Kristian Timonie është ambasador i Francës në Maqedoni. Më herët ka qenë në Pekin, si Atashe për kulturë. Ka punuar në administratën qendrore në Ministrin e Punëve të Jashtme në Paris. Zëvendësdrejtor për Bashkëpunim Shkencor dhe Hulumtime (Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar); Këshilltar i parë në Ambasadën e Francës në Beograd. Në Kiev, 1997. Konsull i Përgjithshëm dhe Drejtor i Institutit francez në Selanik, 2008. Konsull i Përgjithshëm dhe Drejtor i Institutit Francez në Napoli, 2012. Këshilltar diplomatik në Institutin e interesit publik “Misioni i njëqindvjetorit të Luftës së Parë Botërore 1914-2014”, nga shtatori i vitit 2015. Që në vitin 2016 vepron në Shkup
Intervistoi Delvina KËRLUKU
KOHA: Z. Ambasador, Qeveria aktuale tashmë ka mbushur një vit të plotë qeverisje. Që me formimin e kabinetit qeveritar, u prezantua Plani 3-6-9! Si e shihni realizimin e këtij Plani, ose më saktë: çfarë u realizua dhe çfarë ka shënuar ngecje?
TIMONIE: Qeveria e re pati premtuar një klimë të re të reformave: premtimi u mbajt. Agjenda formalizoi një program ambicioz, që ishte përgatitur intensivisht, nganjëherë edhe me shumë mundime, por në tërësinë e tij shumë i hapur dhe transparent. Pikat kryesore u mbuluan, edhe pse kishte vonesa në miratimin parlamentar. Grupet e punës, megjithë dallimet e theksuara, punuan pavarësisht bojkotit të nxitur nga arrestimi i deputetëve të opozitës, andaj çështja e diskutimeve dhe amendamenteve, thelbësore për të arritur një shumicë prej dy të tretash, si dhe e domosdoshme për miratimin e teksteve themelore, sipas Kushtetutës u realizua. Ligjet e para u miratuan javën e kaluar dhe do të jetë e nevojshme që ky proces të vazhdojë më tutje, në mënyrë që rruga drejt heqjes së kushtëzimit për hapjen e negociatave të pranimit të mund të justifikohet (arsyetohet) plotësisht.
KOHA: “Reforma” është fjala me të cilën karakterizohet kjo qeverisje. Ju si përfaqësues i një shteti me demokraci të vjetër, mund të na thoni se cilët janë ose duhet të jenë reformat e para që Maqedonia duhet t’i nis?
TIMONIE: Reformat urgjente dhe prioritare u renditën dhe u përcaktuan nga autoritetet europiane, me ç’rast u krijua agjenda 3-6-9. Kjo agjendë u prezantua me një forcë të madhe bindëse në kryeqytetet tona nga zëvendëskryeministri z.Bujar Osmani, përpjekjet e të cilit meritojnë të përshëndeten nga të gjithë. Është e qartë se rivendosja ose krijimi i sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës, përkon me kapitujt 23 dhe 24 të bisedimeve të ardhshme. Është po ashtu e qartë se ky dimension do të jetë në qendër të diskutimeve dhe deklaratave mbi Ballkanin Perëndimor në Samitin e ardhshëm europian, i cili do të mbahet në Sofje. Sa i përket reformave, ky koncept mbulon dy realitete, njëri prej të cilave merret parasysh nga Komisioni, e i cili ka të bëjë me aspektin legjislativ, gjë që është e patjetërsueshme, dhe i cili përbëhet nga faza përgatitore e ekspertëve dhe faza e miratimit nga parlamentet. I dyti ka të bëjë me aplikimin në terren, që ka çuar në zhgënjime serioze, veçanërisht në fushën e drejtësisë ose në kuptimin e “partitokracisë”. Kjo pika e fundit është e ndjekur me një kujdes të theksuar nga opinionet tona publike. Këto opinione janë të shqetësuar për aspektet “joliberale” në vende të caktuara të Evropës Qendrore dhe Lindore, e cila pastaj ngrit edhe çështjen e bashkësisë sonë të vlerave demokratike. Tani, sipas mendimit tonë, ashtu si edhe në Bruksel, ekziston një shkallë e caktuar e kujdesit në lidhje me procesin që mëton të konstatojë në letër që puna është mbaruar dhe se kushtet gjoja se janë plotësuar. Andaj, përforcimi i praktikës demokratike dhe sundimit të ligjit, lufta efektive kundër korrupsionit, si dhe vënia fund e një sistemi të përcaktimit të vendeve të punës në bazë të përkatësisë partiake do të kërkohen me më tepër këmbëngulje.
KOHA: Z. Ambasador, cili është komenti i juaj, në lidhje me qëndrimin Francës, të shpalosur ditën e hënë, më 17 prill nga kryetari i Republikës, Makron në Parlamentin Europian në lidhje me zgjerimin e BE-së drejt Ballkanit Perëndimor ?
TIMONIE: Franca mirëpret përparimin e bërë nga autoritetet e reja shtetërore të Maqedonisë, por disa çështje kruciale duhet të adresohen dhe trajtohen përpara çdo zgjerimi, duke përfshirë edhe çështjen e përshtatjes së funksionimit të BE-së ndaj sfidave të reja me të cilat ballafaqohet ajo. BE-ja duhet të rindërtohet, veçanërisht në drejtim të njësimit të politikave fiskale dhe sociale, në aspektin ekologjik, digjital ose në fushën e mbrojtjes, që të mund të pranojë anëtarët e rinj në kushte të mira. Progresi i bërë do të bëjë të mundur, që në kohën e duhur, në mënyrë efektive të shqyrtohet integrimi europian i vendeve të Ballkanit Perëndimor. Këto dy aspekte të reformave, në nivel të BE-së dhe në nivel të vendeve të Ballkanit Perëndimor, kanë për vokacion të shkojnë në mënyrë paralele së bashku, por nuk shkojnë njëra pa tjetrën. Ne të gjithë kemi punë, e cila na pret te ne, sytë tanë janë fiksuar në horizontin tonë të përbashkët.
KOHA: Drejtësia, sipas Raportit të fundit të Avokatit të Popullit vazhdon të jetë selektive. Edhe Komiteti i Helsinkit pati vërejtje. Ligji për gjykatat dhe prokurorët akoma nuk është miratuar, ndërsa Këshilli për monitorimin e drejtësisë, i formuar fillimisht nga Ministria e Drejtësisë, dështoi. Tani kryeministri ka formuar një Këshill të ngjashëm, ndërsa dorëheqje dha ish-ministri i Drejtësisë, duke akuzuar për joprofesionalizëm dhe vendim selektiv gjithë zinxhirin e drejtësisë! Çfarë nuk po shkon drejt në gjithë historinë e gjyqësisë së vendit?
TIMONIE: Sektori i drejtësisë ka tërhequr më së shumti kritika nga publiku, duke përfshirë të gjitha partitë politike, madje edhe para ndryshimeve, duke përfshirë edhe kritikat nga Bashkimi Europian; Prandaj nuk është për t’u habitur që fusha e drejtësisë mbetet në sytë e opinionit si fusha më problematike. Unë do të theksoja se edhe në Francë, me traditën e saj shumë të vjetër demokratike, është sektori i drejtësisë është subjekt i kritikave dhe debatit më të madh. Kjo fushë prek interesat e përditshme ekonomike, familjare etj, por gjithashtu pasqyron edhe marrëdhëniet në shoqëri dhe aftësinë e saj për të pranuar zgjidhjen e konflikteve në kuadër të një mjedisi të pranuar të përbashkët nga të gjithë. E kuptohet që është edhe më e vështirë në një shoqëri ku ekzistojnë ndarjet partiake, si dhe ato në mes të komuniteteve. Nëse shtojmë këtu edhe vështirësitë e ndryshimit politik dhe zërin e shoqërisë civile, kuptojmë se ky episod nuk është më i lehti për autoritetet e reja që trashëguan një drejtësi në një gjendje shumë të keqe. Detyra të shumta e presin ministrin e ri. Për këtë qëllim, ai do të ketë të gjithë mbështetjen tonë dypalëshe, me vazhdimësi me tërë atë që kemi dhënë për Akademinë e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, njëri nga institucionet e pakta që ka tërhequr kënaqësinë dhe simpatinë e Brukselit, por veprimi i të cilit duhet të përforcohet dhe thellohet edhe më tej. Ne duhet të përgatisim të ardhmen, duke u kujdesur që të mos humbim në grindjet e njerëzve dhe të partive. Kjo paanshmëri është hapi i parë drejt drejtësisë efektive dhe të duhur, që pritet nga të gjithë. Përveç drejtësisë, vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet edhe sistemit të burgjeve në Maqedoni, që siç vuri në dukje me guxim kryeministri Zaev, është në një gjendje të rëndë dhe mbart me vete rreziqe të konsiderueshme. Një projekt i konsiderueshëm për një drejtësi të duhur dhe të barabartë është ai i kompatibilitetit dhe koherencës së elementeve të sistemit kontinental europian dhe sistemit anglo-sakson: kjo pikë meriton konsideratë të kujdesshme në perspektivën e integrimit europian dhe të një drejtësie që nuk favorizon “të pasurit dhe të fuqishmit”.
KOHA: Viteve të fundit, jeni ndër ambasadorët më aktiv në takimet me mediat dhe i kyçur në debatet për Ligjin e mediave dhe atë për shërbime audio dhe audio-vizuele. Si i shihni dy ligjet, njëri nga të cilët tanimë është pjesë e debatit në Komisionet parlamentare? Si duhet të bëhen reformat në media, sepse edhe nga shoqatat joqeveritare që merren me media ka akuza se, njëjtë sikurse Qeveria e kaluar, edhe kjo përbërje qeveritare do të kontrollojë mediat?
TIMONIE: Fusha e medias padyshim është ajo ku ndihet një frymë e re. E kam vërejtur këtë gjatë ftesës së personaliteteve të medias nga të gjitha sferat e jetës, me rastin e vizitës së bashkatdhetarit tim dhe ish-ministrit për Çështje Europiane, tani përgjegjës për lirinë e medias në kuadër të OSBE, z. Harlem Désir (Arlem Dezir). Kjo ndjenjë e frymës së re ishte unanime, edhe pse për arsye ekonomike apo politike situata nuk është e përsosur. Ka pasur një diskutim të fuqishëm me qeverinë, në të cilën morën pjesë edhe përfaqësues nga Bashkimi Europian dhe shoqatat profesionale, ku u arrit në një rezultat legjislativ të konsideruar e të balancuar. Praktika do të na tregojë, si me të gjitha reformat, nëse ka liri të vërtetë dhe nëse gazetarët dhe forcat politike dhe ekonomike janë gati të luajnë lojën e pavarësisë dhe informimit të paanshëm të publikut. Nuk bëhet fjalë këtu shmangien e situatës ku gazetarët më të mos frikësohen, rrihen apo blihen, por për të parë se cilat filtra mund të vihen mbi “lajmet e rreme”, të destinuara për të manipuluar opinionin, cili është financimi i mediave të reja, që lindin nganjëherë me fonde të panjohura dhe me çfarë interesi. Çështja e fuqisë ekonomike është gjithashtu thelbësore: ekziston gjithmonë rreziku që pronarët e mediave private të ndërrojnë gëzofin dhe të japin udhëzime të njëjta për dëgjueshmëri dhe nënshtrim, pavarësisht nga qeveria, andaj duhet më shumë virtyt për një qeveri që të refuzojë këto sjellje, kur ajo nuk i nxit të njëjtat. Po hapet një projekt i rëndësishëm për reformën e radio-televizionit publik: do të duhet të krijohet një shërbim i vërtetë publik dhe të shmanget krijimi i një burokracie të re. Më thonë se mbetet shumë për t’u bërë në lidhje me trajnimin e gazetarëve të rinj, për t’u zhvendosur ndonjëherë nga militantizmi në profesionalizmin e informacionit. Në fakt, është një kulturë e tërë politike shumë e ndarë në sektorin e informimit, që duhet të miratojë një etikë të përbashkët dhe një ndjenjë interesi të përgjithshëm. Pala europiane nuk duhet ta braktisë këtë sektor shumë shpejt, gabim ky që u bë, besoj, në vendet e tjera kandidate në rajon, me një efekt negativ në korrupsionin dhe çrrënjosjen e demokracisë liberale.
KOHA: Z.Ambasador, Maqedonia dhe Greqia tashmë kanë nisur bisedimet intensive për zgjidhjen e kontestit të emrit. Dhe, për çdo ditë ka referime apo deklarata të ndryshme nga të dyja palët. Së fundmi, kryeministri Zaev tha se është optimist, ndërsa në Greqi raportohet për pesimizëm. E besoni zgjidhjen e shpejtë të emrit të Maqedonisë?
TIMONIE: Franca dëshiron sinqerisht, siç edhe i ka shprehur ministri ynë i jashtëm Lë Drian homologut të tij nga Maqedonia, që të gjendet një zgjidhje me respekt të ndërsjellë për historinë dhe identitetet secilit shtet dhe secilit popull. Janë ndërmarrë hapa të mëdhenj nga kryeministrat Cipras dhe Zaev. Ne i inkurajojmë ata që të mbajnë vizionin e njëjtë të burrështetasve. Megjithatë, është e kuptueshme që ata duhet të marrin parasysh opinionin e tyre publik, ekuilibrin e tyre politik, peshën e historisë, si dhe të mentalitetit. Sigurisht që këtu kemi parasysh shembullin franko-gjerman. Një pikë e përbashkët është ajo që e gjithë kjo është bazuar në një vullnetarizëm të caktuar dhe një kapacitet për të kuptuar palën tjetër (tjetrin). Pika tjetër për të cilën duhet menduar është se pas tre luftërave franko-gjermane në më pak se 100 vjet, askush nuk do të kishte menduar në mënyrë të arsyeshme për një motor franko-gjerman të ndërtimit europian. Ka një moto studentore që daton që nga viti 1968, e cila ia vlen të mbahet në mend: “Bëhuni realistë, por kërkoni të pamundurën”. Le të shtojmë se në diplomaci, nuk humbet asnjë përpjekje. Sot ose nesër, çdo përpjekje do të sjellë fryte.
KOHA: Strategjia e Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor parasheh që Maqedonia, pas vitit 2025 mund të jetë gati për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Cilët janë ato pika kryesore që Maqedonia duhet t’i plotësojë dhe çfarë duhet të ndryshojë kjo shoqëri për të qenë pjesë e familjes së madhe evropiane?
TIMONIE: Është në njëfarë mënyre e papërgjegjshme për të dhënë data, por ne duhet të vendosim qëllime për të mobilizuar shoqëritë! Nuk do të ketë automatizëm, dhe secili vend do të gjykohet mbi meritat dhe përpjekjet e tij. Maqedonia duhet të përgatitet për një rrugë të gjatë dhe të flake tutje disa zakone. Zhdukja e sistemit të shpërndarjes së vendeve të punës nga partitë politike me siguri do të jetë kusht për suksesin e procesit, mandej efektiviteti i sistemit demokratik dhe lufta kundër korrupsionit do të jenë kritere objektive për të gjykuar suksesin e vërtetë të reformave. Së fundi, janë parlamentet ose qytetarët e shteteve anëtare që do të duhet të miratojnë pranimin e shteteve të reja anëtare. Mbetet ende shumë për t’u bërë në mënyrë që opinioni publik të konsiderojë anëtarësimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor si një atu dhe pasuri. Këto shtete do të kenë sukses duke ndjekur rrugët konkrete të Strategjisë së Komisionit, duke zhvilluar marrëdhënie të mira dhe bashkëpunim me vendet e rajonit. Duhet që opinionet tona të shohin Ballkanin jo si një rrezik, por si një mundësi. Ne jemi të gatshëm të ju japim mjetet, por ju mbetet juve të dini se si t`i përdorni ato! Për të qenë konkret, sfida e arsimit dhe afrimi i të rinjve më duket një sfidë e madhe për t’u përmbushur, e kjo meriton një investim të veçantë. Asgjë nuk është më e rrezikshme për të gjitha komunitetet sesa largimi i të rinjve. Ne nuk duam të integrojmë shkretëtira!
KOHA: Së fundmi, patët dy deklarata publike që shqiptarët nuk e pritën mirë. Ishte edhe zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, që reagoi gjithashtu me deklaratë të hapur. Në opinion, u interpretua se Ligji për gjuhët nuk është prioritet për BE-në dhe për Ambasadën e Francës, edhe pse shumë i rëndësishëm për komunitetin shqiptarë në Maqedoni! Çfarë realisht mendoni për Ligjin e gjuhëve?
TIMONIE: E dija që këto deklarata nuk do të shkonin në llogari të popullaritetit tim, por çka nëse them me një fjalor diplomatik se gjithçka rrjedh mjaltë dhe qumësht? Komisioneri Hahn i kishte bërë ca komente mbi prioritetet, të cilat vinin nga këndvështrimi europian. Pikëpamja shqiptare është e ndryshme, e cila është legjitime. Unë vetëm se i përmenda më tej vonesat në miratimin e ligjeve prioritare për agjendën tuaj europiane. Ky episod nuk e ka përshpejtuar miratimin e tyre, së paku mund të themi, dhe nuk ka dhënë imazhin më të mirë të parlamentit. Situata edhe më tej mbetet e bllokuar: ishte një rrezik i parashikueshëm. Mendoni me ndërgjegje se vallë nuk do të kishte qenë më mirë të veproheshte ndryshe në mënyrë që të mos vinte deri te një acarim i tillë i ngjarjeve. Por tani kjo është një çështje që duhet zgjidhur me qetësi dhe në mënyrë të arsyeshme, mes qytetarëve të Maqedonisë, në të mirë të unitetit kombëtar dhe bazuar në respektin e komuniteteve, siç edhe duhej të kishte qenë që nga fillimi. Mendimi i jashtëm juridik, si ai i Komisionit të Venedikut do të mund të ndihmonte shumë në këtë drejtim.
KOHA: Javë më parë, Maqedonia u bë pjesë e shumë vendeve evropiane dhe largoi një diplomat rus, me arsyetimin se ka shkelur Konventën diplomatike të Vjenës, ndërsa pasoi reagimi i menjëhershëm si i Ambasadës ruse, ashtu edhe i Ministrisë së Jashtme të Moskës. Sa e shihni të rrezikuar Maqedoninë nga “tendencat ruse”?
TIMONIE: Ngjarjet në Salisbury, ku dy persona u helmuan në rrethana veçanërisht të paqarta shkaktuan një emocion të konsiderueshëm. Autoritetet britanike reaguan duke ndërmarrë masa për dëbimin e stafit diplomatik, të ndjekur dhe imituar nga disa prej aleatëve të tyre që synonin të tregonin solidaritetin e tyre dhe të dëshmonin se sjellje të tilla të caktuara ishin të papranueshme për të mbajtur marrëdhënie normale ndërkombëtare. Një vend i madh me një traditë diplomatike shekullare (sekulariste) dhe i cili aspiron, thjesht të marrë pjesë plotësisht në një shoqëri të qëndrueshme dhe stabile ndërkombëtare, duhet, madje edhe në zonat e huaja gri të veprimit të jashtëm, të respektojë një minimum rregullash. Duhet të vlejë e vërteta, si në Salisbury, ashtu edhe gjetkë. Përndryshe, do të ekspozohemi ndaj hakmarrjes dhe dëmeve të vështira për t’u riparuar në aspektin e imazhit. Kryetari Makron, në pritjen që i bëri kryetarit Putin në Versajë, i`a përcolli këtë mesazh, duke shprehur mosmiratimin e disa veprimeve jo miqësore gjatë zgjedhjeve tona të fundit presidenciale. Tani për tani, dialogu vazhdon: askush nuk ka asgjë për të fituar nga një përshkallëzim eventual, dhe veçanërisht jo ky rajon i brishtë, i cili ka pësuar shumë si nga mospajtimet e brendshme, ashtu edhe nga rivalitetet ndërkombëtare. Vendosja e një marrëdhënieje të shëndetshme me Rusinë dhe të balancuar nga retorika e luftës së ftohtë është me interes të ndërsjellë.
KOHA: Cili ishte qëndrimi i juaj si ambasador, si dhe i Ambasadës që përfaqësoni, në lidhje me sulmet e Amerikës, Britanisë dhe Francës ne Siri, ndaj caqeve te regjimit te Asadit?
TIMONIE: Franca i është përgjigjur një situate të veçantë dhe urgjente. Vendimi u mor para më shumë se një javë, në një kohezion kombëtar dhe kësaj here mori mbështetjen e aleatëve tanë me të cilët jemi koordinuar ngushtë, duke marrë përgjegjësinë për një nga tre objektivat që lidhen me këtë sulm të paligjshëm kimik nga ana e Damaskut. Në vitin 2013, Siria, kuptohet nën presionin e Rusisë, kishte marrë angazhime ndërkombëtare për të hequr dorë nga armët kimike të ndaluara nga bashkësia ndërkombëtare. Këto armë u përdorën përsëri javën e kaluar në Duma, në rajonin lindor të Gutas, në kushte që dëshmojnë, sipas informacioneve të verifikuara, përgjegjësinë dhe implikimin e autoriteteve siriane. Regjimi sirian dhe aleati i tij rus ishin informuar për rreziqet e mundshme, në rast të shkeljes së Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të miratuar me mbështetjen e Rusisë, duke paraparë përdorimin e forcës në rast të shkeljes të së njëjtës. Bëhej fjalë gjithashtu për një reagim ndaj një bllokimi që kohët e fundit u bë sistematikisht nga ana e Rusisë, për një kontroll efektiv të kësaj situate. Kryetari i Republikës vuri në dukje shqetësimin e Francës për të shmangur çdo përshkallëzim me Sirinë dhe Rusinë, duke mëtuar rifillimin e një procesi diplomatik, në të cilin Turqia, Irani dhe Arabia mund të bashkoheshin. Në përfundim të sulmeve, qarkulluam një projekt-rezolutë të Këshillit të Sigurimit. Për herë të parë pas shtatë viteve të këtij konflikti të tmerrshëm, janë trajtuar aspektet kimike por edhe qasja humanitare dhe zgjidhja politike e konfliktit. Franca është e angazhuar për një zgjidhje politike dhe multilaterale në Siri. Më shumë se kurrë, Franca është e angazhuar për një zgjidhje politike dhe multilaterale në Siri.
KOHA: Z.Ambasador, kultura është një element i rëndësishëm që dëshmon për emancipimin e shoqërisë. Cili është kontributi i Francës për Maqedoninë në këtë fushë?
TIMONIE: Krijimi i një kulture të përbashkët në njohjen dhe respektin e kulturave dhe gjuhëve që përbëjnë Europën do të jetë, shumë më domethënëse se monedha e përbashkët, guri parësor për suksesin e ndërtimit europian. E dimë angazhimin e vendit tonë në favor të diversitetit kulturor, kundër grackave që mund të vijnë prej një kulture unike dhe destruktive të llojllojshmërive. Kjo rezulton me një prani aktive në Maqedoni. Jemi krenarë për Qendrën Kulturore në Shkup, tani Instituti Francez, që ekziston që nga viti 1974 dhe për punën e Aleancave tona në Manastir dhe në Tetovë. Një duzinë e shkollave të mesme-gjimnazeve kanë paralele dygjuhëshe (klasa bilinguale), por ofrohen edhe mundësi dhe bursa të shkëlqyera në universitetet tona. Megjithatë, ne duhet të gjejmë më shumë shqiptarë që të përfitojnë nga këto mundësi, andaj edhe po e diskutojmë në mënyrë aktive këtë me zëvendësministrin e arsimit, z. Arbër Ademi, një evropian i bindur dhe i rryer. Këtu ka shumë talente për t’u vlerësuar, por duhet gjetur mjete për promovimin e tyre, dhe për këtë arsye gjykoj se mësimi i gjuhëve të vendit dhe gjuhët e huaja është një parakusht që duhet të përmbushet. Përveç kësaj, dialogu intelektual i nivelit të lartë është i domosdoshëm, për shkak se kultura është ajo që na thërret në tejkalimin e vetes sonë. Shpresoj se do të lidhim një marrëveshje me shtëpinë botuese “Logos A”, për të përkthyer disa filozofë bashkëkohorë francezë në gjuhën shqipe dhe maqedonase, të cilët do t`i ftojmë edhe këtu, në veçanti për të inkurajuar reflektimin rreth një dialogu të mendimeve dhe religjioneve, gjithnjë e më nevojshme për të shmangur stereotipat dhe për të luftuar intolerancën ose fanatizmin.
KOHA: Keni vizituar disa qytete në Maqedoni, këtu mund të përmend vizitën tuaj të fundit në Dibër. Çfarë përshtypje keni për qytet tona?
TIMONIE: Vizitat janë gjithmonë momente të mrekullueshme të zbulimit, që na përkujtojnë se Shkupi nuk përfaqëson Maqedoninë në tërësi, por ajo që bëhet nga të gjitha komunitetet e saja, traditat dhe historitë e saja. Duhet dalur përtej kornizës zyrtare që të shihen mundësitë e shumta për bashkëpunim. Shumë kryetarë komunash kanë ardhur në Francë, në qytetin e Dizhonit, ku kemi organizuar një takim mbi bashkëpunimin e decentralizuar në Ballkan. Rishtazi kam vizituar Tetovën, ku vizitova shkollat e mesme dhe klasat dygjuhësore, dhe planifikojmë me kryetaren e komunës, e cila është mikesha e jonë, pra me zonjën Teuta Arifi, një intensifikim të marrëdhënieve tona për mësimin e gjuhës frënge, në bashkëpunim me Aleancën tonë Franceze, tejet dinamike. Kam vizituar zyrtarisht Gostivarin dy herë, disa herë Kumanovën, Likovën, Haraçinën dhe natyrisht Dibrën, qytet të cilin ju e përmendët. Kryetari i komunës më la përshtypje të fortë, përmend këtu edhe faktin se u njoftova për së afërmi me potencialin e rajonit në hidroterapi. Përveç këtyre mundësive, ka edhe shumë vështirësi në lidhje me mungesën e zhvillimit të infrastrukturës: pastrimi i ujit, trajtimi i ujërave të zeza, ndotja e ajrit, rrugët, arsimimi … Ne kontribuojmë në këtë drejtim përmes programeve të BE-së që unë i raportoj në Paris. Është e rëndësishme të përkrahen programet në terren që shkojnë në drejtim të ndryshimit të jetës së qytetarëve, por gjithashtu edhe drejt një zhvillimi të ri ekonomik, veçanërisht në sektorin e turizmit. Ne jemi vendi i parë në këtë aspekt, andaj kemi edhe përvojën që duam ta ndajmë, e tërë kjo, jo vetëm në këtë drejtim, por edhe në aspektin e pajisjeve.
KOHA: Veç punëve të përditshme diplomatike, si e kalon kohën e lirë ambasadori i Francës në Maqedoni? Cilën gjë e bën më me qejf jashtë kornizave diplomatike?
TIMONIE: Ah, koha e lirë! Më ka marr malli për kohën e lirë, sepse të gjitha përpjekjet e mia shkojnë në këtë moment në rend të parë drejt udhëzimeve të mia: të punojmë për afrimin dhe integrimin europian të këtij vendi. Përpiqem për të njohur sa më shumë të jetë e mundur, kur kam pak kohë, talent në këtë vend, pasuria kulturore e të cilit është e pashtershme, falë kontributit të të gjithë komuniteteve të tij. E admiroj tej mase pianistin Dino Imeri, i cili ka një karrierë të bukur europiane. Vlerësoj gjithashtu edhe veprat e Reshat Ametit, e njërën prej veprave të tij e ruaj edhe në Rezidencë: e kam vendosur atë në një vend të duhur, dhe kjo më ndihmon që të kem durim për të njohur më mirë këtë piktor me një talent të shquar, frymëzimi filozofik i të cilit më prek shumë. E vlerësoj faktin, që gama e tij kromatike e fushëveprimit nuk përmban vetëm motive etnike, por është e rrënjosur në të gjithë traditën e Maqedonisë Perëndimore. Lexoj ngapak edhe përkthimet e romaneve të Luan Starovës, ish-ambasadorit tuaj në Paris, një shkrimtar i shquar dhe një njeri vërtetë tejet i mençur (urtak). Dhe për fund, ju shpalos sekretin e fundit: më kanë dhuruar libra për të mësuar (pak) gjuhën shqipe. Më uroni fat dhe kurajo në mësimin e saj!
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.