Aksidenti rrugor i 25 shtatorit 2016 mund t’i kishte kushtuar shumë shtrenjtë Stephan El Shaarawy. Ai po ngiste një “Audi” dhe përfundoi duke u përplasur me një “Panda”, që po ecte në korsinë e vet. Pasoja më serioze ishte lëndimi i një 70-vjeçari romak, pa llogaritur ato materiale. Referuar atij momenti të frikshëm, gjykata ka marrë vendimin e saj kundër sulmuesit të Romës, që u publikua nga “Messaggero”. Masa ndëshkuese parashikon dhënien e mësimeve mbi futbollin për fëmijët me aftësi të kufizuara në akademinë “Calcio Integrato”, gjatë pesë muajve të ardhshëm. Ky veprim “vullnetar” i futbollistit italian do të shmangë dënimin penal.
Vendimi u mor pas pranimit të përgjegjësisë nga ana e sulmuesit verdhekuq dhe kompensimit të plotë të palës së dëmtuar. Gjyqtari pranoi kështu kërkesën e avokatit, duke i dhënë El Shaarawy mundësinë për ta shlyer dënimin në mënyrë alternative. Për të, kjo është një mundësi për t’iu transmetuar fëmijëve njohuritë mbi futbollin, të cilët nuk kanë pasur fatin e tij. Natyrisht, edhe pse me aftësi të kufizuara, fëmijët e akademisë së cituar më sipër do të lumturohen nga prania e idhullit të tyre. Dhe kjo nuk është pak.