Nga komuna e Tetovës kanë kërkuar një mbikëqyrje më të madhe edhe nga ana e pjesëtarëve të policisë që të rritet edhe më shumë siguria në pjesë të bulevardit dhe të pakësohet numri i aksidenteve
Urim HASIPI
Tetovë, 18 qershor – Bulevardi i ri “Bllagoja Toska” që u lëshua në përdorim gjatë vitit të kaluar vazhdon të jetë problematik dhe i pasigurt për vozitësit. Ndryshimi i regjimi të komunikacionit, në aspektin e përparësisë së kalimit, ka bërë që të shtohen aksidentet e trafikut. Përderisa ekzistojnë shenja të komunikacionit, megjithatë kjo nuk mjafton që pjesa e re e bulevardit “Bllagoja Toska” të jetë e sigurt. Pasiguria në këtë bulevard ka bërë që autoritetet komunale të Tetovës të vendosin semafor për të pasur siguri më të lartë për vozitësit dhe pritet që kjo të ndodhë së shpejti. Nga komuna e Tetovës thonë se është çështje ditësh kur do të fillojë vendosja e semaforëve. “Procedura e tenderimit për vendosjen e semaforëve në rrugën ‘Bllagoja Toska’ ka përfunduar. Është përzgjedhur kompania që do të realizojë vendosjen e tyre. Ka patur një takim me përfaqësues të tyre, ku është vendosur që në fund të muajit të fillohet me punë. Është një procedurë që merr kohë, të bëhen matjet e caktuara, kjo procedurë zgjatë deri në 5 muaj, ndërsa pasi që ka vetëm një kompani në vend për këtë veprimtari, prandaj është çështje ditësh kur do të fillohet me punë”, tha Besarta Ramadani, zëdhënëse e komunës së Tetovës.
Ndërkohë, mungesa e shenjave të trafikut, shenja trafiku të dëmtuara, shenja joadekuate, mos shënimi I vijave të bardha dhe vijave të ndërprera apo vijave të plota të cilët janë fshirë. Këto janë disa nga shumë vërejtjet që ka hasur policia e komunikacionit gjatë inspektimeve që ka bërë për gjendjen me trafikun rrugor në Tetovë dhe Gostivar. Sipas, policisë, probleme janë hasur edhe kontejnerë që janë vendosur në mënyrë të parregullt, kryerje të punëve pa shenja adekuate. Krahas këtyre anomalive që ka hasur policia, poashtu, si pika më kritike në qytet janë evidentuar, bulevardi “Bllagoja Toska” dhe rrethrrotullimi në hyrje të Tetovës nga pjesa e Shkupit. Si pika kritike në qytet janë evidentuar udhëkryqi “Bllagoja Toska” me rrugën 29 nëntori ku vazhdon të jetë rrezik nga numri i shpeshtë i aksidenteve si dhe rrethrrotullimi në hyrje të Tetovës”, thonë nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë. Ditë, më parë, nga policia e Tetovës është bërë e ditur se janë përcaktuar dhe fotodokumentuar të gjitha mangësitë dhe dëmtimet në sinjalistikën horizontale dhe vertikale të komunikacionit, si shenjat e komunikacionit, shënjimet e vendkalimeve për këmbësorë dhe vijat e plota dhe të ndërprera, gjendja e shenjave ndriçuese të komunikacionit semaforëve, si dhe gjendja e rrugëve në këtë zonë.
Nga komuna e Tetovës kanë kërkuar një mbikëqyrje më të madhe edhe nga ana e pjesëtarëve të policisë që të rritet edhe më shumë siguria në pjesë të bulevardit dhe të pakësohet numri i aksidenteve. (koha.mk)