan në favor të aktakuzës. Për dënimin e grupit të Gostivarit dëshmuan 62 veta, por përgjithësisht në favor të të akuzuarve. Demonstratat e Tetovës aktualizuan çështjen e flamurit kombëtar shqiptar në nivel të federatës jugosllave dhe së shpejti u miratua vendimi që ai të përdoret zyrtarisht në të gjitha festat, ndonëse këtë vendim Maqedonia nuk e përfilli deri në vitin 1975. Ato, më tutje, ngritën vetëdijen kombëtare, shtuan interesimin për shkollim dhe aktualizuan çështjen e pazgjidhur shqiptare, si në nivel të vendit, ashtu edhe në nivel ndërkombëtar. Ky qe një bumerang për maqedonasit, të cilët, përgjithësisht, me masat drakoniane kundër shqiptarëve, u treguan si politikanë të rangut të ulët dhe e humbën luftën politike.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.