Kreu i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Serbi hedh poshtë pretendimin e ministrit të qeverisë se të dyja palët kishin rënë dakord që Serbia të mos i fshijë adresat e shqiptarëve nga Serbia jugore. Përfaqësuesit e shqiptarëve etnikë në Serbi i thanë BIRN se nuk kanë arritur asnjë marrëveshje me qeverinë e Serbisë për fshirjen e pretenduar të adresave të shqiptarëve në jug të vendit, pavarësisht pretendimeve të zyrtarëve qeveritarë.
“Nuk ka asnjë marrëveshje,”- tha për BIRN Ragmi Mustafi, kreu i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Serbi.
Të mërkurën, Gordana Comic, ministrja Serbe për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave dhe Dialogun Social, i tha Bujanovackes, media lokale e komunës me shumicë shqiptare të Bujanocit në Serbi: Nuk ka fshirje të organizuar të adresave të shqiptarëve në Serbi dhe nuk ka gjë tjetër veçse zbatimit të Ligjit për Qëndrimin”.
“Ne kemi rënë dakord për këtë me përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve”,-shtoi Comic.
Mustafi e hodhi poshtë idenë e një marrëveshjeje dhe i tha BIRN: Nëse një gjë e tillë konfirmohet, unë do të jap dorëheqjen.
Ai tha se Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve kishte “ofruar ndihmë juridike falas” sapo kishte mbledhur të dhëna për fenomenin e fshirjes së adresave të shqiptarëve etnikë në tri komunat e Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës.
“Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve tashmë ka filluar procesin gjyqësor në Gjykatën Supreme të Beogradit për rastin e fshirjes së adresës së Safet Demirit nga Medvegja… me qëllim dërgimin e çështjes në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut,”-shtoi Mustafi.
BIRN raportoi më parë se adresat e mijëra shqiptarëve etnikë nga Lugina e Preshevës, të cilët mendohej se nuk jetonin më në adresat e tyre të regjistruara, po klasifikoheshin si joaktive. Shumë shqiptarë etnikë janë larguar nga zona e pazhvilluar kufitare në vitet e fundit, duke kërkuar perspektiva më të mira në Kosovën fqinje apo gjetkë. Ekspertët dhe politikanët shqiptarë etnikë thonë se fshirja e adresave të tyre serbe është një shkelje e të drejtave të njeriut dhe është bërë për të ndryshuar artificialisht përbërjen zyrtare etnike lokale dhe përfaqësimin e saj politik.
Rajoni kufitar shumë-etnik dy dekada më parë pa përleshje midis rebelëve shqiptarë dhe forcave serbe të sigurisë si pasojë e luftës në Kosovë. Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi ka mbështetur pretendimet e shqiptarëve duke e cilësuar si “spastrim etnik përmes mjeteve administrative“.
Në maj, kryetarja e Preshevës Ardita Sinani tha për BIRN se fshirja e adresave të shqiptarëve etnikë në Serbi ishte një “përpjekje për spastrim etnik” dhe kërkoi që çështja e shqiptarëve etnikë në tre komunat serbe të bëhej pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Kosovës dhe Serbisë. Në fund të marsit 2021, raportuesit e Kosovës dhe Serbisë për Brukselin thanë se BE-ja do të hetonte nëse Serbia po i klasifikon adresat e shqiptarëve etnikë në Serbi, që jetojnë jashtë vendit, si “joaktive”.
Në dhjetor 2020, BIRN raportoi rastin e një shqiptareje etnike, Teuta Fazliu, nga Bujanofci, e cila e kishte dërguar rastin e saj në Gjykatën Administrative të Serbisë. Fazliu i tha BIRN të premten, pothuajse një vit më vonë, se çështja ishte ende në Gjykatën Administrative dhe nëse vendimi do të ishte kundër saj, ajo do ta dërgonte çështjen në Gjykatën Kushtetuese, e cila përcakton nëse ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut.
Qeveria serbe dhe Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve janë ende duke negociuar çështjen e fshirjes së adresave, të ndërmjetësuara nga misioni i OSBE-së në Serbi. BIRN kontaktoi misionet e OSBE-së dhe BE-së në Serbi në lidhje me pretendimet e Coci-t, por nuk mori përgjigje.