Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela, pasdite pas takimit të Kuvendit Qendror që u mbajt në Gostivar, deklaroi se nuk dalin nga koalicioni qeveritar dhe beson se me kryeministrin Zoran Zaev do të takohen sërish rreth kushteve për qëndrimin e tyre në koalicion.
“Vendimi u miratua nga kryeministri dhe ai vendosi që të plotësohen vetëm vendet e lira që, si rezultat i zgjedhjeve lokale dhe zgjedhjes së kandidatit tonë për kryetar komune në Gostivar, duhet të plotësohet nga emra të rinj. Nuk bëhet fjalë për rikonstruksionin e qeverisë, por për mbushjen e vendeve të lira”, deklaroi Sela duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve nëse ata do të largohen nga koalicioni qeveritar.
Ai shtoi se Ministria e Shëndetësisë i përket Aleancës për Shqiptarët dhe se për momentin nuk bëhet fjalë për rikonstruksion të Qeverisë. “Aleanca e Shqiptarëve ka paraqitur një emër për Ministrinë e Shëndetësisë dhe disa herë kryeministri ka deklaruar se nuk bëhet fjalë për rikonstruksionin e Qeverisë. Nëse ka rikonstruksion, atëherë ne do të shohim dhe do të vendosim”, tha Sela.
I pyetur nëse do të votonin për zgjedhjen e një ministri të ri të Shëndetësisë në Parlament, Sela nuk u përgjigj saktë, duke theksuar se partia aktualisht nuk ka organe funksionale dhe vendimet i merr kryetari i partisë dhe komisioni për organizimin e kongresit. Në mbledhjen në Gostivar, siç theksoi Sela, nuk u diskutua për daljen nga qeveria, por u diskutuan raportet nga zgjedhjet lokale dhe u diskutuan përgatitjet për kongresin e partisë që do të mbahet në mars.
“Në rend të ditës nuk patëm pikë për daljen nga koalicioni qeveritar. Unë mendoj se asnjë nga aktorët politikë nuk e meritojnë, që për shkak të lojrave të tyre, ne në Kuvendin Qendror të diskutojmë për të tilla lojëra të ulëta”, tha Sela.