Ndonëse motivet e shumicës së protestuesve janë të qarta dhe vendimtare, kjo nuk garanton ndryshime drejt së mirës. Maqedonia e Veriut, e cila pas demonstratave disamujore ushtroi presion ndaj Qeverisë së saj për zgjidhjen e kontestit afatgjatë për emrin me Greqinë, paraqet shembull premtues dhe frymëzues. Por, një mbikëqyrje më realiste do ta kishte përshkruar Maqedoninë e Veriut si përjashtim në rajon
Fundjava e kaluar është shënuar me edhe një valë protestash antiqeveritare në Serbi, Mal të Zi dhe në Shqipëri, ku me dhjetëra mijëra njerëz dolën në rrugë. Kështu fillon analiza e Vasko Garçeviç, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomacisë në Universitetin e Bostonit, në ueb-faqen „The Globe Post“ për protestat që i kanë përfshirë vendet ballkanike në muajt dhe javët e fundit.
Duke protestuar kundër pushtetit autoritar, korrupsionit të elitës në pushtet, që është karakteristikë e rajonit, partikratisë dhe situatës së përkeqësuar ekonomike, serbët demonstrojnë me muaj të tërë, derisa në Mal të Zi dhe në Shqipëri protestuesit janë në rrugë vetëm disa javë. Ndonëse shumica e protestuesve në tri shtetet ballkanike e tregojnë pakënaqësinë e tyre në rritje ndaj atyre që janë në pushtet dhe tregojnë dëshirë të fuqishme për ndryshim të përgjithshëm, demonstratat nuk mund të vihen me një emërues të përbashkët.
Trazirat qytetare filluan në Republikën Sërpska, zonën autonome serbe në Bosnjë e Hercegovinë. Rasti me nxënësin që ndërroi jetë pas brutalitetit të mundshëm policor shkaktoi pakënaqësi te njerëzit. Pas disa javësh, autoritetet ndaluan protestat dhe arrestuan organizatorët. Në Shqipëri, trazirat i organizon partia opozitare, agjenda ditore politike e së cilës është të bëjë thirrje për zgjedhje të reja dhe të sjellë partinë e saj në pushtet. Në Serbi, mitingjet antiqeveritare të shkaktuara nga rrahja e liderit të opozitës janë përzierje e aktivizmit civil dhe inxhinieringut politik. Ndërkohë, në Mal të Zi, mosdëgjueshmëria qytetare është nxitur nga skandalet korruptuese në të cilat ishin përfshirë funksionarë të lartë të partisë në pushtet.
Protestat janë të qeta dhe grupet civile, së paku deri tani, e mbajnë anash opozitën me prirje nacionaliste.
URIA PËR REFORMA DEMOKRATIKE
Ndonëse motivet e shumicës së protestuesve janë të qarta dhe vendimtare, kjo nuk garanton ndryshime drejt së mirës. Maqedonia e Veriut, e cila pas demonstratave disamujore ushtroi presion ndaj Qeverisë së saj për zgjidhjen e kontestit afatgjatë për emrin me Greqinë, paraqet shembull premtues dhe frymëzues. Por, një mbikëqyrje më realiste do ta kishte përshkruar Maqedoninë e Veriut si përjashtim në rajon. Nga ana tjetër, ndryshimi i pushtetit nuk është e thënë të shpie drejt përgjegjësisë më të madhe. Serbia është dëshmi për këtë, si edhe Shqipëria, ku as Partia Socialdemokrate e cila është në pushtet, as Partia Demokratike opozitare nuk e arritën atë që e duan qytetarët: reforma efektive demokratike.
Mali i Zi, ku një parti politike është në pushtet me dekada të tëra, shpesh paraqitet si partikrati, ku kufiri mes shtetit dhe partisë në pushtet është i paqartë. Njëherësh, vendi arriti përparim në procesin e aderimit në BE dhe u lëvdua në Bruksel si udhëheqës rajonal. Megjithatë, kjo më shumë është e ndërlidhur me (pa)aftësinë e pjesës së mbetur të rajonit që të reformohet, sesa me përparimin evident në Mal të Zi.
ROLI I PARTIVE OPOZITARE
Ato që janë në pushtet mbajnë përgjegjësinë më të madhe për reformat sociale, por nuk janë arsyeja e vetme për zhvillimin e ngadalshëm të demokracisë. Një pasqyrë të partive opozitare në Serbi dhe në Mal të Zi hapë çështje për potencialin e tyre demokratik. Profili politik i “Aleanca për Serbinë”, që ekzistojnë prapa protestave në vend, është i paqartë. Kjo është përzierje e disa partive të matura politike, që përbëjnë një minoritet të qetë. Manifesti politik i Aleancës është premtues në disa marrëdhënie, meqë insiston në demokraci, media të lira dhe zgjedhje të lira. Ai, megjithatë, është shumë i paqartë kur bëhet fjalë për anëtarësimin e Serbisë në BE, si dhe për bashkëpunimin me Moskën dhe politikën rajonale. Në raport me Kosovën, Aleanca është më e ngurtë sesa Qeveria aktuale. Është brengosës fakti që në “Aleancën për Serbi” është edhe lëvizja ekstreme djathtiste, shoviniste “Dveri”, e cila parakalon me pozicione antievropiane, ortodokse-konservative. Mali i Zi ofron pak a shumë pasqyrë të njëjtë me disa nuanca të reja pozitive.
Njëra prej partive më të mëdha opozitare, Fronti Demokratik, i cili konsiderohet aleat kyç i Kremlinit në vend, ngushëllohet me protestat e vazhdueshme në Mal të Zi, por u kundërvihet ngjarjeve të ngjashme me ato në Serbinë fqinje. Njëri prej liderëve të Frontit para do kohë iu bashkëngjit “Lëvizjes” anti BE të Stiv Banonit. Asnjëri prej liderëve opozitarë nga Mali i Zi ose nga Serbia nuk e dënoi publikisht tubimin e paradokohshëm të ithtarëve të veshur me të zeza të lëvizjes ultranacionaliste çetnike serbe. Në mitingun në Vishegrad, Bosnjë e Hercegovinë, këta nacionalistë e kënduan “lumi Drina sërish do të përgjaket”. Drina e paraqet kufirin mes Serbisë dhe Bosnjës, ndërsa Vishegradi është vendi ku në vitin 1992 ishin vrarë myslimanët, në fillim të luftës në Bosnjë.
Në rajonin që vuante nga konflikti i përgjakshëm ndëretnik, secili grup politik që dëshiron të jetojë sipas profilit të tij të proklamuar civil dhe promovon tolerancë duhet doemos të distancohet nga ithtarët e urrejtjes dhe dhunës etnike.
JO PRANVERËS BALLKANIKE
Pjesëmarrësi kryesor i jashtëm – Bashkimi Evropian – është joaktiv dhe nuk dëshiron të ndalet prapa protestuesve. “Jo, pranverës ballkanike” ishte njëri prej reagimeve të para të Brukselit ndaj protestave. Në kulmin e sagës Bregzit, disa muaj para zgjedhjeve evropiane dhe të ngarkuar me populizmin dhe nacionalizmin personal, gjëja e fundit që Brukseli e dëshiron është paqëndrueshmëri e Ballkanit. Shmangia e konflikteve me BE-në rrallë i mbështetë format jashtëinstitucionale të luftës politike, ndërsa sot – më shumë se kurdoherë më parë. Moska, aktori tjetër i jashtëm, i ndjekë me kujdes zhvillimet, duke i mbështetur lojtarët e saj në këtë lojë. Në Serbi ata nuk kanë se çfarë të humbasin, derisa në Mal të Zi kanë potencial për përfitim të madh. Pas demonstratave disamujore, shtrohet pyetja logjike: çfarë tutje? Protestat mund të radikalizohen lehtë, siç ndodhi javën e kaluar në Serbi dhe në Shqipëri. Protestat mund të rrëmbehen nga opozita nacionaliste, gjë që do ta bënte të lumtur Kremlinin. Asnjëra nga ato që përmendëm më sipër nuk është recetë për sukses.
Përveç Shqipërisë, ku ekziston mundësia për zgjedhje të parakohshme në horizont, ka pak shenja se kërkesa ambicioze politike të protestuesve do të merren parasysh. Qeveritë në rajon konsiderojnë se koha është aleati i tyre më i fuqishëm. Pa qenë nën presion, ata besojnë se energjia e rrugës do të shuhet. Ja, prandaj Ballkani përjeton vazhdimisht një formë të ngjashme. Në çdo periudhë prej disa viteve qytetarët dalin në rrugë për të shprehur pakënaqësinë e tyre nga politikanët e korruptuar, por pas një kohe të caktuar energjia zhduket dhe vendet u kthehen skemave të vjetra. Në një ekuacion të këtillë politik, për të marrë biletë për udhëtim demokratik, duhet që Brukseli të jetë në anën tuaj. Megjithatë, fitohet përshtypje se BE-ja nuk është e gatshme ose thjeshtë ka prioritete të tjera. (BGNES, Sofje)