Për disa javë, Zinedine Zidane është lidhur me rolin e trajnerit të Manchester Unitedit, pas krizës në të cilën po kalon ekipi nën drejtimin e portugezit Jose Mourinho. Rezultatet e dobëta dhe forma në të cilën po kalon ekipi, kanë bërë që të shtohen zërat për një shkarkim të Mourinhos nga roli i trajnerit, përcjell Insporti. Si emri më i përfolur për pasuesin e tij, ishte Zinedine Zidane, që është pa skuadër që prej kur i tha lamtumirë Real Madridit. Por, tani agjenti i Zidane i ka dhënë një lajm të mirë Mourinhos.
Sipas Alain Migliaccio, agjentit të Zidane, gjasat janë shumë të pakta që klienti i tij të kalojë në “Old Trafford” në të ardhmen e afërt. Në një intervistë për Journal du Dimanche, ai tha se Zidane vështirë se do të menaxhojë në Angli.
“Nuk mendoj se ai do të menaxhojë në Angli. Nuk është aspak stili i tij. E kam diskutuar me të, dhe Anglia nuk e tërheq atë. Ai ka vendosur të pushojë për një vit, dhe kjo nuk do të ndryshojë deri sa një vit të kalojë”, përfundoi ai. Mourinho këtë javë “shpëtoi” nga shkarkimi pasi United triumfoi me përmbysje në shtëpi ndaj Newcastle Unitedit.