Shkup, 12 tetor – Zgjedhjet lokale më 15 tetor janë të rëndësishme për ardhmërinë e Maqedonisë si demokraci e qëndrueshme dhe prosperuese, e integruar plotësisht në institucionet euroatlantike, thuhet në deklaratën e Ambasadës së SHBA-së në prag të zgjedhjeve lokale. “I inkurajojmë të gjithë qytetarët ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës, t’i shprehin qëndrimet e tyre për problemet në bashkësitë e tyre dhe ta riafirmojnë përcaktimin e tyre ndaj vlerave demokratike dhe sundimit të së drejtës. I inkurajojmë qytetarët, shoqëritë civile dhe mediat t’i denoncojnë të gjitha njohuritë për parregullsi zgjedhore të organeve përkatëse”, theksohet në deklaratën e Ambasadës amerikane. Nga Ambasada e SHBA-së theksojnë se kompetentët nga pushteti lokal dhe qendror duhet plotësisht t’i hetojnë të gjitha pretendimet për keqpërdorim dhe të ndërmarrin masa përkatëse, derisa partitë, institucionet qeveritare, gazetarët dhe qytetarët, përmes aksioneve të tyre, do të përcaktojnë nëse procesi ka qenë i besueshëm. “Ne besojmë se zgjedhjet janë pjesë kyçe e çdo demokracie dhe i mbështesim përpjekjet me të cilat qytetarët inkurajohen të votojnë. Ambasada e SHBA-së në mënyrë aktive do të marrë pjesë në vëzhgimin e zgjedhjeve, së bashku me vëzhguesit e tjerë ndërkombëtar dhe lokal”, thuhet në deklaratën e Ambasadës amerikane.