Për ta bashkuar islamin me sekularizmin nevojitet të bëhet dekonstruktimi i sheriatit si sistem etiko-ligjor i krijuar në kushte historike që reflekton superioritetin e myslimanëve në pothuajse çdo aspekt. Pa u ndarë nga kjo trashëgimi, pa e rigjeneruar sheriatin për t’i pranuar kushtet moderne si premisa të veta, ai do të shërbejë vetëm si instrument i alienimit të myslimanëve nga bota ku jetojnë dhe veprojnë
Nga Sead ZIMERI
A mund të sekularizohet islami? A mundet që islami të bashkë-ekzistojë me një shoqëri pluraliste brenda kufijve të sekularizmit? A mundet që sheriati që përbën indin e islamit, ta pranojë tjetrin si plotësisht të barabartë? Ç’do të thotë kjo për natyrën gjithëpërfshirëse të sheriatit islam? A është, në fakt, natyra gjithëpërfshirëse e sheriatit, pjesë e vetë sheriatit pa të cilën sheriati nuk do të mund të mendohej si sheriat apo është zhvillim historik për të plotësuar nevojat e myslimanëve të atyre kohërave? Kjo është pyetja qendrore e çdo diskutimi mbi islamin sot. Nuk mjafton që islami dhe sekularizmi të vëndosen ballë-për-ballë dhe të kërkohet që islami në formën në të cilën është të përputhet me sekularizmin.
Është mëse e qartë se islami aktual në të gjitha versionet e tij nuk përputhet me sekularizmin. Ai është detyruar në praktikë ta pranojë sekularizmin por nuk ka arritur të zgjidhë në teori problemet me të cilat e ballafaqon sekularizmi. Prandaj kemi shpërthime të këtilla të islamit politik (politizimit të sheriatit si instrument të islamizimit të shoqërive sekulare) që imagjinon se ai mund ta aplikojë sheriatin ashtu siç është duke e anulluar sekularizmin si një koncept që ndërmjetëson bashkë-ekzistencën me grupet e tjera. Deri më sot nuk ekziston një përpunim teorik që ia mundëson islamit pranimin e sekularizmit pa kontradiktë teologjike.
Si doktrinë ahistorike (por i zhvilluar historikisht) ai nuk mund ta pranojë uljen e vetes në nivel barazie (fjala e Zotit është më e larta) sepse ai është formuar gjatë një kohe kur myslimanët ishin superiorë ndaj çdo kulture tjetër dhe sheriati si organ ligjor dhe moral, si shprehje e këtij superioriteti, ishte i pakonkurrueshëm. Sheriati do të sundojë për shekuj me radhë sepse qytetërimi mysliman ishte i fuqishëm dhe i pakrahasueshëm në diversitetin e tij. Sheriati do ta reflektojë edhe superioritetin edhe diversitetin e kulturave islame, prandaj edhe ekziston një fleksibilitet i mahnitshëm në sheriat.
Me rënien e qytetërimit islam dhe ngritjen e qytetërimit perëndimor, lindi dilema e rolit të sheriatit, i cili tanimë ishte ngurtësuar në rregulla që nuk reflektonin aktualitetet e ndryshme të rënies por thjesht prentendonin që bota akoma ishte e tyre; por bota kishte ndryshuar. Myslimanët do të mbahen pas sheriatit sepse aty do të gjejnë thesarin më të lartë të qytetërimit mysliman dhe njëkohësisht alienimin e tyre të plotë nga realitetet ku jetonin. Sheriati do t’i mundësojë myslimanëve të jetojnë në botë paralele: në botën e madhe por tani të kaluar të sheriatit dhe në botën reale të rënies dhe dekadencës. Duke qenë se sheriati do të dështojë të zhvillohet në përputhshmëri me rrethanat aktuale, ai vetëm sa do të izolohet edhe më tepër nga misioni i tij dhe do të shndërrohet përfundimisht në një strukturë të ngurtë që nuk i shërben nevojave dhe interesave të myslimanëve. Sheriati do të vazhdojë të ekzistojë por vetëm si një ideal i të kaluarës.
Kjo strukturë e sheriatit që reflekton një botë të lashtë nuk është në gjendje të inkorporojë nevojat e myslimanëve bashkëkohorë. Ajo që u duhet myslimanëve sot është një sheriat (një kod etik dhe ligjor) që niset nga premisa e barazisë së myslimanëve me gjithë të tjerët që pastaj të jetë në gjendje të përmbushë nevojat e myslimanëve në shoqëri pluraliste.
Domethënë, për ta bashkuar islamin me sekularizmin nevojitet të bëhet dekonstruktimi i sheriatit si sistem etiko-ligjor i krijuar në kushte historike që reflekton superioritetin e myslimanëve në pothuajse çdo aspekt. Pa u ndarë nga kjo trashëgimi, pa e rigjeneruar sheriatin për t’i pranuar kushtet moderne si premisa të veta, ai do të shërbejë vetëm si instrument i alienimit të myslimanëve nga bota ku jetojnë dhe veprojnë. Pa u bërë kjo, pajtimi i sheriatit me sekularizmin mund të jetë mirazh, por jo realitet dhe myslimanët do të vazhdojnë të jetojnë në dy botë diametralikisht të kundërta.