Massimiliano Allegri është munduar të fshehë zhgënjimin duke përsëritur shpesh fjalinë “Ajax meritoi kualifikimin pas asaj që bëri sidomos në pjesën e dytë”, por ka qenë ndoshta në pozitën më të vështirë të karrierës së tij. Pikërisht atëherë kur pritshmëria ishte më e madhe dhe kur i gjithë ambjenti bardhezi, pasi eliminuan Atletico Madrid, menduan se këtë vit do të arrinin finalen e madhe dhe do të ngrenin trofeun me njeriun Champions, Cristiano Ronaldo…
“Ronaldo nuk garanton medoemos trofeun. Futbolli nuk është matematikë, 1+1 nuk bën gjithmonë 2. Ka raste kur bën 3, ka raste kur bën zero e kështu me rradhë. Ishim në garë për katër trofe, jemi duke fituar 2 (titull dhe Superkupë), pra 50%”.
Por, në çdo përgjigje, zëri i Allegrit dridhej, sidomos kur ngacmohej nga gazetarët në lidhje me faktin se pse Juventusi u shkërmoq në atë formë. Nuk dinte se çfarë të thoshte.