Ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar ka deklaruar se do të qëndrojnë gjithmonë në krah të popullit të Libisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministri Akar bashkë me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Turqisë, gjeneralin Yaşar Güler vazhdon kontaktet e tij në kryeqytetin libian Tripoli për të vëzhguar në vend aktivitetet e kryera në kuadër të Memorandumit të Mirëkuptimit të Bashkëpunimit Ushtarak dhe Sigurisë. Akar dhe Güler zhvilluan një takim me ushtarët turq dhe libianë në Komandën për bashkëpunimin e sigurisë së mbrojtjes dhe solidarizimit të ndihmës së trajnimit.
Në një takim me Osama Al-Juwaili, komandantin e ushtrisë së Libisë për Departamentin perëndimor të operacioneve, ministri Akar dhe gjenerali Güler morën informacione lidhur me punimet.
“Do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetje në mënyrë që vëllezërit tanë libianë të jetojnë më të qetë, më të lumtur dhe më të sigurtë”, tha Akar duke shtuar:
“Dua që ta dini se ashtu si sot edhe nesër në kuadër të udhëzimeve të presidentit tonë do të bëjmë çdo gjë që është e nevojshme për vëllezërit tanë libianë. Ne besojmë se ju keni të drejtë dhe do të fitoni. Të tjerët me siguri do të marrin ekuivalentin e padrejtësive të tyre. Ata dhe mbështetësit e tyre do të humbin, do të mposhten”.