Kur koronavirusi nisi të përhapej, shumë afganë vazhdonin ta mohonin edhe pasi ishte bërë e qartë se bëhej fjalë për krizë të dukshme dhe vdekjeprurëse në Iranin fqinj.
Shumëkush e përdorte këtë qasje si mburojë – ata tashmë merrnin abdes dhe luteshin pesë herë në ditë. Disa të tjerë, madje edhe disa zyrtarë, talleshin se sistemi i shëndetësisë ishte në derexhe aq të keqe saqë vendi tashmë ishte infektuar me baktere, saqë një virus i ri thjesht nuk mund ta përkeqësonte edhe më shumë gjendjen.
E liga e bën të veten
Por ky mohim tashmë ka pirë ujë, meqë dhjetëra raste pozitive janë konfirmuar në vend. Testimi mbetet jashtëzakonisht i kufizuar – vetëm 250 teste janë kryer deri të mërkurën – kështu që zyrtarët dhe deputetët afganë druajnë se numri i të infektuarve realisht është larg më i lartë për shkak të mungesës së kapaciteteve për të detektuar dhe ngadalësuar përhapjen e virusit.
Më shqetësuese është se Irani nuk e ka respektuar kërkesën e Qeverisë afgane për të mbyllur pikat kufitare, kështu që llogaritet se deri në 15 mijë persona kalojnë përditë kufirin ndërmjet dy shteteve. Krejt rastet e konfirmuara me koronavirus ishin udhëtarë që kishin ardhur nga Irani, ka deklaruar Vahidullah Mayar, zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë.
Virusi po përhapet në kohë lufte dhe në kohë krize të thellë politike që ka mbërthyer qeverisjen në Afganistan. Pllakosur në mjerim ekonomik, me sistem shëndetësie dhe zinxhir ushqimor të ligsht nga konflikti, vendi gjithnjë ishte në situatë të cenueshme.