Pierluixhi Kolina, ish-gjyqtari i njohur ndërkombëtar e aktualisht presidenti i Komisionit të Gjyqtarëve në FIFA, është kthyer pa dashje në objektivin e mediave për një lajm që më pas rezultoi se është një “fake news”. Emri i tij qarkulloi në mediat në Armeni si një prej atyre që janë bërë pjesë e një skeme mashtrimi për të adoptuar ilegalisht fëmijë në këtë vend.
Një gazetë armene publikoi emrin e Kolinës mes atyre që hetoheshin se kishin përfituar nga skema ilegale, mes shumë shtetasve të huaj që kishin ardhur në këtë vend për të adoptuar fëmijë pa shumë burokraci me të cilat ndesheshin në vende të tjera. Situata tronditi Kolinën i cili menjëherë kërkoi shpjegime, aq sa edhe u vu në lëvizje edhe Ministria e Drejtësisë Armene e cila përgënjeshtroi gjithçka duke e cilësuar “moralisht dhe ligjërisht të papranueshme publikimin e lajmeve të rremë të këtij lloji”.
“Unë mbeta i shtangur kur lexova se kisha adoptuar në mënyrë ilegale një fëmijë armen. Edhe pse duke pasur shumë respekt për ata që e kanë bërë një gjë të tillë konform rregullave të shtetit, unë dhe gruaja ime nuk kemi menduar kurrë që të adoptojmë një fëmijë. E vlerësoj si të pabesueshme që emri im është lidhur me një hetim mbi një sistem adoptimesh ilegale dhe sigurisht që do të mbroj emrin dhe imazhin tim ligjërisht”, ishte komenti i Kolinës rreth kësaj çështje.